«Pse mburret koha e lashtë kaq fort
Me monumentet e moçëm të zotërve të fuqishëm
Të herojve, që me veprat pa mort mahnitën botën
I madh me emër në forcë e në vetitë,
Vend i triumfit atij i përshtatet.»
Kështu pati shkruar Edmond Spenser, poet anglez, në veprën e botuar për Skënderbeun, në 1596.
Jo më kot vendimi i parë i Qeverisë për këtë mandat të dytë qeverisës, ishte shpallja e 2018 –ës si viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit.
Sepse edhe pas 550 vitesh nga vdekja e heroi tonë kombëtar, tek ne ai shfaqet si simbol i një lufte të pathyeshme për liri, si strategu madhështor e mjeshtër i artit luftarak.
Si ruajtëse, vazhduese dhe kurorëzuese e thesarit të traditave historike e patriotike, Shqiptarët e patën Skënderbeun një figurë frymëzuese, duke shenjuar ardhmërinë e kombit tonë.
Figura e Skënderbeut, ikonës kombëtare të shekullit të 15 -të ka mishëruar përherë imazhin heroik të rezistencës më të spikatur popullore shqiptare kundër të gjithë pushtuesve dhe kundër çdo kanosje që i ka ardhur atdheut tonë.
Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është një vit ardhmërie i fokusuar tek politikëbërja, shtetkonsolidimi dhe bashkëveprim me shqiptarët kudo që ndodhen.
Shqipëria, falë edhe partnerëve tanë strategjikë, vazhdon rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, konsolidimit të shtetit ligjor, sigurisë dhe reformave transformuese në rrugëtimin europian të dëshiruar qyshkurse ky shtet u vendos krah të tjerëve në hartën e Europës.
Një mirënjohje të sinqertë meritojnë sot të gjithë ata shqiptarë të cilët jetojnë larg atdheut, por nuk kanë lejuar kurrë që atdheu të jetojë larg zemrave të tyre, duke qenë faktor ndikues në zhvillimin e Shqipërisë.
Diaspora shqiptare është një nga historitë e vërteta të suksesit të Shqipërisë e shqiptarëve në botë, për rolin jetësor që ka luajtur që në krijimin e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, e deri tek historitë individuale të suksesit në shumë fusha e sektorë.
Duke nisur që nga nevoja për regjistrimin e plotë të Diasporës dhe realizimin e të drejtës së tyre për të votuar në vendet ku jetojnë, si edhe shfrytëzimin e potencialit të tyre ekonomik, në funksion të zhvillimit të vendit.
Krijimi i platformave të përbashkëta ekonomike për diasporën mes dy vendeve tona, është një domosdoshmëri për të mos lejuar që potenciali i jashtëzakonshëm i tyre të mos shfrytëzohet.
Prizreni, qyteti ku shqiptarët afirmuan të bashkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar një shekull e gjysmë më parë, ishte strehëza ku qeveritë tona nisën në 2014-ën një rrugëtim që ka krijuar një hapësirë të pakufishme bashkëpunimi.
Dje, pas të katërtës mbledhje të suksesshme në Korçën, djepin e kulturës dhe traditave kombëtare bashkëkuvenduam dhe u dakordësuam mbi përparësitë e ndërveprimit mes dy vendeve, harmonizimin e mëtejshëm të interesave tona në funksion të ardhmërisë evropiane dhe prosperitetit të mbarë botës shqiptare.
Siç parashikohet në Deklaratën e Partneritetit Strategjik, janë në zbatim e sipër disa marrëveshje dhe protokolle lidhur me lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, unifikimin e çertifikimit të mallrave, lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe kostove doganore.
Bashkimi i forcave tona është një domosdoshmëri për të nxitur partnerët europianë, të pranojnë nevojën e integrimit sa më shpejt të Ballkanit, si një projekt strategjik europian, jo si një vazhdë e një procesi burokratik.
Mos të harrojmë se tre vite më parë, pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar diplomatike të Shqipërisë për njohjen e Kosovës apo marrëdhënieve të shkëlqyera mes vendeve tona, fëmijët tanë duhet të mësonin gjuhën amë me Abetare të ndryshme.
Njehsimi i teksteve shkollore, unifikimi i sistemit parauniversitar, hartimi i një kalendari unik kulturor,
bashkekoordinimi në fushën energjetike, në turizëm, mjedis, policinë apo sigurisë kombëtare dhe shumë përpjekje të tjera kanë nxitur fillimin e një epokë të re bashkëpunimi shumë më intensiv se më parë, ku potenciali i pashfrytë zuar ë shtë shumë i madh.
