Vëllai i një ish-anëtari të mafias i cili u kthye në informator u qëllua për vdekje nga dy burra të maskuar në ditën e Krishtlindjeve. Policia dyshon se kjo ishte një vrasje e urdhëruar nga një klan i mafias së fuqishme kalabreze, ‘Ndrangheta.
Marcello Bruzzese, 51 vjeç, u vra ndërsa po kthehej në shtëpi në qendrën historike të Pezaros, në rajonin e Markes në Itali. Babai i Bruzzese-s, Domenico, një toger i shefit famëkeq Teodoro Crea, u vra në vitin 1995 në atë që mendohej të ishte një pritë e mafias. Vëllai i Marcello Bruzzese-s, Girolamo, iu bashkua një familjeje mafioze në Rixikoni, një qytet në provincën e Rexho Kalabrias.
Pas një konflikti të brendshëm, në tetor të vitit 2003 Girolamo qëllon Crea-n. Pak ditë më vonë ai shkoi në polici dhe bashkëpunoi me autoritetet duke iu dhënë informacione rreth ish-bashkëpunëtorëve të tij.
Crea i mbijetoi tentativës së vrasjes, por u arrestua dhe po vuan dënimin me burg. Rrëfimet e Girolamo-s çuan në arrestimin e disa anëtarëve të ‘Ndrangheta-s, duke përfshirë edhe politikanë të lidhur me familjen e krimit.
Marcello nuk ishte anëtar i ‘Ndrangheta-s dhe u transferua në Pezaro tre vjet më parë. Policia po heton nëse vrasja ishte në shenjë hakmarrjeje për rrëfimet e Girolamo-s.
Sipas njoftimeve, ‘Ndrangheta mendohet të ketë qindra bashkëpunëtorë kyç në 30 vende dhe se aktivitetet e saj përfshijnë mijëra njerëz në mbarë botën.
Një studim i Institutit Kërkimor Demoskopika në vitin 2013 pretendonte se ‘Ndrangheta bëri më shumë para se sa Deutsche Bank dhe McDonald’s së bashku, me një xhiro prej 53 miliardë eurosh./a.meta