Nga Mustafa Nano
Fjalori i njerëzve të opozitës ka qenë i dominuar këto ditë nga shprehje të tipit “Rama duhet rrëzuar”, “ai e ka mbushur kupën”, “ky është një rast i mirë për ta rrëzuar” etj. etj. Ka patur një lloj eksitimi prej dhunës së ushtruar në hyrje të tunelit të Kalimashit, dhe për pasojë, të gjitha qëndrimet e shprehura pas protestës janë ngritur mbi logjikën se “ka vetëm një mënyrë për t’u përballur me Ramën, dhe kjo mënyrë është dhuna”.
Ky lloj poetizimi i dhunës duket edhe te fakti që njëzëri po kërkohet që të lirohen protestuesit e ndaluar. Vini re: Nuk po kërkohet të respektohet ligji, por po kërkohet lirimi i të ndaluarve. Kanë harruar këta se disa vjet më parë vriteshin të pafajshëm në bulevard, dhe tani s’e kanë për gjë të kërkojnë lirimin e ca vandalëve. E meqë jemi këtu, duhet thënë se ka qenë i pashpjegueshëm turfullimi në kor ndaj termit “vandal”. A thua se është term përbuzës. Në fakt, nuk është hiç përbuzës. Është kualifikues. Me këtë kualifikohet një veprim i caktuar.
Ja përkufizimi sipas fjalorit të Oxfordit i fjalës “vandal”: Një person që qëllimisht e me ndërgjegje (deliberately) shkatërron apo dëmton pronën që i përket një tjetri. Apo e doni sipas Cambridge-it? Ok, ja: Vandal është ai person që qëllimisht dëmton pronën që i përket dikujt tjetër. Ka qenë kryeministri Rama që e ka përdorur i pari këtë term, dhe unë kam përshtypjen se Rama në asnjë rast tjetër nuk ka përdorur kaq saktësisht, e me vend, një fjalë të caktuar. Nuk është ky problemi i Ramës.
Ka ca kohë që unë, krahas vetësigurisë e arrogancës së Ramës në qeverisje, po vë re një si trullosje të opozitës si bashkësi. Sa më shumë që Rama bën ç’të dojë (fjala vjen, me teatrin, me taksën e rrugës së kombit etj.), aq më shumë opozita trulloset. Dhe me opozitë po kuptoj ata që kanë përsipër të përfaqësojnë edhe mendimin politik opozitar në Shqipëri, edhe energjitë opozitare në përgjithësi, por edhe të tjerë që, për arsyet e tyre, herë-herë edhe të kuptueshme e të mbështetshme, nuk e duan këtë mazhorancë. Të gjithë këta duan që Rama të mos jetë kryeministër, mirëpo në të njëjtën kohë të gjithë e kuptojnë se për ta larguar Ramën nga zyra, duhet një opozitë e zonja, e duhet të pritet të vijë dita e zgjedhjeve. Dhe këtu gjërat komplikohen disi. Opozita është në ditën e vet më të zezë. E sikur të mos mjaftojë kjo, dita e zgjedhjeve është tmerrësisht larg. Dhe është pikërisht kjo rrethanë që i ka trullosur. Duan që diçka të ndodhë, në një kohë që dinë se kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Nuk është dramë e vogël, apo jo? E kështu, kanë ca kohë që flasin veç për rrëzimin e Ramës. Nuk diskutojnë më si ta mundin Ramën. Diskutojnë si të sabotojnë e bllokojnë jetën nacionale, në mënyrë që Ramës t’ia bëjnë të pamundur qeverisjen e, me gjasë, ta detyrojnë Ramën të ikë nga zyra. Dhe as që u shkon mendja (janë të trullosur pra) se diskutimi duhet bërë për ta mundur atë. Nuk ka diskutim tjetër. Çdo diskutim tjetër është muhabet banditësh. Çdo muhabet tjetër është vandalizëm.
Këta njerëz duhet të kuptojnë se duhet të bëjnë atë që të lejon sistemi të bësh, e që i jep kuptim vetë sistemit. Në terma konkretë, duhet të presin ditën e zgjedhjeve. Mund të ndodhë ndonjë gjë e madhe dhe e papritur deri atëherë, fjala vjen ndonjë protestë masive me qindra-mijëra vetë në rrugët e Tiranës (vini re: Tiranës, e jo Kukësit), të cilët mund ta shtrëngojnë Ramën ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por praktikisht kjo nuk është e mundur. Nuk ka asnjë gjasë që shqiptarët ta bëjnë këtë gjë. Për arsye të njohura.
E ndërsa janë duke pritur ditën e zgjedhjeve (një palë zgjedhje janë fare të afërta, pas një viti), duhet të përgatiten me synimin që ta mundin kundërshtarin. E për të administruar pushtetin, nëse do ta marrin. Nëse Rama ndërkohë merr vendime që atyre u duken të gabuara, këto vendime kundërshtohen në parlament e në çdo strukturë e institucion tjetër të mundshëm shtetëror. Mund të kundërshtohen edhe me protesta, sigurisht, si kjo që ndodhi në Kalimash (jo të dhunshme, amá). E nëse Rama nuk do t’ia dijë, nëse ai vazhdon me të vetën, opozita ka në dorë veç të bindë sa më shumë njerëz se ai vendim është i gabuar, dhe të shpresojë që kjo punë e saj, tok me efektet e vendimit të Ramës, të konvertohet në vota për ta në zgjedhjet e radhës.
