Medi Bici, kandidat për në Kolegjin e Lartë Gjyqësor, i është nënshtruar vetting-ut me përparësi dhe paraditen e së hënës doli përballë vetting-ut.
Për pasuritë, ILDKPKI ka sjellë raport ku konstaton se deklarimi nuk është i saktë, ka kryer fshehje të pasurisë dhe ka kryer deklarim të rremë. Komisioni kreu hetimin e tij të pavarur, prandaj deklarata e Bicit iu nënshtrua një hetimi të thelluar ku u konsistua se ka pasuri vilë 4-katëshe vendosur në truall 430 m2, ndërtuar gjatë 1993-1996, toka e blerë në 1986. Objekti është legalizuar. Vlera e ndërtimit është 6 milionë lekë. Ka autoveturë Craisler 10 mijë euro. Burimi, nga shitja e një automjeti ekzistues dhe të ardhura.
Gjyqtari ka deklaruar se vëllai emigrant e ka ndihmuar për shkollimin e fëmijëve në vlerën e 10 mijë eurove në total. Gjyqtari ka paraqitur një deklaratë ku vëllai thotë se e ka ndihmuar për shkaqe vështirësie financiare. Subjekti ka paraqitur prova për këtë gjë. KPK-ja thotë se nuk rezulton që gjyqtari Medi Bici të ketë pasuri të fshehura në emër të tij apo të personave të lidhur me të.
DSIK ka dërguar raport për figurën e Medi Bicit, në të cilin konstatohet përshtatshmëri. Nga hetimi i KPK-së nuk ka dyshime se zoti Medi Bici ka lidhje me persona të dyshimtë, nuk ka denoncime për të dhe nuk ka dyshime korrupsioni.
Medi Bici tha: “Po ju paraqes disa prova të reja për të sqaruar e për të provuar se kur kam blerë tokën isha banor në Shkozë sepse para vitit 1990 nuk mund të blije tokë pa qenë banor i zonës. ILDKPKI përpara se të dilte në përfundime të tilla duhet të shikonte dokumentat e të më thërriste. Ndërtimi i shtëpisë zgjati 3 vjet, që kur e kam ndërtuar pak nga pak dhe që nga 1996 nuk kam vënë më dorë mbi të. Në shpjegimet e mia ju kam radhitur provat. Kam vetëm një shtëpi dhe asgjë tjetër. E kam ndërtuar shtëpinë në një nga zonat e varfra të Tiranës, e kam nisur këtë pasuri që në vitin 1986. Në pasaportat diplomatike të miat dhe të familjes nuk do të gjeni asnjë vulë. Kam udhëtuar vetëm në Maqedoni. Të tre fëmijët i kam shkolluar në Shqipëri, nuk kisha asnjë mundësi t’i shkolloja jashtë vendit. Jam emëruar gjyqtar në vitin 1994 dhe në vitin 1997 jam shpallur gjyqtari i vitit. E dini pse? Sepse kam punuar me ndershmëri e përkushtim”.
“Të dhënat tregojnë se për tre vite rresht kam patur rezultatet më të mira në vend si gjyqtar. Ju e dini që në vitin 1997 të gjitha çështjet e vështira të vendit u transferuan në Gjykatën e Tiranës. Megjithëse i fillova studimet me vonesë, unë mbaj medalje ari dhe jam doktor shkencash. Në Gjykatën e Lartë kam ardhur pas një karriere në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Unë jam gjyqtari që kam gjykuar vrasjen e studentes së Ekonomikut dhe të nënës ku një punonjës i SHIK-ut u dënua me burg të përjetshëm, unë jam gjyqtari që gjykova vrasjen e kambistit. Nuk më është refuzuar hyrja në asnjë vend. Kërkoj konfirmimin në detyrë”, shtoi Bici.
Komisionerja Etleda Çiftja pyeti: “Cila është arsyeja që sipas jush është dalë në këtë rezultat?”
“Duhet të jetë gabim, nuk u kanë kushtuar rëndësi provave dhe dokumentave”, theksoi Bici.
Vendimi për gjyqtarin e lartë Medi Bici do të shpallet në datën 31 korrik, ora 14:45./a.m.