Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, komenton situatën e krijuar gjatë funeralit të minoritarit grek Konstandinos Kacifas në Bularat, ku pati thirrje antishqiptare dhe më tej u bllokua aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë.
Ai thotë se nga pikëpamja e detyrave shtetërore janë kryer një më një.
Ministri deklaroi se shpreson që prokuroria, policia, organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm dhe të krijohen mundësi që ata të shprehen me profesionalizëm për çka ka ndodhur në Bularat, për rrethanat e humbjes së jetës.
“Një gjë e dimë të gjithë që po vure dorën mbi polici, kudo qofsh nga demokracitë më të zhvilluara, vendet më problematike, dihet se cili duhet të jetë reagimi dhe përgjigja e forcave të rendit. Së dyti, nëse i referohemi ngjarjes së djeshme ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shpresoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne”, u shpreh Bushati.
Deklarata e tij u bë gjatë një takimi llogaridhënës në Gjegjan të Pukës.
Gjatë kësaj të enjteje, në Bularat për të përcjellë për në banesën e fundit Kacifas, mbërritën me qindra shtetas grekë, të cilët nuk kursyen fjalët fyese dhe thirrjet antishqiptare.
/b.d