Nga Mustafa Nano
Nuk ka asnjë portal e asnjë gazetë që të mos publikojë çaprashitjet e përditshme të Sali Berishës të cilat, në të shumtën e rasteve, bëhen nën siglën e qytetarit dixhital, që është personazhi më i shpifur i Shqipërisë publike në ditët e sotme. Është një lloj Frankeinsteni virtual i gazetarisë, që vetëm Berisha mund ta shpikte. I është dashur qytetari dixhital për ta mbajtur veten në fokusin e vëmendjes mediatike, por mbi të gjitha për të hedhur baltë mbi të gjithë, dhe kështu, për të krijuar idenë se të gjithë në këtë vend janë si Berisha. Por ky i fundit është i kuptueshëm në atë që bën (më duhet të them se kurrë nuk e kam kuptuar Berishën si sot, kur mbështetësit po e braktisin, kur institucionet shtetërore janë deberishizuar, kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme është vënë dikush që nuk kontrollohet prej tij, kur vegla që kish vënë në krye të SHISH-it i iku pa e pyetur, kur sistemi i drejtësisë nuk është më në dorë të tij, për të mos thënë që shumë shpejt mund të marrë frymëzime e motivime anti Berisha, kur PD-ja po i shkërmoqet etj).
Çfarë nuk kuptohet në këtë mes, është media. Gazetarët mund të jenë duke bërë detyrën, teksa raportojnë qëndrime, opinione e konsiderata të Berishës, pasi ky ende përfaqëson, për turpin tonë, diçka të rëndësishme në politikën shqiptare, por publikimi i diarresë së qytetarit dixhital nuk është një gjë që ka lidhje me informacionin. Të gjitha manualet e gazetarisë thonë se një informacion i caktuar bëhet publik, pasi bëhen verifikimet dhe pasi provohet se ai është i saktë. Mirëpo nuk ka se si të jenë të sakta lajmet që japin pronari i një lavazhi, berberi i Babrrusë, një frekuentues motelesh, taksisti i Laprakës, një mësues në Qerret, një gjurmues çiftesh nga liqeni, një demokrat nga Poliçani, një socialist nga Shkopeti, një kurvë e Bllokut, një kambist etj. etj., që të gjithë pa emër. Le ta themi troç: Publikimi i këtyre idiotësive shënon pikën më të ulët, në të cilën ka zbritur ndonjëherë gazetaria shqiptare, përfshirë edhe gazetarinë e bërë në kohën e Enver Hoxhës. Unë po shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje Andi Telës, Robert Rakipllarit, Anila Bashës, Arion Sulës, Mero Bazes, Blendi Fevziut, Artur Zhejit, Dritan Hilës, Armand Shkullakut & Andi Bushatit, Mira Kazhanit, Alfred Lelës, vëllezërve Nazarko, Skënder Minxhozit, Enkel Demit, e dhjetëra të tjerëve që kanë portalet e tyre, që të mos u kushtojnë asnjë çikë vëmendje “bëmave” të qytetarit dixhital. Sepse të raportosh lajme prej qytetarit dixhital është njësoj si të regjistrosh, të zbardhësh e të publikosh, bisedat e ditës në një kafene çfarëdo. Kjo është anti gazetari. Ata që duan t’i shërbejnë Berishës (akoma????), por edhe ata që duan ta tallin atë (akoma?????), le ta bëjnë këtë në forma të tjera më gazetareske.
Kjo thjesht për sa i takon qytetarit dixhital. Por këtu duhet shtruar një çështje tjetër. Një pyetje tjetër, më saktë: A ka kuptim që të merremi pa fund me Sali Berishën? Unë pak më sipër thashë se media nuk mund të mos raportojë për qëndrimet e tij, pasi ai është një politikan i rëndësishëm. Nuk do duhej të ishte as politikan, as i rëndësishëm, por ja që ai është, sepse ka njerëz që e kanë mbështetur dhe e mbështesin (aq sa i kanë mbetur). Dhe media, si rregull, nuk mund të injorojë atë që thotë një personazh i tillë, që përveç të tjerash ka qenë ish-president, ish-kryeministër. Përsëris: si rregull. Por unë mendoj se çdo rregull e ka një përjashtim. Dhe në këtë kuptim, nuk do ishte keq që për këtë njeri të mos flitej më.