Sa për ëndrrën tonë, bashkimin kombëtar përmes Bashkimit Europian, politikbërja mbi realitete dhe jo emocione, e vetmja rrugë prej ku vjen frymëzim i yni i pë rditshë m.
Në fillim të viteve 1900, Isa Boletini theksonte se “diplomacia e vërtetë mbeshtetet mbi udhën e mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që dijnë me pajtue të drejtat e nevojat e atdheut të vet në kushtet e politikës se përgjithshme”.
Një shekull më pas, me këto fjalë mund të vazhdojnë të përshkruajmë më së miri qëndrimin e bazuar mbi arsye të diplomacisë sonë.
Realitetet, më shumë se pasionet, drejtojnë sytë mbi projektin përbashkues të një populli jo më të fragmentuar, por edhe të një Ballkani jo më fragmentar, por të unifikuar nga sinergjitë e përbashkëta, nga strategjitë gjithëpërfshirëse, në një terren të kultivuar nga bashkëjetesa.
Modeli shqiptar i bashkëjetesës është sa një mburojë, po aq dhe një udhërrëfyes për mbarë Europën, tashmë e përshkuar dhe e përbërë nga një larmi fetare dhe etnike domethënëse.
Në vazhdim të projekteve të rëndësishme që do të jetësohen janë edhe ndihmesa nga ana e qeverisë në çuarjen përpara të iniciativës shqiptaro-italo-kosovare të shpalljes së kulturës jomateriale arbëreshe si trashëgimi të njerëzimit nga UNESCO.
Gjithashtu, një ndër projektet e planifikuara në kuadër të vitit të Skënderbeut, është edhe krijimi i “pakos së ushtarakut”, si një iniciativë për të mos harruar ushtarakët shqiptarë të angazhuar në misione paqeruajtëse.
Po bëhet një punë serioze në dixhitalizimin në vijimësi të fondeve të Bibliotekës Kombëtare, duke filluar me literaturën shkencore mbi Skënderbeun.
Po në të njëjtën linjë, po mëkëmbet një Fond i posaçëm në mbështetje të projekteve të iniciuara nga komunat, institucionet kulturore, arsimore apo shoqëria civile shqiptare në rajon.
Një tjetër aktivitet shumë i përzemërt është edhe realizimi i samitit të II të Diasporës, pas realizimit me sukses të Samitit të I një vit më parë.
Samit që dëshmoi se kur bashkohen forcat, idetë dhe njerëzit, sjellin një reaksion pozitiv zhvillimi për gjuhën, kulturën e shoqërinë shqiptare.
Pas përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për rithemellimin e Akademisë së Shkencave, do krijohet paralelisht një paketë bursash ekselence që do mbajnë emrin e albanologut të shquar “Robert Elsie”, për arkivistë paleografë dhe specialistë të gjuhëve antike.
Do të krijohet një muze virtual i Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe i Kongresit të Manastirit, si dhe
Krijimin e një laboratori unik qëndror te restaurimit Shqipëri-Kosovë.
Këto dhe shumë projekte të tjera që prekin çdo sferë dhe përfshijnë angazhimin e çdo ministri për të ndjekur ecurinë e tyre, janë disa prej nismave që do ndërmerren në kuadër të shpalljes së 2018 –ës si viti i Skënderbeut.
Duam të jetë jo një vit që sheh nga e shkuara, as që sjell nacionalizma të së shkuarë s, por një vit që sheh nga e ardhmja.
“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe një gjuhe të pashkruar që mund ta kuptoj syri dhe zemra e cdo njeriu me ndjenja. (…) Mund të mburremi se Flamuri ynë, sic është një nga më të vjetrit e botës, është dhe një nga më të drejtët.”
(Faik Konica)
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri, deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje.
Të gjitha këto treva vunë gurin e tyre në lëvizjen e madhe për çlirimin kombëtar dhe u bënë bashkërendëse në rrugën e formimit të shtetit shqiptar.
“Një zjarr i shenjtë patriotizmi, – shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, – kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.
Shpallja e pavarësisë ishte si lindja e një fëmije, vinte pas një procesi të gjatë vuajtjesh dhe përpjekjesh, si dëshmi e një realiteti që më tepër se ëndërr, ishte sakrificë, më tepër se e drejtë, ishte luftë e shkruar me gjak.
“Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç`kemi parë dhe ç`kemi hequr në këtë udhë bëhet roman më vete. Për të vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemalit, i cili shkonte gjithnjë përpara.“
(Marrë nga kujtimet e Dhimitër Zografit, “Ylli i Mëngjesit”, 30 nëntor 1917)