Nga Dritan Hila
Nuk do të kisha marrë mundimin t’i ktheja përgjigje një nëpunësi të Henri Çilit, i quajtur Besart Kadia, por kur mësova që zotëria në fjalë ishte edhe funksionar i PD-së dhe ishte marrë gjatë me një statust timin në fb, e ndjej për detyrim ndaj lexuesve të mi të djathtë.
Do të ndalem shkurt në çdo argument për faktin se ky zhanër shkrimi është monoton. Gjithë tirada e Kadisë për frymën libertine që mbartka Instituti Pashko, emrat e mëdhenj botërorë që paska qasur në veprimtarinë e tij janë tipike tullumbace që i përdorin ata që nuk duan të thonë asgjë.
Ky vend është shumë i vogël, shumë i prapambetur, shumë klientelist për të qenë objekt i aplikimit të teorive të ekonomistëve të mëdhenj. Ndaj që këtu duket që Instituti i Çilit rreh ujë në havanë. Përmendja e Keynes si komunist, besoj se nuk është injorancë e Besartit por tentativë ti bëjë qejfin Çilit që të kalërojë populizmin që sjell kjo fjalë.
Dikush duhet t’iu thotë se ishte ky mendimtar i ekonomisë që bëri Evropën sociale të pas luftës së dytë botërore që ne ëndërrojmë. Sa për teorite e çunave te Çikagos, këta i ka qejf Çili dhe nëpunësit e tij pasi japin mundësi të plaçkisin pronën publike.
Sa për shembull meqënëse donte të tregonte thellësinë e mendimit të institutit, duhet të kenë parasysh se aplikimi i teorive të tyre në Kilin e Pinoçetit nuk është recetë që mund të zbatohet në vitin 2000 në një vend në mes të Evropës dhe i cili nuk e njeh fare sipërmarrjen e lirë madje nuk ka as traditë pasi ajo që ishte para vendosjes së komunizmit ishte më shumë korporativizëm dhe klientelizëm sesa japitalizëm modern. Por nuk po vazhdoj më shumë të sqaroj njerëz që nuk dallojnë publiken nga publikimi.
Zotëria më përmend si pjesë të qeverisë. Është një mungesë klasike ndershmërie intelektuale.
Nëpunësi i Çilit e di shumë mirë që kam qenë vetëm 15 muaj pjesë e kësaj qeverie në fillimet e saj kur Çili i terrorizuar përpiqej ti gjente anën Ramës i cili në fushatë e tallte për emrin.
Kam qenë kritik i ashpër pas dorëheqjes pikërisht se merrte mend e Çilit në politikat ekonomike dhe pastaj i përfshirë më drejtpërdrejt në ligjin për arsimin që ka prodhuar krizën që përjetojmë dhe me organizmin e administratës që ka bllokuar qeverisjen.
Ka qenë koha kur shefi i Besartit, pavarësisht alergjisë që ngjallte tek shikuesit, argumentonte pse Rama duhet të fitonte edhe një herë, ndërsa unë kam shkuar në çadrën ku ishte ngujuar opozita për të treguar se ky vend nuk mund të bëjë pa opozitën, cilado qoftë ajo.
Dhe e kam bërë si shembull emancipimi, pa asnjë premtim, pa asnjë interes, në ndryshim nga Besarti dhe shokët e tij të cilët varën turinjtë pse Basha nuk i bëri deputetë. Lidhur me praninë e Bashës në sallën e institutit Pashko, kjo ishte një gafë, pasi nëpunësi i PD Kadia nuk duhet t’i këshillonte praninë në një forum ku shefi i PD së pari nuk kupton dhe këtë e ka dëshmuar si kur bën shumëzime publikisht ashtu edhe kur ngatërron sipërmarrës; së dyti programi i PD është thellësisht social dhe nuk ka lidhje me teoritë që përhap instituti i Çilit; sepse është në një fushatë kundër ndërprerjes së ndihmës ekonomike nga qeveria, çka është tipike e majtë; sepse është në vorbullën e akuzave për lidhje me rusët dhe nuk ka as takat dhe as nge ti bëjë suportin Çilit i cili mendon të ndërrojë karrocë; dhe mbi të gjitha sepse prania e Bashës në ambjentet e Çilit nuk është aspak në të mirë të koherencës së tij politike pasi e ka përmendur më shumë se një herë në diskurset e tij të çadrës.
Kadia duhet të ndajë mendjen se kujt shefi duhet ti japë prioritet. Sa për Pashkon që frymëzoka Çilin dhe Besartin, nuk dua të zgjatem pasi unë kam qenë student i ekonomikut kur degjoja kritikat e tij për kapitalizmin.
Ndërsa Besarti i njeh vetëm fotografinë ndërsa Çili nuk e di çfarë lidhje ka sepse nuk i bashkonte profesioni. Dhe së fundi lidhur me bombën, mos u tremb Besart se amerikanët e çmojnë paranë dhe nuk e çojnë dëm ta hedhin tek sallat e UET.
Shqetësim i im është se mendtë e tua dhe të Çilit mund t’i marrë edhe shefi i opozitës dhe nëse ndonjëherë vjen në fuqi, do na marrë në qafë. Ajo do të jetë bombë dhe çfarë bombe.
Besart Kadia: Instituti “PASHKO” nuk fsheh ideologjinë që ka
Instituti “PASHKO” nuk fsheh ideologjinë që ka e mbështetur mbi traditën e ideve libertariane të vendeve anglosaksone të mishëruara në ideologë të tillë, si Hayek, Von Mises dhe Milton Friedman. Këta koha i vërtetoi se parashikuan në kohë idetë e gabuara Kejnsianiste e komuniste që kishin zënë rrënjë në fund të viteve 1940 kudo në botë.
Falë ideve të tyre në forume vjetore si Mont Pelerin Society u krijua një masë e nevojshme mendimtarësh kudo në botë për të bashkëpunuar e për të analizuar se çfarë duhej të ndryshohej në politikat ekonomike të kohës. Shumë më të vegjël në rëndësi, shumë me më pak kapacitet intelektual se këto figura botërore ne mundohemi të sjellim një format të përshtatshëm për realitetin shqiptar për të diskutuar pikërisht për këto fenomene.
Për ne idetë e shtetit të vogël, ideja e konkurrencës së lirë mes të gjitha enteve që shërbejnë si publike dhe private, ideja e respektimit të ligjeve në mënyrë të barabartë, ideja e taksimit proporcional e jo progresiv, ideja e respektimit të kontratave e liria e individit në kushtet e respektimit të ligjeve e të dinjitetit njerëzor janë shumë të rëndësishme për të garantuar mirëqenie ekonomike e ulje të varfërisë në vend. Këto janë idetë tona! Friedman, Hayek e Von Mises janë simbolet tona! Gramoz Pashko i njihte, i kishte lexuar e i donte për të orientuar debatin publik në Shqipërinë e shkatërruar nga komunizmi të vitit 1991.
Ne mendojmë se idetë e tij me kohën do të rezultojnë të sakta. Idetë e lirisë së tregut e të individit janë idetë më përparimtare që kanë në qendër mirëqenien e njeriut e respektin për jetën dhe dinjitetin njerëzor.