Janë bërë ca kohë që unë e shoh të tepërt vëmendjen ndaj tij. Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013, ai nuk ka merituar asnjë vëmendje. Ai ka bërë çmos që të mos na ikë nga vëmendja (“qytetari dixhital”, siç thashë, është shpikur edhe për këtë qëllim), por ne nuk kemi pasur arsye të merreshim me të. E kam bërë këtë diskutim edhe me Andrea Stefanin që, sa ishte gjallë, iu mbajt idesë se “nëse resht së luftuari të keqen, kjo të rishfaqet”. Nuk është se e ka pasur gabim në parim, por ky nuk është rasti i Sali Berishës. Ky i fundit mori fund në vitin 2013. Pas këtij moment, ai nuk ka qenë më një problem për shqiptarët. Nuk është më i rrezikshëm për ne. Dëme mund të bëjë, siç po bën (fjala vjen, duke mbajtur PD-në të lidhur pas fatit të vet), por edhe këtë dëm e bën by default. Është një dëm që vjen si pasojë, jo si qëllim. Qëllimi i tij është tjetër: thjesht të shpëtojë veten, teksa po ndjen që laku po i ngushtohet në fyt. Dhe këtë gjë mund ta arrijë vetëm duke i intimiduar institucionet e reja të drejtësisë, dhe duke u kallur në kokë të gjithëve, e sidomos ndërkombëtarëve, idenë se nuk dalin të fituar po u kruajtën me të. Ne gazetarët, duke u marrë me të, i jemi bërë krah në këtë plan. Dhe nëse plani i ka dështuar (mund të thuhet pa frikë se ai është sot një njeri i diskredituar: vetëm një grusht njerëzish i ka mbetur pas vetes), kjo ka ndodhur jo për shkak të miqve apo armiqve të tij. As për shkak të shoqërisë shqiptare apo elitës intelektuale që, për mua, do ta kenë si një damkë turpi faktin që e kanë lënë këtë njeri të na vijë vërdallë për 30 vjet me radhë, duke na mbajtur peng në shumë drejtime. Nëse plani i ka dështuar pra, kjo ka ndodhur për shkak të tij. Sikur ai të kishte qenë pakëz më i mençur e më i përmbajtur (duke qenë i njëjti rrezikzi), ne do ta kishim ende në zyrat e rëndësishme të shtetit. Sepse shoqëria shqiptare ka qenë e dorëzuar para tij, para kulturës e mendësive që ai përfaqëson, e para turmave të frikshme që i kanë dhënë mbështetje. Ai ka bërë çfarë ka dashur. Dhe ka qenë i vetmi njeri me impunitet në këtë vend. Të gjithë të tjerët mbrohen prej imunitetit, por ai është mbrojtur prej impunitetit. Dhe për ata që nuk janë familjarë me këtë fjalë, por shpjegohem: Impuniteti është pamundësia e institucioneve, e sistemit të drejtësisë, apo e sistemit politiko-shtetëror në përgjithësi, për ta bërë një keqbërës të japë llogari për krimet e kryera e dëmet e shkaktuara. Sali Berisha pra ka pasur impunitet. Mirëpo, duket se këtë impunitet nuk e ka më. Është ai i pari që e kupton këtë gjë. Dhe është ky fakt që ia ka marrë edhe atë pak qetësi e vetëpërmbajtje që ka pasur (E patë në ballafaqimin me Artan Hoxhën? Ishte në hall të madh. Kushedi sa vuajnë mbështetësit e tij kur e shohin në atë gjendje).
Për mua, ky lloj turpërimi që ai po i bën vetes është fundi më i mirë që ai meriton. Personalisht, më shijon kështu, kur e shoh që turfullon i pafuqishëm, e që bën si gore nëpër studio televizive, në Kuvend apo në facebook, kur e shoh mbi të gjitha të frikësuar; të frikësuar jo sepse mund ta rrasin në burg (kjo do të ishte e keqja më e vogël për të), por sepse mund t’i dalin në shesh shumë prapësira. Kanë filluar t’i dalin. E do t’i dalin edhe më shumë nesër. Sepse proporcionalisht me dobësimin e tij do të rritet edhe numri i atyre që nuk e kanë më frikë, e që për rrjedhojë do të hapin gojën për ta denoncuar. Dhe veç për një gjë nuk duhet dyshuar: Zullumet e këtij njeriu nuk kanë të numëruar./Mapo