Agron Gjekmarkaj/
Pardje kam bërë një shkrim për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe kullat rreth tij duke e adresuar problemin te pushteti absolut i Kryeministrit për të marrë vendime të tilla kaq tronditëse dhe te dy ndihmësit e tij kryesorë në këtë histori, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe Ministrja Mirela Kumbaro.
Aty kam përmendur edhe Artan Shkrelin e Artan Lamen. Përtej nuancave stilistikore, nuk i kam nominuar për t’i fyer, por për t’i ftuar që të hyjnë në këtë debat me ndjeshmëri kaq të lartë publike ose së paku që ta këshillojnë Ramën që të tërhiqet në të mirë të qytetit dhe trashëgimisë kulturore që ata kanë aq përzemër. Propozimi për të ndërtuar një çetë me kulla të tilla, në zemër të pjesës historike është një barbari. Artan Shkreli është një arkitekt i njohur, i cili ka bërë mjaft punë të dobishme gjatë kohës që ishte Drejtor i Institutit të Monumenteve, vite më parë. Mbase mbetet një nga drejtuesit më profesionistë të atij institucioni.
Shkreli dhe Lame gjatë viteve që qeveriste PD-ja e kanë ngritur me të drejtë zërin për çdo gjë duke filluar me gjethet që qethi Bujar Nishani nga kangjellat e Presidencës, te shatërvani para Parlamentit, për te muri pranë Pallatit të Brigadave, për çdo parvaz e gërvishtje mozaiku dhe kanë bërë gjënë e duhur. Tani nuk po ndodhin gudulisje as gërvishtje, por tentativa për ta vrarë trashëgiminë e këtij qyteti, por edhe kuptimin e tij urban. Kohë më parë u fol për ndërtimin në krah të Korpusit, me emrin pompoz “Hyrje tek Parku i liqenit” sikur të thuash “Hyrje në gjuhësi apo në Folklor”… Shkreli dhe Lame të cilët kanë edhe një shoqatë për mbrojtjen e trashëgimisë nuk u ndjenë publikisht. Erjon Velia pa ia kërkuar njeri pati premtuar zero beton. Tani ai është skllavi i betonit. Gjëma goditi Stadiumin kombëtar… Lame tha diçka nëpër dhëmbë, por nuk u ndje më. Stadiumi u prish dhe një kullë hata lulëzon mbi të riun. Ansambli i Bozios, arkitektit të famshëm e pat. Tani, Teatri Kombëtar pjesë e Ansamblit të ministrave, do të shembet dhe pas tij plot shtatë kulla. Kësaj i thonë të përdhunosh vetë tokën e jo më qytetarët. Por, e lëmë mënjanë qëndrimin e Kumbarës, e cila një herë tha nuk ka projekt, pastaj doli se kisthe projekt, por që do të na e bëjnë privatët se shteti s’ka mundësi. Po çfarë shteti jemi ne që s’paskemi mundësi të bëjmë një teatër pas 106 vitesh pavarësi? A nuk po ndërtohet Bulevardi i Ri? Pse aty të mos bëhet një teatër i ri dhe një bibliotekë e re kombëtare?
Kosova, me gjysmën e buxhetit tonë, 5 vjet pas lufte, ka ndërtuar disa ministri të reja dhe Akademinë e Shencave, një ndërtesë shumë e bukur. A nuk mund të ruhej teatri aktual dhe të bëhej muze i historisë teatrore? Por jo, duhet një pretekst. Kinse mungesa e parave dhe ndihma e privatëve që marrin zemrën e Tiranës dhe me “bujari” na ndërtojnë Teatrin Kombëtar. Nuk po merremi sot me erën e qelbur që mban kjo histori, por me shëmtinë që shkakton për vetë trashëgiminë!! Shkreli dhe Lame heshtin dhe janë njohës të mirë të historisë dhe trashëgimisë. Artan Shkrelin e kam mik dhe duke ia njohur shijen dhe një sens drejtësie, më bën përshtypje heshtja e tij, po kaq edhe heshtja e Lames, mikut të Shkrelit. Falë Zotit, ata jetojnë mirë… kanë profesione të zgjedhura… vërtetë e kanë mik Edi Ramën, por nëse kanë dështuar privatisht ta bindin se kjo është zuzari, le ta thonë publikisht, se përndryshe i bie që ruajtjen e trashëgimisë nuk e paskan patur dhe aq seriozisht sa kohë më parë.
Personalisht jam i bindur se e vërteta të bën të lirë dhe të bën të jetosh më mirë sesa postet që të jep Kryeministri. Në këtë kontekst i kam ftuar të prononcohen zotërinjtë e mësipërm, jo nga mungesa e respektit, por pikërisht nga respekti. Duke folur, ata mbase e ndihmojnë edhe mikun Edi Rama e pse jo, shumë më tepër një kauzë qytetare dhe vetë qytetin nga “monstrat” që po i ngulin në shtat, dhe që janë shumë më problematikë sesa gjethet e këputura në kangjellat e Presidencës. Shpresoj, të kem së paku, në vetminë e tij, mirëkuptimin e mikut Artan Shkreli, nëse kullat dhe Teatri që do të shembet, e kanë lënë në pamundësi fjale publikisht.
Shyqyr qe fole nje here si shqiptar dhe jo si laps politik i mprehur nga Basha.