Nga Ilir Yzeiri
Që në antikitetin e lashtë Platoni dhe Aristoteli janë marrë me nocionin e dëshirës dhe të lumturisë. Dëshira, thoshte Platoni është shprehja e asaj që të mungon. Ndërsa Aristoteli thoshte se objekti më i dëshiruar në jetë është lumturia e përfillur si një e mirë superiore.
Njeriu e ka prirje të natyrshme të kërkojë lumturinë. Më tej Aristoteli shkruan se të gjithë njerëzit dëshirojnë të dinë, të njohin. Dija shfaqet te ne si qëllimi themelor i dëshirës. Të nxënit të lejon të kalosh nga gjendja e injorancës në atë të dijes. Ndërsa vdekja, për të cilën askush nuk mendon sa është gjallë, gjithnjë e më shumë kuptohet si formë e jetës.
Nuk kam qëllim të shtjelloj më tej nga pikpëpamja psikologjike apo filozofike këto nocione. Ajo që dua të them është se shqiptarët qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, në pjesën më të madhe nuk janë të lumtur. Megjithëse të dyja gjymtyrët e kombit tonë kanë fituar lirinë e dëshiruar dhe janë bërë faktorë të qëndrueshëm në stabilitetin e rajonit, ato, megjithëse për rajonin dhe botën janë pasqyrë e drejtpeshimit dhe sigurisë, për banorët e tyre janë vende që nuk prodhojnë lumturi.
Shifrat alarmante të zbrazjes, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës nuk lidhen me varfërinë, por lidhen me lumturinë, sepse ata që largohen nga Shqipëria apo Kosova, në rastet më të shpeshta largohen se nuk janë të lumtur dhe se nuk i plotësojnë dëshirat e tyre. Po çfarë mungon në këto vendet tona që shqiptarët nuk ndjehen të lumtur? Vështirë të thuhet me një analizë të shkurtër si kjo, megjithatë është e mundur të qëmtohen disa arsye se përse ky vend, nga njëra anë, të krijon mundësi për të jetuar, por, nga ana tjetër, nuk të bën të lumtur.
Gjëja e parë që do të veçoja në këtë rast është kriza e traditës kulturore të shqiptarëve. Sot pas rreth 100 vjetësh mëvetësi, ne vijojmë debatin për të kuptuar se çfarë jemi. Shpërthimi herë pas here i valëve të fundamentalizmit islamik që bën thirrje që shqiptarët të thirren turq apo myslimanë dhe që të braktisin të shkuarën e tyre dhe simbolet e shenjta kombëtare si Gjergj Kastriotin apo Nënë Terezën, e bëjnë ambientin shqiptar në Shqipëri apo në Kosovë, apo edhe në Maqedoni ku jetojnë shqiptarët një ambient të ndotur dhe natyrish një vend jo të dëshiruar.
Kjo krizë identiteti shoqërohet pastaj me mungesën ë qarkullimit kulturor historik. Shkrimtari dhe studiuesi Ardian Vehbiu, para pak kohësh vinte alarmin se në një anketë me të rinj të organizuar nga Ambasada Amerikane se çfarë lexojnë të rinjtë shqiptarë, dilte se dhjetë autorët e parë ishin të gjithë të huaj. Kjo do të thotë se letërsia shqiptare apo kultura shqiptarë nuk është më një formë e qarkullimit kulturor dhe e ushqimit me kënaqësi apo me dëshirë që të arrish te lumturia. Ndoshta kjo është shenja thelbësore se të rinjtë shqiptarë nuk kanë modele kulturore shqiptare, të mjafta sipas tyre, që të identifikohen aty.
Në fakt ky është trishtimi më i madh që të pllakos kur vështron se si po degradohet dija dhe kënaqësia estetike që vjen nga kultura shqiptare në habitatin tonë. Nëse do të hapnim një parantezë të shpejtë do të na duhej të mbanim në vështrim se elitat udhëheqëse në këtë vend janë sjellë në mënyrë makabre me të shkuarën e këtij vendi. Edhe Kadare në intervistën e fundit në një tv shqiptar e tha hapur se ne shqiptarët kemi një kulturë europiane që duhet të na bëjë të ndihemi në mos të barabartë, të njëjtë me europianët e tjerë, por kjo kulturë nuk qarkullon, sepse elitat udhëheqëse shqiptare sapo vijnë në pushtet e fshijnë të shkuarën ose e përdorin atë si ilustrim për historinë e tyre.
Si duhet ta kuptojmë këtë ? Ministria jonë e kulturës në gjithë këta vjet tranzicion është dalluar vetëm për të dhënë leje për ndërtime ose rindërtime në zonat muzeale dhe për të financuar botime që askujt nuk i kanë hyrë në punë përveç rrethit të ngushtë të miqve të ministrit të radhës.
Gjatë diktaturës, komunistët, në mënyrë të posaçme, u morën me traditën dhe ndërtuan një sistem të tillë të qarkullimit kulturor që ishte agresiv dhe i qartë dhe në vija të përgjithshme, siç dihet, lartësonte nacionalromantizmin shqiptar, kishte përjashtuar gjysmën e trashëgimisë letrare, por atë pjesë që e kishte promovuar për interesat e tij e paraqitte në të gjitha përmasat. Pas rënies së diktaturës, në vend që të ringjallej kultura dhe dija shqiptare duke rijetësuar edhe atë pjesë të letërsisë dhe të traditës që ishte hequr nga qarkullimi, ndodhi e kundërta.
