Nga Dritan Hila
Arrestimet e disa drejtorësh rrugësh kanë ngjallur një lloj ilariteti që nuk lidhet me entuziazmin. Një pjesë janë skeptikë se të ndaluarit nuk janë peshqit që prisnin, ndërsa pjesa tjetër nuk besojnë se këtyre çështjeve do t’u shkohet deri në fund.
Ka prej atyre që besojnë se ky është filli që do të çojë tek politikanët e lartë, ashtu siç ka të tjerë që mendojnë se është vetëm ‘show’ mediatik.
Megjithatë, është herët për të folur. Një gjë është e sigurt, që rrugët dhe bujqësia janë dy sektorë ku abuzimin e mbulon dheu, ose e merr uji.
Gjithsesi, zyrtarët e arrestuar janë zyrtarë të nivelit të dytë. Secili prej tyre ka lëvizur me miliona euro, të cilat janë përfolur shumë. Dhe nuk bëhet fjalë për rrugë fshati, por për akset kryesore të vendit, siç janë Rruga e Kombit dhe ajo Tiranë– Elbasan.
Ndërkohë abuzimi, kontratat e pasakta kanë bërë që të mbesin të papërfunduara shumë akse. E megjithatë, asnjeri prej këtyre figurave nuk kishte fuqinë që të abuzonte me fondet publike pa një mbrojtje politike.
Madje të nivelit të lartë. Asnjeri prej tyre nuk do të mund të ruante për vite të tëra pozicione drejtuese pa pasur abuzime. Por, është ende herët për të folur.
A ka prapavijë politike në këto goditje? Ajo që bie në sy është se të arrestuarit janë nga radhët e partive të opozitës. Mbesim në pritje që të duken edhe emrat e parë nga forca që ka pesë vjet në qeveri.
Në këto orë të para gjithçka mund të thuhet është që mënyra më e mirë është të mbesim, ashtu si publiku, skeptikë. Nëse janë të pafajshëm, nëse këta janë koka turku, apo e gjitha është një shfaqje, nuk do duhet shumë kohë për ta marrë vesh. Gjithsesi, publiku pret të shikojë se në xhepat e kujt ka shkuar rritja ekonomike vjetore e vendit, i cili ka mbi dhjetë vjet që rritet vetëm në letër dhe zbrazet në realitet./dritare.net