Nga Armando Meta/
Kuvendi kishte sot si rend dite miratimin e dy projektligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar prej 84 votash: ai për magjistratët dhe disa ndryshime në Kodin Rrugor. Dy p/ligje me karakter thellësisht administrativ, por që natyrisht kërkojnë votim të cilësuar. Por ky moment duket se është shfrytëzuar nga opozita, si për të profilizuar edhe një herë pendesën e saj për votimin e Reformës në Drejtësi 2 vite më parë, ashtu edhe për të artikuluar 7 kërkesa kushtëzuese, të cilat, në thelb, disa pika të këtyre kërkesave kërkojnë çmontimin e Reformës në Drejtësi. Nga ana tjetër me këto kërkesa synohet edhe ‘pazar’, në mënyrë që procesi të jetë i kontrolluar sa më politikisht midis pozitës dhe opozitës.
Në krye të listës së kushteve të opozitës është zhbërja e të gjitha ligjeve që janë miratuar pa PD- LSI për Reformën në Drejtësi; largimin e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme; zgjedhjen me urgjencë të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet skemave politike të dakordësisë; ngritjen e një komisioni koordinimi të balancuar politikisht pozitë- opozitë për zbatimin e Reformës në Drejtësi, etj. Pra, për një ndryshim në Kodin Rrugor e në Shkollën e Magjistraturës opozita kërkon përmbysjen e thuajse të gjithë skemës funksionale të Reformës në Drejtësi, si dhe futjen politikisht të duarve në procesin e vettingut, si dhe një spastrim të organit qëndror të akuzës.
Opozita ka shkuar shumë larg me 7 kushtet e saj në kuadër të konsensusit për Shkollën e Magjistraturës dhe Kodit Rrugor. Reforma në Drejtësi është tashmë një proces i pandalshëm. Vettingu çdo ditë po zbardh llumin në të cilin ishte zhytur sistemi i drejtësisë duke filluar që nga maja e piramidës me Gjykatën Kushtetuese e atë të Lartë. Të vërteta rrënqethëse po zbulohen çdo ditë dhe opozita si arkitekte e këtij sistemi po bën të pamundur të shpëtojë të gjithë shërbëtorët e saj në sistemin e drejtësisë.
Të kërkosh pazare politike për ligje me karakter administrativ që kërkojnë shumicë të cilësuar tregon se sa poshtë të ka rënë pazari. Reforma në Drejtësi dhe vettingu janë procese të pakthyeshme tashmë. As Rama vetë s’mund të bëjë më gjë në këtë drejtim edhe sikur të dojë. E vetmja çështje është nëse opozita dëshiron të jetë pjesë e kësaj reforme apo do vijojë me sebepe për të kundërshtuar Reformën në Drejtësi, qoftë duke u kapur pas Teatrit apo Kodit Rrugor.
Reforma në Drejtësi dhe vettingu në veçanti kanë një anë të mirë, faktin që nuk janë vetëm në dorën e shqiptarëve, por edhe të të huajve. Përpjekjet e opozitës për ta kthyer Reformën në Drejtësi në një pazar tipik shqiptar thuajse nuk kanë asnjë shans që të konkretizohen. 7 kushtet e saj janë thjeshtë trakti i rradhës kundër Refomës në Drejtësi, pavarësisht ambalazhit për një “drejtësi të pa kapur politikisht’. 7 pikat janë dëshmia më e qartë e një përpjekje për ta kapur drejtësinë politikisht.