Vangjush Dako ka folur mbrëmjen e së enjtes në lidhje me përgjimet e publikuara nga mediat.
Kreu i Bashkisë Durrës u distancua nga akuzat, ndërsa tha se është detyrë e tij për të komunikuar me çdo zgjedhës.
Ai refuzoi akuzën se ka favorizuar persona të veçantë për të marrë tenderë në Bashkinë e Durrësit.
“Metodat e mia të kontaktit me njerëzit nuk është me Facebook. Unë shkoj derë më derë. Unë nuk shikoj as certifikatën e gjendjes civile apo penale kur flas me qytetarët. Jam i zgjedhur dhe pushteti im buron nga vota e qytetarëve. Jam njeriu qe i hap telefonin cdo qytetari te Durresit qe kur e kam marre ate numer” – tha Vangjush Dako në ‘Opinion’.
Mbrëmjen e sotme mediat publikuan pjesë bisedash telefonike ku Dako komunikon me një person me pseudonimin Niçja, që mendohet se është pjesë e grupit të Avdylajve.
“Niçja është një qytetar i Durrësit me të cilin kam folur dhe që është kapur me grupin e Avdylajt. Në çdo fushatë, pas takimeve elektorale telefonojmë njerëzit dhe i falenderojmë. Astriti që përmendet është vëllai i Niçës” – tha Dako.
Ndërkohë, duke debatuar me panelistët, kryebashkiaku i Durrësit tha se është i acaruar me akuzat për shkak se ka një reputacion.
“Mua më njeh e gjithë Shqipëria, i kam duart akullore të pastra. Nuk kam prekur kurrë drogë apo armë me dorë. Jo si Lulzim Basha që i ka të zeza, apo me gjak se ka vrarë njerëz” – tha Dako.
/JavaNews/b.d