“SHBA do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë ndërsa përparon në rrugën e saj të drejt integrimit në BE”, deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo, në një letër drejtuar ish-ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Pas largimit të tij nga detyra, Bushati mori disa letra falënderimi, mes të cilave nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo, ministri i Jashtëm britanik, Alan Duncan, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, dhe ai turk, Mevlut Cavusoglu.
Në letrën dërguar Bushatit, Sekretari Amerikan i Shtetit Michael R. Pompeo vlerësoi rolin e ish-kryediplomatit shqiptar në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. “Në 27 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë një aleate dhe një mike e patundur e Shteteve të Bashkuara. Qeveria ime është veçanërisht mirënjohëse për angazhimin e Shqipërisë për të promovuar demokracinë, stabilitetin dhe sigurinë si një aleat i përkushtuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS. Ju uroj gjithë të mirat në vijim të punës suaj si anëtar i parlamentit. Ju falënderojmë për punën që po bëni në parlament për të siguruar përparimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Sekretarit Amerikan të Shtetit drejtuar Bushatit.
Edhe ministri për Europën i Britanisë, Alan Duncan vlerësoi angazhimin e Bushatit, ndërsa veçoi reagimin e shpejtë dhe në një zë me aleatët perëndimorë në lidhje me dëbimin e aleatëve rus pas sulmit në Salisbury dhe angazhimin e rolin e Shqipërisë në kuadër të procesit të Berlinit.
“Vendet tona bashkëpunojnë në një gamë të plotë të çështjeve të politikës së jashtme dhe unë personalisht jam shumë mirënjohës për veprimet që morët si pjesë e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj agresionit të Rusisë në Salisbury. Ishte kënaqësi të punoja me ju, dhe ju uroj shumë suksese në përpjekjet tuaja të ardhshme”, shkruan ministri për Europën Alan Duncan. Mesazhe falënderimi, Bushati mori edhe prej dy vendeve mike të Shqipërisë sikurse është Italia dhe Turqia, me të cilat vendi ynë ka edhe volumin më të madh tregtar. Duke i cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, ministri i Jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi, i ka shprehur mirënjohjen Bushatit për rolin e tij në rritjen cilësore të këtij bashkëpunimi.
“Sinergjitë e maturuara në fusha të ndryshme – midis të cilave për nga rëndësia e tyre kujtoj impenjimin e përbashkët në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, ashtu edhe bashkëpunimin në kuadër të pjesëmarrjes së përbashkët në OSBE- do të jenë një themel i fortë për të vijuar në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Këto marrëdhënie, tashmë të shkëlqyera, patjetër që kanë regjistruar një rritje të mëtejshme cilësore gjatë mandatit tënd”, thekson Enzo Moavero Milanesi, ministër i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në qeverinë italiane.
Mesazh falënderimi, ish-ministri Bushati mori edhe prej homologut të tij turk, Mevlut Cavusoglu, për bashkëpunimin dhe konsolidimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve. “Dua të ritheksoj mbështetjen tonë për kandidaturën e Shqipërisë si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2022-2023, nënvizon ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu në letrën e tij dërguar Bushatit.
/a.meta