Që në orët e para të ditës së hënë, protestuesit e mbledhur para Drejtorisë së Policisë së Tiranës u tubuan për të vazhduar protestën e nisur që në mbrëmjen e së dielës.
Ata kërkojnë lirimin e personave të arrestuar në Kukës në bazë të disa urdhër-arresteve të nxjerra nga Prokuroria e këtij qyteti, që i akuzon për përleshjet me policinë dhe shkatërrimin e sporteleve të pagesës në Rrugën e Kombit.
Në orët e mbrëmjes së të hënës, kësaj proteste iu bashkuan edhe disa artistë të Teatrit Kombëtar.
Protestuesit shprehen të vendosur të vijuar me tubimin deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore, që është lirimi i të ndaluarve.
Ndërkohë, këta të fundit pritet që të dalin para Gjykatës së Kukësit për caktimin e masës së sigurisë ditën e mërkurë, ndërsa çështja e tyre po ndiqet me interes edhe nga opozita.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi thanë se do të ndjekin nga afër procesin ndaj tyre dhe njoftuan edhe vendimin për të protestuar duke ftuar qytetarët në mosbindje civile./a.m.