Brenda këtij muaji, Agjencia e Trajtimit të Pronave pritet të nisë nga puna për shqyrtimin e 10 mijë dosjeve pa vendim. Me miratimin e ndryshimeve të bëra në ligjin e ri, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është zhbllokuar edhe procesi për këto kërkesa të arkivuara prej vitesh në ATP.
Drejtoresha e këtij institucioni, Jonida Baçi, pohon se do të ndiqet e njëjta skemë vlerë- simi sikundër është aplikuar me 26 mijë vendimet e formës së prerë, pra, do të merret në konsideratë zëri kadastral i origjinës së pronës, ndërsa çmimet për metër katror do të jenë të sotmet.
Unifikim të procedurave do të ketë edhe kur vjen puna te skemat e kompensimit, çka do të thotë se fillimisht do të shikohet mundësia e kthimit të pronës dhe kur kjo nuk është e mundur, atëherë kompensimi do të bëhet 20% nga fondi financiar dhe 80% nga fondi fizik që Agjencia disponon.
“Pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave janë të administruara gjithsej 9532 dosje për të 12 qarqet e Shqipërisë, të cilat nuk janë të përmbyllura me vendim përfundimtar, nga të cilat rreth 8877 dosje janë të hapura para hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe rreth 655 dosje janë krijuar në zbatim të tij. Gjithashtu, theksoj se pranë ATP-së ekzistojnë gjithsej 3313 kërkesa në cilësinë e praktikave, të cilat pasi plotësohen formalisht, kalojnë në cilësinë e dosjes kundrejt pagesës së tarifës përkatëse. ATP do të vendosë mbi themelin e kërkesës bazuar në dokumentet që disponon.
Me miratimin e VKM-ve, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shqyrtimi i dosjeve pa vendim dhe ai i vlerësimit të kompensimit unifikon procedurën. Duke qenë se në pikën 14 të VKMsë nr. 765, dt 20.12.2017 citohet fakti se… ‘Në rast pranimi, ATP-ja me të njëjtin vendim përcakton edhe masën dhe mënyrën e kompensimit të saj, sipas përcaktimeve të vendimit nr. 223/2016…’”, vë në dukje drejtoresha e ATP-së.
PLOTËSIMI I DOSJEVE
Baçi shton se në çdo rast, pra, nëse do të konstatohen mangësi në dokumentacion, do të bëhet njoftimi i pronarëve. Ajo që është risi është fakti që në momentin që merret në shqyrtim një dosje, do të vijohet deri në përmbylljen e të gjithë praktikës. Pra nëse kërkesa pranohet, do të bëhet vlerësimi financiar i pronës së njohur, do të vendoset skema e kompensimit dhe më tej dosja do të kalojë në listën e vendimeve që janë gati për ekzekutim.
“Brenda muajit shkurt 2018, ATP do të nisë procedurat, duke ndërmarrë masa konkrete në lidhje me rifillimin e procesit të shqyrtimit të dosjeve, të cilat kanë në objekt të tyre njohjen e të drejtës së kompensimit. Grupet e punës, të cilat kanë në ngarkim dosjet, do të kryejnë njoftimet për të gjitha ato dosje/praktika duke specifikuar me detaje dokumentacionin tekniko-ligjor që i mungon (rastet kur kemi mungesë dokumentacioni). Gjithashtu, do të nisim konfirmimet e dokumentacionit tekniko/ligjor të depozituar në dosje nga subjekti kërkues, kjo vetëm në rastin kur dosja formalisht është e plotësuar dhe dokumenti ligjor është konform ligjit dhe akteve nënligjore. Në vijim do të procedohet me vlerësim ligjor, sipas rastit: Pranim kërkese, Rrëzim kërkese”, vë në dukje drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Jonida Baçi.
SKEMAT
Për të ulur barrën financiare, qeveria do t’i japë prioritet skemës së kompensimit fizik për pronën, që iu është konfiskuar gjatë regjimit komunist. Ligji i ri heq të gjitha barrierat e deritanishme, duke garantuar kthimin e pronës aty ku është e mundur në masën 100 për qind. Por kjo është parë me rezerva nga shoqatat e pronarëve, të cilët në mënyrë të vazhdueshme e kanë kontestuar, duke pohuar se ligji u mohon të drejtën për të gëzuar pronën e tyre. Ndërkohë, risi ka edhe në trajtimin e pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje.
Nga Agjencia e Pronave mësohet se në këto raste përparësi do të ketë familja e shpronësuar. Një zgjidhje e tillë u parapri edhe nga ndryshimet që iu bënë ligjit të legalizimeve në 2014- n, ku qytetarët që posedojnë ndërtime pa leje, do të marrin tapinë vetëm për trefishin e bazës objektit, ndërsa pjesa e mbetur do të kalonte në pronësi të shtetit. Ligji i pronave thotë që kjo sipërfaqe, nëse i është njohur pronarit, do t’i kthehet sërish atij./Panorama
ma.me