Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka sqaruar sot në një takim me mediat, strategjinë e Bankës së Shqipërisë për të ulur përdorimin e euros në vend.
“Procesi i de-euroizimit nuk është luftë ndaj euros por stimulim për përdorimin e monedhës kombëtare për të rritur fleksibilitetin e politikës monetare”, tha Sejko. Ai ka sqaruar dhe masat konkrete që po merren.
Së pari, është shtuar transparenca, për t’iu bërë të ditur individëve dhe bizneseve se cili është rreziku, që kanë ndaj procesit, kur të ardhurat dhe depozitat i kanë në euro.
-Së dyti ka ndryshuar raporti i rezervës së detyrueshme, duke favorizuar lekun. Më konkretisht, përcaktohet rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%), dhe ulja e saj për detyrimet në lekë në nivelin 7.5% (ishte 10%). Për bankat ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve totale, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%.
Në afatgjatë, tha Sejko synohet të orientohet likuiditeti drejt monedhës kombëtare. Ky orientim nuk pritet të krijojë probleme në balancën e sistemit bankar. “E kemi të qartë që ekonomia ka marrëdhënie biznesi import-eksport dhe shumë shkëmbime bëhen në euro. Ne do t’u rekomandonim atyre ata që janë në këtë proces të vazhdojnë kështu. Synimi ynë është orientimi i sistemit financiar”, tha Sejko.
Ai shtoi se kanë pasur sugjerime nga Banka Qendrore Europiane për të ndjekur procesin e de-euroizimit, sepse kanë parë që disa shtete kanë humbur shumë nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare.
A do të ndalohet shitja e pasurive të paluajtshme në euro?
Sot mallrat e qëndrueshme si shtëpi e makina shiten me euro.
Guvernatori Sejko pranoi se euroizimi është i lartë, sepse përdoret në disa transaksione të tilla si pasuritë apo makinat. “Për momentin nuk kemi bërë të detyrueshëm kryerjen e pagesave në lekë për këto. Do ta analizojmë dhe nëse do ta shohim që niveli i euroizimit në ekonomi do të ketë ekspozim më të madh në euro, do të marrim masa”.
Ky është momenti i duhur
Ky është momenti i duhur për të orientuar këtë politikë, tha guvernatori. “Ky grup masash vjen në kuadër të një reforme në sistemin financiar siç ishte ajo e politikës monetare stimuluese dhe uljes së kredive të këqija. Duke qenë se kemi gjendje stabël ekonomike dhe masat e tjera kanë rezultuar të suksesshme, mendojmë se është koha për të stimuluar monedhën vendase. Pikërisht për synimin e integrimit në BE, ne duhet të forcojmë monedhën vendase dhe ekonominë. Ekspozimi ndaj kursit të këmbimit dhe ecuria e tij do ta cenonte situatën makroekonomike ndaj na duhet të marrim masa parandaluese”, tha Sejko.
Sa janë humbjet
Guvernatori tha se është e vështirë të vlerësohet se sa janë humbjet në nivel ekonomie nga përdorimi i lartë i euros dhe kursi. “Ne kemi një regjim të lirë këmbimi dhe nuk e llogarisim dot. Por është e sigurt që stabiliteti financiar do të prekej nëse do të kishim zhvlerësim të monedhës kombëtare. Ai sjell në vëmendje dy raste në Shqipëri: vitin 1997 dhe në momentin e krizës globale financiare të vitit 2008. Sot, pjesa më e madhe e kredisë së keqe është nga klientë që e kishin kredinë në euro dhe të ardhurat në lekë. Kjo duhet të minimizohet si ekspozim. Ndërsa FMN ka vlerësuar se rezerva valutore humbet 6 miliardë lekë në vit.
Efektet e pritshme në ekonomi
Sejko tha se Banka do të monitorojë ekonominë reale. “Ne do shohim nëse do na duhet të marrim masat për transaksione që në mënyrë të panevojshme kryhen në euro”.
Kjo reformë, tha ai, do të kërkojë vite, por dhe integrimi në BE do të kërkojë vite. “Kemi gjykuar ta nisim këtë reformë me tre masa që në një pjesë janë edukative dhe për të orientuar bilancet e bankave”
Banka do të publikojë një raport 6-mujor për nivelin e euroizimit në vend, ku do të bëhen publike aktivet dhe pasivet sipas monedhës dhe pagesat. Sejko parashikon që efektet e kësaj strategjie të ndihen në harkun kohor të 3-5 viteve. Lidhur me kursin, Sejko tha se këto janë masa që nuk ndikojnë. Psikologjikisht mund të ketë një interes më të madh të eksportuesve por edhe individëve që kanë të ardhurat në euro apo remitanca.
“Këto janë masa rregullatore dhe nuk prekin kursin sepse ai caktohet nga regjimi i lirë”.
Sejko shtoi se në afatgjatë, mund të ketë një shtrenjtim të kredisë në euro por jo në afatshkurtër. Dhe shtrenjtimi i saj do të varet më shumë nga masat e Bankës Qendrore Europiane./monitor