Rikthehet gjyqtari Gjin Gjoni. Shtatë muaj pasi iu miratua nga ish-KLD kërkesa për leje prindërimi duke qenë se është bërë baba i një vajze, një kërkesë e tij e dytë e dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, është bërë shkak që anëtarët të mblidhen këtë të mërkurë, në orën 15:00.
Anëtarët e KLGJ janë vënë në lëvizje nga vetë gjyqtari Gjoni, por edhe nga Kolegji Zgjedhor.
Nga njëra anë, gjyqtari Gjin Gjoni sipas ish-KLD ka marrë leje prindërimi për dy vjet dhe për këtë i hiqet e drejta e pagës si gjyqtar.
Por, vendimi i tetorit 2018 nga KLD ka lënë jashtë vëmendjes se çfarë do të bëhet me faktin se Gjin Gjoni edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, a duhet apo jo t’i jepte leje.
KLD ka argumentuar se si anëtar i Kolegjit Zgjedhor Gjin Gjoni nuk merr leje. Por siç rezultoi më pas gjatë shortimit për shqyrtimin e kërkesave të subjekteve politike, Gjin Gjoni u zgjodh gjyqtar kolegji. Gjoni ka kundërshtuar pjesëmarrjen në kolegj, pasi sipas tij është me leje.
Kolegji Zgjedhor ndërkohë pas një vendimmarrjeje konkrete nga KLGJ nuk e përjashton dot nga shortimi.
Ndaj Këshilli i Lartë Gjyqësor, për herë të parë pas konstituimit do të trajtojë në vetvete domethënien e një vendimi të KLD së mëparshme.
Përveç dilemave dhe debateve që parashikohen të ndodhin në KLGJ, pikëpyetja më e madhe ka lidhje me një përcaktim të qartë të ligjit zgjedhor.
Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor zgjidhen çdo katër vjet përmes shortit dhe më pas dekretohen nga presidenti.
A do mundet KLGJ të vendosë dot nëse Gjin Gjoni ka të drejtë kur kërkon leje për shkak të parimit “fiton interesi më i lartë i fëmijës”, apo në këtë rast do fitojë interesi më i lartë që lidhet me shoqërinë, pra që janë çështjet e zgjedhjeve.
E qartë është se edhe kësaj radhe një nga gjyqtarët më të përmendur ia ka dalë sërish t’i trazojë ujërat. Ashtu siç i trazoi me kërkesën për leje, që u interpretua si shmangie apo fitim kohe për vettingun.
Gjin Gjoni ia doli mbanë të sfidojë edhe ministren e Drejtësisë, e cila e kundërshtoi vetëm mediatikisht lejen prindërore, pasi në fakt më tej nuk u pa asnjë veprim konkret prej saj.
Le të shohim çdo të ndodhë në mbledhjen e orës 15:00.
g.kosovari