Nga Artur Ajazi/
Ditët e fundit kreu i PD Lulzim Basha ka tentuar të bëjë opozitë edhe me ndihmën ekonomike, duke e nisur “turin” nga Kamza, nga bashkia e cila drejtohet prej 12 vitesh nga miku i tij Xhelal Mziu. Doli Luli lagjeve dhe rrugicave të Kamzës, i shoqëruar nga Mziu i tij, është takuar me hallexhinjtë e asaj zone, madje ka hyrë edhe banesat e tyre për të parë nga “afër” varfërinë, dhe për të gjetur shkak për t’ju “sulur” qeverisë.
Zoti Basha e ka nisur turravrapin e tij opozitar pikërisht nga Kamza, atje ku drejton Mziu dhe ku banorët po heqin picirrin vetëm e vetëm nga ai, sulltani Lulit. Duke dashur të bëhet “lider” opozite, dhe duke dashur të evidentojë e zbulojë gjoja “varfërinë” e padukshme që ka krijuar në 5 vitet e saj qeveria Rama, duket se Lulit i ka ardhur në mëndje idea e të bërit opozitë me ata fakirë që kurrë sa ishte ministër apo edhe kryetar bashkie, nuk i ka njohur dhe takuar. Nisja e “turit” opozitar nga Kamza, në të vërtetë është fatura e “sulltanit” të Lulit që drejton me shpurën e tij për afro 12 vjet, përmes akuzave dhe denoncimeve të banorëve të asaj zone.
Duke lexuar dhe deklaruar shifrat e servirura nga Xhelali për ndihmën ekonomike, Luli kishte vendosur të “sensibilizonte” në fakt bazën e PD në Kamëz, por duket se gjithçka i ka shkuar keq. Në takimet e tij “opozitare” Luli shoqërohej vetëm nga Xhelali dhe rojet e tij, dhe nuk ka lënë gjë pa thënë për “qeverinë e krimit”. Tallje më të madhe me ata të shkretë që i hapën derën nuk ka. Kjo pasi në fakt ata fakirë, kanë vite që drejtojnë gishtin dhe akuzojnë dhe denoncojnë “sulltanin” e Luilit, ndërsa ky i fundit shante dhe akuzonte qeverinë Rama.
Fakti është se të larguarit nga lista e ndihmës ekonomike edhe në Kamës, ishin pikërisht ata që kishin qysh nga koha e Lulit ministër dhe Lulit kryetar bashkie, merrnin para qyl nga shteti. Por pavarsisht kësaj, Luli kishte vendosur që “fjalën e tyre” ta çonte edhe në seancën e të enjtes në Parlament, tek foli dhe akuzoi kryeministrin Rama se “po luante me jetët e qytetarëve të pafajshëm”. Pra në fakt mirë e kishte Luli, ata janë të pafajshëm pasi duhet gjetur kush mbushi listat me emigrantë, biznesmenë, punonjës buxhetorë dhe farefisin e tyre në Shqipëri por edhe në Kamës, që prej vitesh merrnin para qyl nga fondi ndihmës ekonomike.
Duke vajtur në Kamzën e Xhelalit, në fakt kryetari PD ka dalë zbuluar, pasi ka dështuar në vazhdimin e sulmit “opozitar” dhe retorikën e tij, kur kryeministri ka publikuar emrat e atyre “hallexhinjve” që megjithëse kishin makina dhe vila, merrnin edhe ndihmën ekonomike nga shteti qysh nga 2010-2012 deri sot. Ndoshta është rasti për të kujtuar paksa edhe “xhevahiret” e Lulit duke nisur nga bërja opozitë me emrin e Presidentit Trump, e duke vazhduar së fundi me turin e tij bashkë me Xhelalin në Kamëz, duke u ndalur pikërisht në bulevardin që mban emrin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Por kësaj here Luli kishte vendosur të dilte në publik si opozitar pa Monikën në krah, dhe kjo jo pa qëllim. Në Kamëz ashtu si edhe në qytete të tjera të vendit, Partia Demokratike ndjehet e tronditur, e shkundur dhe me struktura të shpërbëra, ndërsa LSI as që ekziston. Nisja e “ribashkimit” të partisë nga Kamza, mbetet dështimi i rradhës, pasi edhe atje Xhelali nuk ka mundur të mbajë të grupuara strukturat e PD,
pasi koha e gjatë e mbretërimit si kryetar bashkie, e ka dëmtuar keqas imazhin e kësaj partie edhe atje. Vajtja në “mbretërinë” e Xhelalit, në fakt kishte synim të afronte e ftonte bazën dhe demokratët e Kamzës të ringrihen në protestat e marsit, por duket se Lulit i kanë gjetur “këshilltarët” e tij edhe shkakun e vizitës, për ndihmën ekonomike. Ai duhej të hynte në disa familje të varfëra, dhe prej andej të lëshonte “kushtrimin” për “rrëzimin e qeverisë”. Marrja në mbrojtje e personave të hequr nga listat e ndihmës ekonomike, dhe faktet kundërshtuese të servirura nga kryeministri Rama në seancën parlamentare, treguan jo vetëm hipokrizinë e opozitarit, por vërtetuan edhe njëherë se Luli ka vërtetë këshilltarë të këqinj.