Kujdesuni që të zgjidhni një gjoks pule të freskët, mundësisht të shkëputur nga një pulë vendi që e blini të kontrolluar…Më pas, me mbushjen që po ju propozojmë, do të plotësoni një vakt veror të shëndetshëm e të shijshëm!
Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj
Koha e përgatitjes – 15 minuta
Koha e pjekjes – 30/35 minuta
Përbërësit për 2 persona:
1 gjoks pule
4-5 lugë vaj ulliri
kripë, piper e rigon, sipas shijes personale
1 kungull
domate
copa speci të kuq ose të verdhë
1/2 qepë e madhe, e kuqe, ose një e vogël
100 g djathë pice
Përgatitja:
Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 200° C.
1. Domatet i presim fillimisht në mes dhe më pas në feta të holla; po njësoj bëjmë edhe me specat – pasi t’u heqim bishtat dhe farat, i presim në mes për së gjati dhe më pas në feta të holla – si dhe me kungullin, të cilin e presim në mes për së gjati dhe më pas në feta të holla. Perimet e prera i hedhim në një tas, i spërkasim me pak kripë, piper, rigon e vaj ulliri. I përziejmë mirë dhe i lëmë mënjanë.
2. Gjoksit të pulës i bëjmë prerje me thikë, por pa e prerë në feta, e vendosim në tavën e lyer me fare pak vaj dhe e spërkasim me kripë e piper. Në çdo prerje vendosim një fetë qepë, domate, kungull e spec. Vazhdojmë derisa t’i mbushim të gjitha prerjet.
U grijmë sipër djathin e picës, i spërkasim me pak vaj ulliri dhe i vëmë të piqen për rreth 30 minuta ose më shumë nëse është nevoja.
E shoqërojmë me sallatë jeshile.
/b.d