Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të rrëzojë vendimin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Kodi i Procedurës Administrative në nenin 110, në pikën 2 saktëson që ‘Pavlefshmëria absolute e aktit mund të konstatohet në çdo kohë, kryesisht apo me kërkesë, të çdo të interesuari, nga organi publik që e ka nxjerrë atë, organi epror i tij apo organi që është kompetent të shqyrtojë mjetet ligjore administrative, si dhe nga gjykata kompetente për çështjet administrative, sipas ligjit’.
Pra KQZ-ja mund të shpallë pavlefshmëri të dekretit si organi kompetent për të shqyrtuar mjetet ligjore administrative, ndërsa më pas nëse ndonjë forcë politike nga ata që janë regjistruar në zgjedhjet lokale mund ta ankimojnë.
Por cfarë do të vendosë KQZ?
Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e mori në konsideratë dekretin presidencial për anulimin e 30 qershorit, por në votim nuk e hodhi.
4 anëtarët e propozuar nga PS e konsideruan aktin nul, pa marrë asnjë vendimmarrje, dhe vijuan me rendin e ditës si të ishte një situatë normale, duke shpërndarë fondet për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.
Neni 110 i Kodit të Procedurës Administrative
Pasojat dhe konstatimi i pavlefshmërisë absolute
1. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm nuk sjell asnjë pasojë juridike, pavarësisht faktit nëse është konstatuar apo jo si i tillë. Ai konsiderohet se nuk ekziston.
2. Pavlefshmëria absolute e aktit mund të konstatohet në çdo kohë, kryesisht apo me kërkesë, të çdo të interesuari, nga organi publik që e ka nxjerrë atë, organi epror i tij apo organi që është kompetent të shqyrtoje mjetet ligjore administrative, si dhe nga gjykata kompetente për çështjet administrative, sipas ligjit.
3. Në rast se një pjesë e aktit është absolutisht e pavlefshme dhe kjo pjesë është aq e rëndësishme saqë organi publik nuk do ta kishte nxjerrë aktin pa të, i gjithë akti është i absolutisht i pavlefshëm.