Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj i ka shtruar disa pyetje ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në lidhje me vetingun në Policinë e Shtetit, që po diskutohet sot në Parlament.
Gjatë fjalës së tij, Alibeaj theksoi se vetingu në polici duhet bërë por është shprehur skeptikë për punën e uniformave blu.
Duke iu referuar deklaratës së Xhafajt se vetingu në polici nuk do të tolerojë as pushtetarët e lidhur me krimin, Alibeaj kujtoi këtu rastin e Saimir Tahirit.
“Dëgjuam ministrin e Brendshëm të na prediktonte që pasi të ndodhte vetingu në polici, krimi nuk do të gjente vend ku të futej, se s’do të kishte imunitet për asnjë politikan, të majtë apo të djathtë të lidhur me krimin.
Çfarë ke bërë për familjet kriminale? Ke kapur ndonjë? Çfarë ke bërë për 4 klanet mafioze? Ku janë? Tre drejtues të lartë të arratisur, policë, ku janë? Nezar Seiti, ku vajti filli? E meqë the për punën e imunitetit që nuk do të bëjë asnjë diskriminim majtas apo djathtas, deputetë të lidhur me krimin, çfarë qëndrimi mbajte ti për Saimir Tahirin? Ky është rasti për të treguar sa i mallëngjyer je për vetingun në polici. U duk madje fare qartë qëndrimi që mbajte. I quajte disa nga opozitarët mirëkuptues, disa të tjerë të ligj se të thamë ca të vërteta. Pyetja e parë është a duhet bërë vetingu në polici? Për këtë nuk ka asnjë lloj diskutimi.
Policia ajo e cila kapërdiset brenda unazës së Tiranës, është kthyer në një agjente tatimore që gjobit drejtuesit e automjeteve. Policia e Shtetit sot është imazhi i një Audi AA 003 GB me pasagjer qeveritar e cila shpërthen çdo postbllok policor.
Vetingu duhet bërë, po kush ta bëjë? Do t’i kapësh ti? Ti që krijove katrahurën e vetingut gjyqësor? Pavarësisht kontributit që ju dhamë në Komisionin e Ligjeve dhe për shkak të nevojës që ka vendi sot, jeni lidhur dhe jeni marrë peng”, u shpreh deputeti demokrati Enkelejd Alibeaj.
a.ç