Një operacion i policisë i koduar “Four” ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër të dyshuar për një sërë vjedhjesh në Vlorë.
K.K., 18 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua gjatë mbrëmjes së djeshme, në Vlorë.
Krahas tij u shpall në kërkim 22-vjeçari Xh.Q., si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I.T., banues në Vlorë.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme në lagjen “Bashkimi” dyshohet se kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetasit Xh.Q.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se tre të rinjtë dyshohet të jenë autorë të disa vjedhjeve të tjera të kryera në qytetin e Vlorës, për të cilat policia ka bërë zbardhjen dhe dokumentimin e këtyre rasteve:
-Më 3 tetor, në vendin e quajtur “Omonia” dyshohet se kanë vjedhur motorin tip “Sprinter” në pronësi të shtetasit D.N.
-Më datë 3 tetor, dyshohet se janë autorë të vjedhjes së një banese në lagjen “Bashkimi” në pronësi të shtetasit Gj.Q.
-Më 3 tetor, dyshohet se kanë vjedhur një motor tip “Honda” në lagjen “1 Maji” në pronësi të shtetasit A.A.
– Më 3 tetor, në lagjen “24 Maji” dyshohet se janë autorë të vjedhjes së 2 motorave “Suzuki” dhe “Sprinter”.
– Më 1 tetor, dyshohet se kanë vjedhur lokalin në pronësi të shtetasit A.M., në lagjen “Bashkimi”, ku kanë marrë 20.000 lekë të rinj.
– Më 1 tetor, dyshohet se janë autorë të vjedhjes së një dyqani me materiale ndërtimi në pronësi të shtetasit A.A., ku kanë marrë disa vegla pune të reja.
-Më 1 tetor, dyshohet se janë autorë të vjedhjes së një picerie në lagjen “29 Nëntori” (para).
-Më 20 shtator, në lagjen “Bashkimi” dyshohet se kanë vjedhur banesën e shtetasit Y.Q., (orendi shtëpiake).
-Më 12 gusht, në lagjen “Bashkimi” dyshohet se kanë tentuar të vjedhin banesën në pronësi të shtetasit V.D.
Nga kontrollet e ushtruara nëpër banesat e këtyre personave, konkretisht në lagjet “Partizani” “1 Maji” “Bashkimi”, shërbimet e policisë kanë sekuestruar një sërë materialesh të vjedhura.
Më konkretisht u gjet dhe sekuestrua një makinë tip “Benz ML” ngjyrë gri, katër motora, Spinter, Suzuki dhe dy Honda; Targa të ndryshme automjetesh; Bizhuteri me vlerë si varëse, unaza, byzylykë, vëthë, Vegla pune për ndërtim troko, trapan; Vegla pune për kryerjen e vjedhjeve trança për prerjen e hekurave, kaçavida, pinca, çelësa; Veshje për maskim xhupa, maska, doreza; Litarë për tu ngjitur dhe zbritur për vjedhjen e banesave dhe çanta për mbajtjen e sendeve të vjedhura etj.
Ndak të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që për ndjekje të mëtejshme materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
/b.d