Nga Ardit Rada
Refuzimi i Gent Cakajt nga institucioni i Presidentit tashmë është arsyetuar në një shkresë që Ilir Meta ia përcolli kryeministrit. Debati kushtetues nëse kreu i shtetit ka të drejtë ta mosdekretojë një ministër, apo ai gëzon vetëm një post ceremonial, tashmë është i pavlerë. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta ka zgjedhur t’i përgjigjet Edi Ramës (dhe jo mazhorancës) duke e përballur me një ngërç, sikundër opozita u gjend sa i përket Ligjit për Teatrin.
Emri i Gent Cakajt për ministër të Jashtëm e ka habitur Ilir Metën më pak sesa socialistët, pasi kreu i shtetit është informuar rreth djaloshit nga Kosova më tepër sesa PS. Ai është një propozim personal i Edi Ramës, ndikuar nga njohja me të në kabinet, por edhe sugjerimet që ka pasur nga ajo që tashmë është publike: Gazetari Baton Haxhiu.
Këmbëngulja e kryeministrit për emrin e Cakajt tashmë është kthyer në një betejë personale me presidentin dhe jo si një nevojë e pazëvendësueshme për të shpëtuar Shqipërinë. Rama gjendet i çuditur sesi një president me kompetenca të cunguara vë në dyshim zgjedhjet e tij duke harruar qëllimisht mungesën e Kushtetueses.
Është e habitshme sesi ministri pretendent është prezantuar si ata fëmijët në televizor, që dinë të pjesëtojnë numra pesëshifrorë që në moshën trevjeçare. Dhe më keq akoma, euriditi në fjalë sipas Ramës është një mijë herë më i ditur se Presidenti, që vetë mazhoranca e zgjodhi.
Sot, Rama duket i vetmuar në betejën për emrin e Cakajt. Asnjë ish-ministër apo deputet socialist nuk është përfshirë në debatin publik për t’i ardhur në ndihmë. Arsyet janë të kuptueshme, por mbi të gjitha triumfon ajo logjikja. Askush nuk ka informacion për profilin e Gent Cakajt, përveç deklaratave të Ramës se ai ka lexuar më shumë libra sesa kam lexuar unë dhe gazetarët të marrë sëbashku.
E gjitha kjo vishet me një mister të panevojshëm kur mendon se Cakaj është i vetmi zv.ministër që CV-në e tij nuk e ka publike në internet. Madje, edhe pse kjo mangësi iu vu në dukje Ramës dy javë më parë, sërish ministrit të domosdoshëm nuk i dihet as qyteti ku ka lindur.
Dhe kur kërkojmë gjërat elementare për njeriun që do t’i besohet integrimi i Shqipërisë, nuk kemi pse të na vijë turp. As Kosovës nuk kemi pse t’i kërkojmë falje, sepse me dekretimin e Besa Shahinit e kemi bërë ‘detyrën patriotike’.