Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë sot në mbrëmje për “A2 News” është shprehur qartë kundër idesë së ndryshimit të kufijve mbi baza etnike. Sipas tij mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm një dialog efektiv dhe jo fiktiv.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Dalim pak jashtë Shqipërisë. Kemi një situatë në Kosovë për shkak të një takse 100% për prodhimet që Kosova importon nga Serbia. Si e gjykoni këtë vendim të qeverisë së Kosovës, që është marrë si një kundërpërgjigje e problemeve tarifore që Serbia i ka vendosur Kosovës? Të paktën sipas deklarimeve më të fundit të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Presidenti Meta: Në vlerësimin tim është e domosdoshme që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të jetë i vërtetë. Të mos jetë fiktiv. Sikurse rezulton, për fat të keq, që ka qenë për një kohë të gjatë. Dhe të dyja palët të krijojnë vullnetin pozitiv për të njohur realitetin e njëra-tjetrës dhe njëkohësisht për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asaj situate, në të cilën ndodhen shumë qytetarë. Pavarësisht nga përkatësia etnike, serbe apo shqiptare, për shkak të këtyre marrëdhënieve.
Gazetari: Vendimi i drejtë apo i padrejtë i marrë në kushtet e kësaj negociate?
Presidenti Meta: Ky është një vendim që duhet kuptuar në kontekstin e kësaj që unë thashë. Pra, që kemi patur një dialog joefektiv, i cili duhet të kishte sjellë një progres tjetër në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe që do të duhet që ky dialog sa më shpejt të fillojë të jetë efektiv dhe të dy palët të tregojnë një vullnet reciprok.
Gazetari: A keni një koment për një “tëeet”, të para disa ditëve të Vuk Jeremiç, i cili e sheh taksën si një “pazar” të një takimi të mbajtur në datën 4 nëntor në Romë mes presidentëve Vuçiç dhe Thaçi?
Presidenti Meta: Nuk mund të bëj asnjë diskutim mbi një akuzë, apo informacione të kujtdo qoftë. Për mua si President i Republikës së Shqipërisë është e rëndësishme që ky dialog midis Serbisë dhe Kosovës të jetë efektiv, të jetë i përgjegjshëm, të jetë transparent dhe të sjellë efekte pozitive për qytetarët e të dyja vendeve dhe për gjithë rajonin.
Gazetari: Zoti President, nëse nuk ka qenë efektiv, sikurse ju sapo thatë, është për shkak të mungesës së sinqeritetit nga ana serbe, për shkak të paaftësisë së Presidentit Thaçi për ta zhvilluar dialogun siç duhet? Kujtoj që në Kosovë ka lindur nevoja për miratimin e një grupi negociator, apo për shkak të mënyrës sesi zonja Mogherini, e cila është në fund të mandatit të saj e ka zhvilluar këtë dialog?
Presidenti Meta: Arsyet nuk janë të rëndësishme për t’u shprehur nga ana ime, sesi unë i mendoj. Fakti është që dialogu është zhvilluar jashtë një atmosfere për dialog. Pra, takime ka patur në mënyrë të vazhdueshme apo të herëpashershme, por ndërkohë si reagimi për marrëveshjet e arritura dhe si deklarimet në vijimësi, nuk kanë qenë në frymën e dialogut dhe të vullnetit për t’i dhënë sukses këtij dialogu sa më shpejt.
Gazetari: Si e shikoni situatën në veri të Kosovës, zoti President?
Presidenti Meta: Situata në veri të Kosovës unë mendoj që është e qartë. Serbia nuk i ka bërë të gjitha përpjekjet e duhura, kjo do ishte shprehja më e përmbajtur nga ana ime, për t’i inkurajuar dhe në kuadër të dialogut të saj me Kosovën, serbët e Kosovës për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Acarimi artificial i kësaj situate është i papranueshëm dhe nuk mund të legjitimojë asnjë veprim të njëanshëm në të ardhmen nga askush.
Gazetari: Ekziston ndonjë rrezik, a i druheni ndonjë skenari ukrainas, shkëputje e veriut?
