Nga Ben Andoni
Shqipëria nuk i shpëton dot kompleksit të racizmit. Duke e provuar për vite me radhë në kurrizin e saj, shqiptuar nga lloj-lloj konjukturash, popujsh, politikash, përcaktimi i është bërë gati si pjesë e identitetit në shekullin XXI. Nuk duhet shumë për ta kuptuar, kur shikon steorotipet e kinematografisë së huaj, që individin shqiptar e identifikon më së shumti me varfanjakun, ta paditurin dhe shpesh kriminelin. Por, ndërsa mund “t’i falet” disi popujve perëndimorë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fqinjët me të cilët kemi ndarë shekuj histori dhe jemi përballur me të njëjtat stuhi historike. Akoma më e pafalshme me mik-armiken e përjetshme Italinë, që stereotipin shqiptar, paçka shumë rasteve pozitive, shpesh e identifikon me lloj-lloj racizma të neveritshme.
Për fat të keq, vetë Evropa nuk e ka kaluar dot racizmin, atë që amerikanët për shkak të historisë së tyre, e kanë zhvilluar krejt ndryshe. Jo më kot dhe debatet që ata bëjnë për emigrantët janë të një natyre krejt tjetër. Shumë të ashpra në kohën e presidentit Trump, por gjithsesi, emigrantët e huaj konsiderohen në masë si komunitet që po i ndërfutet të mirave materiale të qytetarit amerikan.
Larg këtyre, evropianët e sodit kanë shkarë drejt ksenofobisë, pasi racizmi i kthen instinktivisht në kohën e Holokaustit, kohë kur Gjermanët dhe shumë satelitë të saj bënë masakrën e tmerrshme ndaj popujve të tjerë të pushtuar. Gjithsesi, duhet të ndalemi pak këtu: ksenofobia është e konservuar në Evropën Lindore edhe për një fakt të madh sepse vendet e kësaj pjese të kontinentit kanë qenë të ndara prej Perdes së Hekurt të Luftës së Ftohtë.
Vendet e Evropës Lindore, sidomos në shekullin e shkuar, nuk ishin cak për emigrantët sepse politikisht ishin të mbyllura, kurse vendet e Perëndimit përgjatë të gjithë këtij shekulli u bënë një hapësirë e madhe, ku mund të qëndronin emigrantë nga lloj-lloj vendesh të kontinenteve të ndryshme e me çfarëdo lloj ngjyrash e identitetesh.
Shqipëria është e mbetet pjesë e Lindjes, paçka se identiteti dhe vokacioni ynë i dëshiruar shkon kah Perëndimit. Kompleksi i madh i racizmit, shtuar sidomos pas viteve ’90, ka lënë gjurmë të thella dhe është pjesë e nënvetëdijes sonë. Kuptohet se një pjesë e madhe mundohet ta fashisë falë kulturës, etikës dhe një lloj empatie. Koha dhe praktika e zakonshme tregon se në masë shqiptarët janë jo thjesht ksenofobë por racistë mirëfilli. E kupton këtë në përballje të ndryshme, e deri në sintaksën që përdorin deri personalitete me pushtet. Të mendosh, nga ana tjetër, se çfarë është bërë me emigrantët e gjorë që tentonin nga Vlora të shkonin drejt Perëndimit apo me njerëzit me ngjyrë që punojnë në vend apo më thjesht me minoritetet si Romët dhe Egjiptianët në Shqipëri, ti bindesh për këtë argument.
Por, më e hidhur dhe pjesë e këtij argumenti është ajo që po bëhet në ditët e sotme me debatet që lidhen me ardhjen e refugjatëve nga vendet e nxehta të luftës. Të gjithë i përvishen qeverisë, ndërsa z.Rama është detyruar t’u kthehet tashmë evropianëve se Shqipëria nuk mund të korrigjojë gabimet e të tjerëve.
Në fakt, Shqipëria nuk mund të korrigjojë por është pjesë e këtyre politikave, që po e tërheqin për inerci drejt një pjesë civilizimi që e kemi ëndërruar dhe që kostot i ka jo veç historike por dhe shumë ekonomiko-sociale. Mu këto nuk përballojnë dot shqiptarët, sepse ardhja e refugjatëve duket na sjell ndërmend kohët që zhgaraviteshim vetë për pak mundësi më shumë tej jetës së mjerë që kishim bërë. Ndaj, refugjatët e gjorë që vijnë dhe që duan të largohen nga një vend “post-luftë” si yni, duhet të mirëpriten. Është jo thjesht humane por haraç i asaj që duhet të paguajmë për vërshimin tonë në Evropë e kudo. Mbase vetëm kjo do na shpëtojë nga kompleksi i frikshëm i racizmit tonë. (Javanews)