“Po prit, mor prit, se e dimë që është kështu, por puna është se Rama i ka blerë të gjithë, dhe se ai i fiton zgjedhjet me mënyra jo fort të ndershme”, mund të më thonë. Kjo është një dëshmi tjetër e trullosjes. Nuk ka opozitë të fortë, së cilës mund t’i vidhet fitorja në zgjedhje. Hiqeni nga mendja këtë gjë. Vetëm ngordhalaqët mendojnë kështu. E kanë si një excuse për humbjen që i pret. Edhe në kohën që Rama ka qenë në opozitë, ekzistonte mendimi se me psikopatin delinkuent në krye të qeverisë nuk mund të fitohen zgjedhjet. Mirëpo, doli që nuk ishte e vërtetë. Psikopatit delinkuent iu fut koka në hale në një mënyrë të paimagjinueshme. Ja, kjo gjë mund të ndodhë prapë, këtë herë me Ramën. Nëse do duan shqiptarët. Dhe vetëm kjo duhet të ndodhë. Sepse nuk ka se ç’të ndodhë tjetër.
Opozita, normalisht, do duhej të ishte duke debatuar në këto kohë lidhur me ndryshimet ligjore e joligjore që synojnë krijimin e barazisë në garë. Kjo do ishte punë me mend. E vetmja punë me mend. Mendohet se kanë rol “oligarkët” në zgjedhje? Le të bëhet një ndërhyrje në ligjet e vendit që të minimizojë apo përjashtojë për fare rolin e këtyre të fundit. Le të bëhet një ligj ku të thuhet se bizneset e mëdha apo ato që kanë patur lidhje me qeverinë (në formë tenderash apo në forma të tjera gjatë pesë apo dhjetë viteve të fundit), nuk duhet të përzihen në financimet elektorale. Të mendohen edhe penalitete të forta për ata që do duan të shkelin një ligj të tillë. Mendohet se mazhoranca ka avantazhin e financimeve? Le të kërkohet një ligj, me anë të të cilit të synohet një fushatë fare e lehtë në terma financiarë, pa spote televizive, pa postera në mjedisin publik etj. Të kërkojnë pra një fushatë ku nevoja e lekëve të jetë sa më e vogël. Dyshojnë se mazhoranca, megjithatë, do të blejë vota në terren? Le të bëjnë një ligj që i dënon me burg, me burg pa një pa dy, të gjithë ata që kapen duke blerë vota. Kanë frikë se mazhoranca do t’u blejë komisionerët në qendrat e votimit? Le të fillojnë qysh tani me ndërtimin e sistemit elektronik. Por tani, jo dy muaj para zgjedhjeve. Janë me idenë se mazhoranca mund t’u thotë “jo” propozimeve për ndryshime të tilla? Le ta provojnë t’i bëjnë! Dhe do shohin se do kenë mbështetjen e të gjithëve. Kur vjen puna te pretendimet që synojnë barazi në garën elektorale, kanë për të patur mbështetjen e të gjithëve.
Mirëpo, e keni vënë re ju që opozita vetëm kësaj ane nuk ecën. Veç për gjëra të tilla nuk flet. Është duke pritur që të vijë momenti i fushatës elektorale, dhe atëherë, in extremis, do të kujtohet të ngrejë pretendime, në mënyrë që te përgjigjja “tani nuk ka kohë; tani është shumë vonë”, të gjejë alibinë për të kontestuar humbjen. Sepse nëse merren qysh tani me krijimin e kushteve për një garë të barabartë elektorale, kanë frikë se u plotësohen. Dhe kështu, atyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të pranojnë kokulur rezultatin e zgjedhjeve. I cili mund të jetë edhe humbja. Mirëpo, kush humbet pa kontestuar, duhet të ikë, e t’u hapë rrugën të tjerëve. Dhe është pikërisht kjo që nuk duan udhëheqësit tanë politikë, në rastin konkret Lulzim Basha. Dhe ky, Basha pra, është më gjynahqari ndër udhëheqësit tanë politikë. Sepse ky e ka të sigurt humbjen.
Këtë të fundit e dinë të gjithë. Dhe kjo shkakton nervozizëm në radhët e opozitës. Dhe trullosje. E prandaj mendojnë veç për dhunë. U ka mbirë në gojë dhuna. Por e kanë kot. Më e shumta që mund të bëjnë me dhunë, është të njollosin imazhin e këtij vendi, të na bëjnë gazin e botës e të shtojnë arsyet për të menduar braktisjen e këtij vendi. Nëse mendojnë seriozisht se me dhunë mund të vihet në pushtet, atëherë i bie që nuk janë thjeshtë të trullosur. I bie që janë idiotë.