Nga Ardit Rada/
Java që vjen është treguesi më i mirë se përse një krizë politike rreth postit të ministrit të Jashtëm shqiptar është absurde dhe e panevojshme. Të paktën në momentin aktual dhe në mënyrën sesi po tërhiqet zvarrë.
Refuzimi i Ilir Metës për të dekretuar Gent Cakajn në postin e kreut të diplomacisë, por edhe insistimi totalisht antiligjor e antikushtetues i tij për të mos shkarkuar ministrin në detyrë Ditmir Bushati, do të krijojë në javën që vjen një situatë paradoksale dhe krejt surreale për Tiranën zyrtare, shkruan Javanews.
Burime të besueshme diplomatike i thanë Javanews se ministri në detyrë Bushati do të ketë tre takime-vizita të rëndësishme në Tiranë dhe Berlin në javën ku po hyjmë. Të martën Bushati do të pritet në vizitë zyrtare në Berlin nga homologu i tij gjerman Heiko Maas. (Por kjo vizitë u anulua për shkak të krizës mes qeverisë dhe presidentit për postin e ministrit aktual).
Vetëm një ditë më vonë, të mërkurën në darkë, në Tiranë do të vijë për vizitë dypalëshe ministri Jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi. Mësohet se ministri i Jashtëm italian do të largohet të mërkurën.
Vetëm një ditë më vonë në Tiranë do të zbresë për vizitë ministri i jashtëm holandez. Takimi i tretë dhe i fundit ministror për Ditmir Bushatin brenda një jave. Që të tre, takime me ministra të Jashtëm të vendeve nga më të rëndësishmet e Bashkimit Europian.
Dhe e gjitha kjo në një situatë krejt të pazakonshme dhe kaotike për diplomacinë shqiptare. Rama dhe Meta duhet ta kishin parasysh këtë axhendë, kur vendosën të kryqëzojnë shpatat, ashtu siç duhet të kenë parasysh të gjithë axhendën diplomatike të vitit ku po hyjmë dhe ku Shqipëria, siç e thoshte një diplomat i vjetër shqiptar dje, nuk e ka luksin të mos jetë e kujdesshme dhe korrekte me partnerët e saj ndërkombëtarë, komenton Javanews.