Ndërsa afrohen zgjedhjet e Kongresit, republikanët po i ndjekin me vëmendje shifrat e anketave për Presidentin Donald Trump, që aktualisht është rreth 42 për qind.
Mbështetja historikisht e ulët për zotin Trump, ra në nën 40 për qind në disa sondazhe të fundit, ndoshta një reflektim ndaj kaosit të vazhdueshëm brenda administratës në disa fronte. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni.
Pas një lutjeje në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump drejtoi një takim të kabinetit ku ekonomia ishte tema kryesore.
“Ekonomia jonë është në gjendjen më të mirë që ka qenë ndonjëherë. Kur ne morëm pushtetin, ishte në drejtimin e gabuar dhe tani po ecën më mirë se kurrë”.
Votuesit po ia njohin pjesërisht meritën presidentit për ekonominë, thotë Frank Newport i organizatës “Gallup”.
“E dimë që nivelin më të lartë të mbështetjes, zoti Trump e ka për ecurinë ekonomike. 50 për qind miratojnë mënyrën se si e ka menaxhuar ekonominë në anketën e fundit dhe kjo është një shifër relativisht pozitive”.
Por kohët e fundit ka pasur shumë zhvillime që kanë shpërqendruar vëmendjen, përfshirë vendimin e zotit Trump për t’i hequr çertifikatën e sigurisë ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan dhe përplasjes së tij me ish-këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë, Omarosa Manigault Newman.
Veprimi i Presidentit Trump ndaj zotit Brennan alarmoi shumë demokratë, përfshirë senatorin Mark Warner.
“Mua më duket si praktikë e tipit niksonian që përpiqet t’i mbyllë gojën kujtdo që kritikon presidentit. Kjo na vendos në një territor të panjohur”.
Politikat e debatueshme të imigracionit dhe kritikat e shumta ndaj takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, mund të kenë kontribuar gjithashtu tek mbështetja e ulët për zotin Trump, thotë analisti Larry Sabato.
“Dhe ai nuk është president me mbështetje 50 për qind. Ai nuk ka pasur asnjëherë mbështetje mesatare mbi 50 për qind për asnjë ditë të presidencës së tij”.
Përkrahja e ulët për zotin Trump mund të ketë ndikim tek përpjekjet e republikanëve për të ruajtur shumicën në zgjedhjet e nëntorit, thotë John Hudak.
“Në përgjithësi partia e presidentit humb vende në zgjedhjet në mes të mandatit. Kjo prirje vetëm përforcohet nga një president jo i pëlqyer dhe shkalla e mbështetjes për Presidentin Trump ka qenë e ulët në parametrat historikë dhe vazhdon të jetë e tillë”.
Përkrahësit e zotit Trump besojnë se votuesit do t’i njohin presidentit meritën për ekonominë e fortë në nëntor, përfshirë ish-menaxherin e fushatës së tij, Corey Lewandowski.
“Papunësia në vendin tonë, jo vetëm mes amerikanëve të bardhë të klasës së mesme si unë, por edhe hispanikëve dhe afrikano-amerikanëve, është në nivelet më të ulëta që kur filloi të regjistrohej, në vitin 1973. Presidenti duhet lavdëruar për këtë”.
Zoti Trump vazhdon të jetë popullor tek baza e tij, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të frenuar një valë fitoresh të demokratëve në nëntor. /VoA
ma.me