Nga Mero Baze
Projekti i Bashës, shpronësimet e Bashës, tenderin e merr njeriu i Bashës, hallet qeveria.
Prisja që Lulzim Basha sot të përsëriste skenën e dy muajve më parë, ku shpalli disa “oligarkë” të padëshiruar për PD, duke u vendosur gjoba për të reflektuar. Dhe disa reflektuan. Sot vendosi të shpallte kush janë oligarkët që do të ndërtojnë Unazën e Tiranës, dhe mendova se do ta përsëriste lojën.
Por nuk ndodhi ashtu. Lulzim Basha rreshtoi dy kompanitë që kanë fituar garën, në segmente të tjera të Unazës, dhe nuk lexoi emrin e kompanisë e cila e ka fituar tenderin në negociata me qeverinë, përmes Lulzim Bashës, nën garancitë se PD nuk do mbështeste protesta për prishjen e shtëpive.
Bëhet fjalë për “Viktoria Invest”, aq shumë e identifikuar me Luzim Bashën, se e ka dhe kumbar të vajzës vet, e cila ka dhe emrin e kompanisë në fjalë. Kush është kompania, mund të shfletoni buletinin e prokurimeve publike të shikoni se ajo ka vjelur shumicën e buxhetit të Tiranës kur e drejtonte Basha dhe më tej, kudo ku ka pasur ai para në dorë.
Por mendova se sot, ka rënë dakod me të, t’ia përmendte dhe atij emrin si gjithë të tjerëve, dhe të vazhdonte me hipokrizi, sikur nuk kishte thënë gjë.
Por nuk guxoi ta bëjë as këtë, pasi kompania është aq e identifikuar me Bashën, sa vështirë se do ta mbante seriozitetin dhe spikerja e PD që lexon deklaratat.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Unaza e Tiranës është projekti i Ministrisë së Transporteve të kohës së Lulzim Bashës, vazhduar më pas nga Olldashi. Është një projekt serioz, jetik për të ardhmen e zhvillimit të Tiranës, që nuk mund të shmanget.
Më pas, Lulzim Basha si kryetar i Bashkisë së Tiranës, është hartues i listës së shpronësimeve që prek Unaza. Aty ka ndërtime pa leje dhe ndërtime të modifikuara për banim, të cilat duhet të prishen me çdo çmim.
Është tjetër gjë si e zgjidh qeveria çështjen e kompensimit për ta, por vendimi i prishjes nuk mund të vihet në dyshim.
Pika e tretë ka qenë më e nxehta. Ishte fjala për tenderin.
Siç dihet, rilindasit nuk janë elastikë për pazare. Pazari u bë që lotin më problematik t’ia jepnin kompanisë së lidhur me Lulzim Bashën, pra “Viktoria Invest”. Nën garancitë e saj, se kishte folur me Bashën dhe nuk do kishte reagim, qeveria i ka dhënë me vetëdije thuajse pa garë, tenderin.
Tani që procesi mbaroi, tani që Basha ka bërë dhe projektin dhe listen, ka marrë dhe tenderin, del e lexon një listë oligarkësh që do ndërtojnë Unazën (në fakt e ndërton qeveria) dhe fsheh oligarkun që ka futur si gjobë në këtë proces. Është aq e pacipë historia, sa Basha ulet, takon dhe protestesit, u bën thirrje të rezistojnë që Unaza të mos ndërtohet. Me sa duket do ketë pasur ndonjë keqkuptim me Gjiknurin, pasi do t’i ketë kërkuar të treja lotet, dhe ai i ka dhënë vetëm 1.
Kjo është një histori e turpshme që duhet të marrë fund, dhe për të cilën janë përgjegjës vetë drejtuesit e qeverisë, të cilët mendojnë se problemet sociale të prodhuara nga ndërtimi i infrastrukturës, mund të zgjidhen duke bërë pazare me Bashën dhe duke i dhënë atij pjesën e gjobës që kërkon.
Dhe nuk e kuptoj pse Basha i çon njerëzit tek Bashkia e Erion Veliajt, pasi Bashkia është e vetmja që nuk ka lidhje fare me këtë histori. Aq sa detyra ka Bashkia në këtë shpronësim, i ka bërë Basha më 2013. Tenderi është i ARRSH dhe qeverisë, por Basha nuk i çon dot aty, se i del pazari, dhe i çon në Bashki.
Banorët e Unazës së Madhe nuk kanë hall a ka marrë ndonjë lekë Basha apo jo, nga tenderat e Unazës. Ata duan lekët e tyre.
Ata më të kënaqur janë sikur të marrin aq lekë sa ka marrë Basha nga prishja e pallatit, por nuk kanë punë sa lekë ka marrë Basha nga tenderi i Unazës. E vetmja gjë që vlen nga kjo histori për banorët, është që ata të mos shkojnë pas një njeriu që përdori flakën e protestës së Kalimashit, për të marrë pjesën kunati i vet.
Dhe qeveria të mos shkojë me shpresë se duke paguar gjobaxhinjtë e opozitës, mund të zgjidhë problemin pa u përballur me të. Problemi është si të paguajmë qytetarët e dëmtuar, jo si të paguajmë Lulzim Bashën, për të mos protestuar. Se Basha proteston për të vënë gjoba, qytetarët protestojnë për mbijetesë.
TemA