Nga Alfred Peza
Përfundimi i afatit zyrtar të shpallur nga Parlamenti, për dorëzimin e aplikimeve nga kandidatët e vetëofruar për vendin vakant të Prokurorit të Përgjithshëm, shërbeu si një katalizator për të nxitur reagime që vlen të analizohen. Megjithëse bëhet fjalë vetëm për një garë që mundëson caktimin e një kryeprokurori të përkohshëm, e gjitha po përjetohet nga elita politike, si një proces për zgjedhjen e pasaardhësit të përhershëm të Adriatik Llallës.
Kjo ka bërë që pak përpara mbylljes së afatit kohor, liderët e mazhorancës e opozitës dhe faktori ndërkombëtar në Tiranë, ti shkarkojnë me tërsëllima të gjitha rrufetë e deklaratave, përpara se njerëzit të zgjohen sërisht nesër në mëngjes, e të kuptojnë se as e sotmja nuk paska qenë fundi i botës.
Po ç’farë tregoi deri tani ky proces?
E para, numri i kandidatëve (7) dhe cilësia e tyre nisur nga CV, karriera dhe detyrat aktuale që mbajnë, parathonë seriozitet gare.
E dyta, ata iu larguan kulturës sonë ballkanike të minutës së fundit. Dorëzimi i dokumentacionit nga ana e kandidatëve nuk u bë si në rastet e tjera me gara dhe afate të këtij lloji, por në mënyrën më normale, duke e shfrytëzuar të gjithë hapësirën kohore që ofron ligji.
E treta, si lideri i mazhorancës ashtu edhe ai i opozitës, vijuan deri në minutën e fundit të ruanin pozicionet e tyre të afishuara herët për këtë proces. Basha duke përsëritur se procedura që po ndiqet është antikushtetuese, duke rritur tonet kërcënuese. PD dhe LSI janë kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të ri e të përkohshëm, me shumicën e thjeshtë të votave në Kuvend, sipas rekomandimit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, të mbështetura edhe nga BE e SHBA. Ndërsa Rama, ka vijuar ti ofrojë kompromis opozitës për votimin e një kandidature të dakordësuar.
E katërta, ndërkombëtarët me zërin e ambasadorit të SHBA kanë qenë më të prerë se kurrë, duke deklaruar se të dyja palët politike duhet ti japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar. Lu i mëshoi fort përgjigjes për ata liderë që kanë deklaruar sëfundmi se “reforma në drejtësi ka vdekur”. “Ajo nuk ka vdekur”,- tha ai,- por mundësia që politikanë të fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë, është pothuajse e vdekur”.
E fundit, pavarësisht zhurmës dhe retorikës, fakti që Komisioni Parlamentar i Ligjeve po vijon pa u ndalur me procedurat e seancës dëgjimore me 7 kandidatët, e më pas me hartimin dhe miratimin e raportit dhe dërgimin e tij për miratim në seancën plenare të Kuvendit, do të thotë që javën e ardhëshme, do të mësohet edhe emri i Prokurorit të ri e të përkohshëm të Republikës.
Ajo që pritet të ndodhi pas kësaj, është një film i vjetër, fundi i të cilit është parë shumë herë në këto 27 vjet në Shqipëri. Të gjitha palët do pajtohen me fatin dhe Kryeprokurori i ri do të jetë ylli i ri i shtetit, i jurispudencës, mediave, i takimeve zyrtare ose private, pika e referimit dhe e kontaktit nga të gjitha ata që ishin pro, por sidomos nga ata që ishin kundër zgjedhjes së tij.
Prokurori do të jetë i ri, por sjellja e politikës po bëhet gjithnë e më e vjetër. Kryeprokurori do të jetë i përkohshëm , por sherri i politikës për çështje si kjo e zgjedhjes së tij, do vazhdojë të jetë i përhershëm në Shqipëri.
Ndaj më e rëndësishmja se të gjitha këto, është ajo që tha ambasadori amerikan se “shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi”. Sepse ajo “po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e Vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi”./Alpenews.al