Presidenti Meta: Është tepër e rëndësishme për të kuptuar që Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe duhet të jetë në mënyrë integrale pjesë e Bashkimit Europian dhe nuk mund të jetë kurrsesi një hapësirë, ku mund të bëhen eksperimente, të cilat përdoren më pas si precedent në rajone të tjera.
Gazetari: Ndryshimi i kufijve atëherë mes Kosovës dhe Serbisë, do të ishte i mundur qoftë edhe i negociuar? Ju jeni shprehur kundër, po kam parasysh intervistën më të fundit të zotit Thaçi për “Zërin e Amerikës”.
Presidenti Meta: Unë kur mbaj qëndrimet e mia i referohem qëndrimeve të Republikës së Shqipërisë dhe qëndrimet e saj kanë qenë dhe janë të qarta e të kristalta e të parishikuara nga asnjë institucion në vend, përfshi edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria është kundër idesë së ndryshimeve të kufijve, se Shqipëria është për heqjen e kufijve në Ballkan, ashtu si në Bashkimin Europian.
***
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, në televizionin “A2 News”, ka sqaruar arsyet pse përzgjodhi zonjën Vitore Tusha si kandidate për postin e Kryetarit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Presidenti-Meta
Sipas kreut të shtetit, Tusha nuk ka asnjë lidhje me mosfunksionimin aktual të KED-së, ndërsa ka shtuar se ka bërë një përzgjedhje shumë të mirë duke renditur edhe arsyet që sipas tij janë “për shkak të eksperiencës, përvojës, ‘vetting’-ut që kjo zonjë e ka kaluar dhe për shkak se asnjëherë s’ka pasur angazhim të njëanshëm politik, partiak, administrativ, e me radhë”, – është shprehur Meta.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Kam përshtypjen që ngërçi nuk është vetëm për KED-në por është për të gjitha institucionet e drejtësisë. Ju keni propozuar zonjën Vitore Tusha për postin e Kryetarit të KLSH-së, por zonja Tusha është gjithashtu dhe kandidate për KED…
Presidenti Meta: Nuk kemi të bëjmë me një ngërç në rastin konkret, kemi të bëjmë me keqinterpretim të një situate, ku zonja Tusha nuk ka asnjë lidhje me mosfunksionimin e KED-së deri tani. Kjo është një përgjegjësi e dikujt tjetër apo e aktorëve të tjerë, të cilët duhet ta kishin mbledhur KED-në , por dhe duhet ta kishin vënë në lëvizje për të përmbushur detyrimet e saj, që nga çështja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe institucioneve të tjera, për të cilat ajo ka përgjegjësi. Mund t’ju sqaroj, që zonjës Tusha i ka përfunduar mandati që në mars 2017. Ajo në çdo moment mund të ishte larguar siç kanë zgjedhur dhe kolegë të caktuar të saj, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por nuk e ka bërë këtë gjë për përgjegjësi të saj. Ashtu sikurse mund të ishte larguar edhe për t’iu shmangur procesit të ‘vetting’-ut, që ajo e ka realizuar në mënyrë tepër të suksesshme, pa asnjë kontestim. Zonja Tusha nuk ka të drejtë as të marrë një mandat të dytë për anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nuk përbën asnjë lloj pengese për KED-në në çdo rast.
Gazetari: Propozimin tuaj për zonjën Tusha, si e shihni?
Presidenti Meta: Propozimi im mendoj ka qenë më i miri i mundshëm për të gjitha arsyet që kanë të bëjnë me kriteret sipas vlerësimit tim, që duhet të ketë një drejtues i KLSH-së në këtë situatë që e forcon pavarësinë e këtij institucioni. Mos harrojmë që ky është institucioni që bën auditimin e institucioneve të tjera publike në vend dhe zonja Tusha e ka kaluar ‘vetting’-un e saj me sukses.
Gazetari: Si do të jetë fati i propozimit të Presidentit?
Presidenti Meta: Kjo nuk është një përgjegjësi e Presidentit. Presidenti ka përgjegjësi për përzgjedhjen. Mendoj që përzgjedhja është shumë e mirë, për të gjithë këto elementë që unë i thashë; për shkak të eksperiencës, përvojës, ‘vetting’-ut që kjo zonjë e ka kaluar dhe për shkak se asnjëherë s’ka pasur angazhim të njëanshëm politik, partiak, administrativ, e me radhë.