Të rinjtë e kryeqytetit, studentët, por edhe çdo i apasionuar pas librit, ka një strehë të re për t’iu përkushtuar leximit, studimit apo aktiviteteve të ndryshme kulturore. Bashkia e Tiranës ka rindërtuar bibliotekën e Njësisë Administrative 8, duke e kthyer atë në një mjedis modern dhe të përshtatshëm për çdo lexues. I pranishëm në përurimin e Bibliotekës Nr. 5, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi angazhimin e bashkisë për t’iu ofruar miqve të librit hapësira sa më dinjitoze, si një mënyrë për t’i dhënë kulturës dhe leximit një vëmendje më të madhe, por edhe për të tërhequr të rinjtë.
“Ka qenë prej kohësh një nga ambiciet tona që të kishim një strehë të tillë për librin në Njësinë 8. Në fakt, kur hyn dhe shikon fotot se si kanë dalë bibliotekat e reja, i ngjajnë shumë kafeve luksoze. Ndjej një entuziazëm shumë të madh kur mendoj se kemi ardhur te dita kur shteti, publiku, bashkia, qyteti, ofron të njëjtin luks për librin siç e ofron kapitalisti për atë që shkon pi kafe në një nga 10 mijë kafet e Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku pohoi se gara e vërtetë sot nuk është për infrastrukturë, por për kulturë. Ndaj, theksoi ai, është e domodoshme që Bashkia të krijojë kushte sa më të mira për çdo lexues në kryeqytet. “Fakti që sot dikush që lexon nuk konsiderohet më një specie në zhdukje, i cili duhet të futet në një skutë të errët, me lagështi, por po i rezervojmë librit, në kuptimin e mirë të fjalës, vanitetin që shoqëria jonë sot e kazino-kapitalistit ia rezervon industrive të tjera, them se është një fitore e kulturës mbi antikulturën. Sot më vjen mirë sepse kemi bërë një fitore të vogël, një hapësirë dikur komplet të degraduar e kemi shndërruar në një nga bibliotekat më të bukura e më të mira në zemër të Tiranës”, u shpreh kreu i bashkisë.
Veliaj vlerësoi mbështetjen e të rinjve, donatorëve të ndryshëm, por edhe të përfaqësive diplomatike të huaja, që janë bërë pjesë e kontribuesve për pasurimin e bibliotekave të kryeqytetit me tituj librash. “Gjasat janë që nëse kemi një copë tonën këtu, do të kujdesemi që ajo të mos prishet, të mos vandalizohet, të mos dëmtohet e degradohet. Jam posaçërisht i nderuar si kryetar bashkie, që jo vetëm hapim këtë bibliotekë të re, por që ajo mban një emër të madh. Unë besoj se sot jo vetëm jemi të nderuar që i japim emrin “Hamit Beqaj” kësaj biblioteke, por besoj se më shumë se kurrë mësimet e tij kanë dobi për qytetin e Tiranës”, tha ai.
Kryebashkiaku risolli në vëmendje fushatën për dhurimin e librit, ndërsa u bëri apel të rinjve të bëhen pjesë e saj, si një mënyrë për të pasuruar bibliotekat. “Kemi nisur një fushatë për dhurimin e librit. Siç po bëjmë fushatën e mbjelljes së pemëve, sikur ta merrnim seriozisht edhe këtë të librave, jam i bindur që mund të mbledhim më shumë se 100 mijë libra, për ta rikthyer librin në trend. Ndaj, dua t’ju bëj apel të gjithëve që nëse keni mundësi, librat që tashmë i keni lexuar, që kanë kaluar në duart e familjes, mund t’ia dhuroni bibliotekës”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj vlerësoi edhe njëherë vendimin e rëndësishëm të qeverisë për mbylljen e kazinove duke e konsideruar atë si një nga vendimet më të guximshme. Ai tha se një nga arsyet pse bashkia e ka shtuar ritmin e punës me bibliotekat, terrenet sportive, këndet e lodrave, është pikërisht për t’u dhënë një alternativë tjetër të rinjve të qytetit.
/b.d