Të gjithë u bënë prokurorë e gjyqtarë dhe morën hanxharët e mallkimit e të gjyqeve kundër produktit komunist duke harruar se kështu realizohej vetëm gjysma e së vërtetës. Në këtë llahtar të paparë dhe nën devizën që lumturia nuk është të nxënët siç thoshte Aristoteli, por fitimi dhe paraja me çdo çmim, elementët radikalë islamikë, shqiptarët me kokën bosh dhe ateistë deri në vitet ’90, u bënë myslimanë dhe përmes institucionesh banale nisën të sulmojnë Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën dhe gjithçka që na tregonte ne si perëndimorë.
Si të mos mjaftonte kjo, shteti hoqi dorë nga gjithçka që kishte të bënte me traditën dhe historinë e këtij vendi. Institucionet albanologjike u lanë në mëshirë të fatit dhe universitetet po ashtu. Në vend që kombi apo shqiptarët në tërësi të kërkonin që të rindërtonin tani identitetin e tyre të vërtetë europian duke ndërtuar tekste apo duke bërë botime thelbësore të kulturës shqiptare, qeveritë e tyre të këtij tranzicioni të gjatë, e lanë kulturën dhe traditën në dorë misnitrash mediokër. Po e ilustroj me një shembull.
Në cilindo vend europian tradita dhe kultura ka një vijimësi dhe njohja me këtë vijimësi është një konstante në sistemin e qarkullimit kulturor të tyre. Kush më thotë mua se çfarë dinë të rinjtë e sotëm për Marin Barletin, Buzukun, Budin Bardhin, Bogdanin, Konicën, Fushtën, Naimin, Kutelin, Kadarenë etj etj. Dinë vetëm gjyqet letrare që bëhen për ta, por nuk njohin veprën e tyre sepse nuk ka botime lehtësuese, shpjeguese për të gjitha nivelet e lexuesit shqiptar.
Shkolla shqiptare është në ditën e saj më të errët sepse ajo nuk ka të qartë se çfarë përmbajtje do të fusë në trutë e fëmijëve dhe si do t’i përgatisë ata si shqiptarët e nesërm që të ndihen europianë, që kanë një histori të bukur, që kanë letërsi të mrekullueshme, që njohin filozofinë dhe qytetërimet e tjera, që dinë se çfarë është Ballkani dhe që këtej e tutje duhet të mësojnë ta duan fqinjin e tyre ashtu si gjermanët e francezët.
Debati që është hapur tani në fund për Akademinë e Shkencave reflekton pikërisht këtë krizë të thellë kulturore që kemi në shqiptarët për shkak se kemi ndërprerë ushqimin me kulturën tonë. Në mënyrë private dhe pa asnjë drejtim, të rinjtë shqiptarë lexojnë, mësojnë gjuhë të huaja, por, për fat të keq, sapo arrijnë një sukses, kërkojnë të largohen nga ky vend sepse sipas prikologjisë së përgjithshme ky vend nuk të ofron asgjë. Kjo është një e vërtetë kriminale që ushqehet nga elitat idiote që udhëheqin këtë vend.
Cilido vend i qytetëruar në botë evidenton punët që kanë lënë pa kryer të parët tanë në lëmin e kulturës dhe ata që vijnë më pas vijojnë atë punë të lënë përgjysmë ; në fillim duke i njohur ata e pastaj duke e ngritur më lart punën e tyre.
Po jap edhe një shembull tjetër. Veprën e Kutelit e ka botuar familja e tij nën kujdesin e vajzës së Mitrushit, Doruntinës. Ky prozator i magjishëm nuk njihet nga shkolla dhe nga lexuesi shqiptar sepse mekanizmat e qarkullimit kulturor nuk funksionojnë. Në shkollat shqiptare nuk funksionin më ora e
leximit jashtë klase, bisedat letrare apo leximet e nxitura nga programet e detajuara shkollore. Filozofia është hequr si disiplinë nga shkollat shqiptare e plot marrëzi të tjera. Nga ana tjetër shteti nuk ushqen asnjë formë që të bëjë të pranishme në publik përmes medies apo përmes formave të tjera praninë e traditës shqiptare.
Në këto kushte, shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë janë të detyruar të përtypin tekstet banale të kryeministrit, fjalimet e deputetëve mediokër dhe të zgërdhihen ose të venë duart në kokë kur shohin talk-showt televizivë. Në këtë gjendje, ata me të drejtë pyesin se çfarë do të thotë të jesh shqiptar ? Dhe nuk e dinë që për të qenë të lumtur në vendin tënd duhet ta ndiesh veten si vazhdues i një etnie apo i një brezi dhe duhet të çosh më tej punët e pambaruara që kanë lënë të parët e tu.
Natyrisht në kushtet e globalizimit secili është i lirë ta bëjë jetën atje ku ai gjen mundësitë më të mëdha për të arritur lumturinë ose për të plotësuar dëshirat. Por, nëse vendi yt nuk të dhuron asnjë lumturi edhe atëhere kur ti i plotëson dëshirat thelbësore të jetës, atëhere ky vend ka rrezik të shpërbëhet dhe të humbasë kuptimin. Ky vend mund të kthehet në një kafehane të madhe ku të gjithë rrinë nëper tavolina e gjerbin kafe e ujë pa gaz dhe presin sekserin e radhës që t’i nisë në ndonjë shtet të Europës.
Unë besoj se ashtu siç thoshte Aristoteli njohja, dija janë rruga drejt lumturisë, injoranca është rruga drejt trishtimit.
a.ç