Avionët grekë dhe turk patën manovra të rrezikshme në ajër gjatë një incidenti ku u përfshi dhe helikopteri i kryeministrit helen Alexis Tsipras. Pasi zbriti në ishullin Agathonisi ku mori pjesë në ceremonitë përkujtimore të kryengritjeve kundër osmane të vitit 1821, kryeministri Tsipras akuzoi se avionët ushtarakë turq penguan fluturimin e helikopterit të tij. Në një reagim të menjëhershëm Ankaraja tha se nuk ishte për qëllim të pengonte fluturimin e Tsiprasit.
“Dua t’u dërgoj një mesazh dhe t’u them se veprime të tilla janë të pakuptimta, kanë harxhuar karburantin kot. Ne do të jemi gjithmonë gati për të mbrojtur integritetin tonë kombëtar.”
Një zyrtar helen i tha agjencisë Reuters se avionët luftarakë F-16 interceptuan avionët turq vetëm 4 milje larg helikopterit të kryeministrit Tsipras.
Pavarësisht se janë anëtarë të NATO-s, Turqia dhe Greqia kanë një sërë mosmarrëveshjesh me çështjet që variojnë nga Qiproja deri te ndarja e hapësirës ajrore. Marrëdhëniet janë përkeqësuar qëkur Greqia bllokoi ekstradimin e tetë ushtarëve turq të akuzuar nga Ankaraja si të përfshirë në grushtin e dështuar ushtarak të vitit 2016.
g.kosovari