Ka shumë të pakënaqur nga drejtimi PD-së dhe kjo u vu edhe mbrëmjen e djeshme në mbledhjen e kryesisë së PD-së.
Një prej kritikëve të Lulzim Bashës ishte edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD ka deklaruar në mbledhje se demokratët janë të demotivuar dhe se duhej të ngrihej zëri dhe të denoncohej vjedhja e votës, por në të kundër nuk u dokumentua asgjë.
Pjesë e kritikave ndaj kryedemokratit Basha ka qenë edhe indiferenca e tij ndaj mesazheve qe i dergojne anetaret e Kryesise.
Nderkohe qe ne audion bashkengjitur publikuar nga Syri.net mund te degjoni qartesisht debatin mes tyre gjate mbledhjes.
Jamarbër Malltezi: Rezultati në zgjedhje është ai që është dhe e dimë të gjithë. Problemi ynë është se nuk ngritëm zërin sa duhet për të denoncuar vjedhjen e votës. Sot, nëse del dhe flet me demokratët, janë të gjithë të demotivuar.
Është detyrë e gjithsecilit, mendoj unë, për të nisur një marrëdhënie të re me demokratët e bazës për t’i bërë ata sërish të besojnë te PD. Ne, pavarësisht pretendimeve të shumta që kemi për vjedhjen e votave nga PS në zgjedhje nuk dokumentuam, ose më saktë nuk arritëm të dokumentonim vjedhjen e votës.
Kjo sa u takon zgjedhjeve parlamentare. Pa diskutim, besoj se procesi i analizës, por më shumë procesi i riorganizimit të partisë do të na çojë drejt një alternative të re brenda PD, e cila do të ngjallë shpresë dhe besim edhe te shqiptarët. Por që kjo të ndodhë, kryetar, duhet që fillimisht t’u kërkosh falje demokratëve për votat e hedhura në kutitë në garën e brendshme të PD.
Të gjithë e kemi parë në TV, se njësoj si ai që ne akuzojmë, mbusheshin kutitë në garën e brendshme për kryetar të PD. Në gjykimin tim, nga kjo falje e juaja duhet të nisë analiza e brendshme në PD.
Edhe një shqetësim personal që kisha lidhet me komunikimin. Ju kam çuar mbi 4 SMS dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Dëshiroj që të jeni më i disponueshëm me anëtarët e kryesisë, nëse ky nuk është vetëm rasti im personal.
Genc Pollo: Në fakt, kryetar, këtë shqetësimin e interaktivitetit në lidhje me ju e kam edhe unë. Duhet të jeni më disponibël besoj me kolegët, se edhe unë kam ngelur pa përgjigje në disa SMS që ju kam dërguar.
a.ç