Në qoftë se jeni ende të pavendosur se ç’do të gatuani sonte për darkë, Living vjen me një sugjerim të mrekullueshme ku shkrihen një larmi shijesh. Të gatuash roston e derrit nuk është gjithmonë e lehtë, por ta gatuash me kumbulla të thata dhe verë të bardhë do të thotë të bësh figurë të shkëlqyer para familjes dhe miqve.
Përbërësit për 4 persona:
● 1 kg rosto derri, ● 150 g kumbulla të thata pa bërthamë,● 80 g proshutë derri e grirë imët, ● 1 qepë e vogël, ● 1 gjethe dafinë, ● 5 lugë uthull balsamike, ● 1 gotë verë e bardhë, ● 50 g gjalpë, ● 3 lugë vaj ulliri, ● kripë e piper, ● lëng i valuar mishi i përgatitur me dado ose ujë i valuar (në këtë rast do t’i shtojmë .pak kripë)
Përgatitja:
Vëmë kumbullat në një tas me ujë të vakët që të hidratohen, për 15 minuta. Skuqim mishin në tigan me pak gjalpë e vaj ulliri, duke e rrotulluar disa herë, derisa të krijojë kore në sipërfaqe nga të gjitha anët. Shtojmë verën dhe e lëmë këtë të fundit të avullojë me flakë të lartë. Shtojmë më pas lëng të valuar, i vëmë kapakun dhe e lëmë të ziejë në flakë të ulët për 60 minuta afërsisht (varet dhe nga cilësia e mishit).
Sipas nevojës e lagim me lëng të valuar. Grijmë qepën dhe e skuqim në tigan me pak gjalpë, shtojmë proshutën e grirë, gjethen e dafinës dhe së fundi uthullën. Pas 5 minutash shtojmë kumbullat të prera në copa të vogla dhe i lëmë në flakë të ulët edhe për 15 minuta. Heqim gjethen e dafinës dhe grijmë salcën me grirës frutash ose mikser. E hedhim përsëri në tigan pasi ta kemi grirë dhe e vëmë në zjarr, por më parë i shtojmë disa lugë nga lëngu që është krijuar te mishi në tenxhere.
E lëmë për 10 minuta në zjarr që të përzihen aromat me njëra-tjetrën duke pasur kujdes se mos digjet. Kur mishi të jetë zier, e lëmë të pushojë në tenxhere dhe kur të jetë i vakur, e presim në feta të holla dhe e shërbejmë me salcë.