Nga Ardit Rada / JavaNews
Një vend i vogël, por me kriza të shpeshta, Shqipëria duket se nuk ia del dot t’i shuajë përplasjet politike pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Një nga dhjetëra rastet, që vlen të përmendt për shkak të rëndësisë, ishte kriza e një viti më parë.
U dësh ardhja e një sërë zyrtarësh nga Brukseli për të nxjerrë Partinë Demokratike nga çadra, derisa ‘zgjidhja’ u gjet më 17 Maj.
Këtë radhë, kriza e prodhuar nga Presidenca ka sjellë një risi. Pavarësisht negociatave që kreu i shtetit ka pasur me kryeministrin apo kryeparlamentarin, ai nuk është bindur për të dekretuar Ministrin e Punëve të Brendshme. Madje as ambasadori Luigi Soreca nuk arriti të nxirrte tymin e bardhë nga oxhaku i Presidencës.
Emri i Sandër Lleshajt ka shkuar sërish sot në tryezën e Ilir Metës ndërsa ngërçi i detyroi SHBA-të dhe BE-në të apelojnë për një ministri plotësisht funksionale. Thirrja e përbashkët nga perëndimi përkthehet si një kërkesë që MPB të drejtohet nga një ministër dhe këtë e ka në dorë Meta.
Ky rast është po aq i paprecedentë sa edhe takimi i sotëm mes Knut Fleckenstein dhe Presidentit të Shqipërisë. Nëse më parë të huaj na kanë ardhur në ndihmë për të zgjidhur kriza politike, tashmë kemi të bëjmë me një përpjekje që të bindet Presidenti për zbatimin e Kushtetutës. Pra, ndërkombëtarët ndërhyjnë për të bindur kreun e shtetit që të zbatojë ligjin themelor të shtetit të tij.
Nëse historia e mosdekretimit ka një ‘background’ inatesh dhe kokëfortësie, atëherë me gjasë pritet një ‘valë’ ndërkombëtarësh në Presidencë, si një vit më parë në çadrën e PD-së.