Nga Mustafa Nano/
Nga një anketim i bërë një vit më parë mes myslimanëve në Britaninë e Madhe dolën disa të dhëna që vërtetojnë hendekun e madh që ekziston atje mes myslimanëve nga njëra anë e britanikëve jo myslimanë nga ana tjetër. Ja disa prej përfundimeve: “Ishin më shumë se 100 mijë myslimanë britanikë (ndër 3,5 milionë që janë gjithsej) që kishin simpati për kamikazet dhe për ata që kryejnë akte terroriste; ndër tre myslimanë, dy syresh as që e çonin në mendje të njoftonin policinë nëse do merrnin vesh se ndonjë i afërm i tyre bashkëpunonte me xhihadistët; 23% e tyre ishin me mendimin që ligji islamik (Sheriati) duhej të zëvendësonte ligjet britanike në zonat me shumicë myslimane; 31% mendonin se duhej të legalizohej poligamia; 39% mendonin se gratë duhej t’u nënshtroheshin burrave; një në tre ishte dakord që gratë që tradhëtojnë burrin duhet të qëllohen me gurë derisa të japin shpirt.” (shihni në https://www.gatestoneinstitute.org/7861/british-muslims-survey)
Janë shifra që të fusin frikën, apo jo? Dhe të mendosh se çfarë nuk ka bërë Britania e Madhe në mënyrë që ata të integrohen, të trajtohen si të barabartë me të tjerët, dhe të jenë të lirë të ushtrojnë besimin e tyre. Jo më kot, 88% e myslimanëve atje thonë se Britania e Madhe është për ta një vend shumë i mirë për të jetuar (kjo shifër është marrë nga i njëjti anketim). Në Francë është pak a shumë e njëjta panoramë. Janë 20% e burrave myslimanë që i duan gratë të mbajnë niqab e burka (mbulesa që të lejojnë vetëm sytë zbuluar); madje vetë gratë, të cilave ua ka qejfi të mbulohen në këtë mënyrë, janë më të shumta në numër, rreth 28%; po 28% e myslimanëve janë me idenë se burrat duhet të lejohen të martohen me shumë gra; 29% janë me idenë që ligji islamik të zëvendësojë ligjet shekullare franceze. (Shihni në https://www.washingtonpost.com/news/worldviews/wp/2016/09/19/what-french-muslims-think-about-frances-secular-laws/?utm_term=.bf83bf04859e)
Edhe në vende të tjera të Europës, gjendja nuk është më e mirë, e kështu, të vjen të thuash në mënyrë paradoksale që ne shqiptarët duhet të mbrohemi prej Europës. Është tamam kështu. Ne mund të biem dakord të marrim nga Europa çdo gjë, por duhet të bëjmë çmos të mos marrim Islamin, e praktikën e dinamikën e marrëdhënieve mes feve atje. Do na dëmtonte shumë. Por edhe sikur të mos ishte kështu, ne as që kemi nevojë të marrim Islamin e Europës. Ne kemi Islamin tonë, që e kemi më të lezetshëm. Dhe më të moçëm. Islami ynë është më i vjetri në Europë (pas atij të Bosnjës, dhe të Bullgarisë). Dhe është ky Islam i yni që na ka bërë të kemi edhe një traditë të mirë të bashkëjetesës mes feve. Në Europë nuk ekziston kjo bashkëjetesë, ndonëse atje po harxhojnë energji, kohë, pará për ta përftuar. Ne nuk kemi harxhuar asgjë për ta patur (përkundrazi, tani kemi filluar të bëjmë ndonjë gjë për ta prishur). Këto marrëdhënie të mira ndërfetare janë bërë të mundura për shkak të faktit që myslimanët janë, jo thjesht me shtetësi shqiptare, por shqiptarë me titull të plotë. Kanë qenë shqiptarë qysh në krye të herës, pavarësisht qejfit të ca e cave për t’i nxjerrë me origjinë të hershme arabe apo turke (Nuk ka fakte e dokumenta historike që të provojnë se myslimanët shqiptarë janë me origjinë të hershme jo shqiptare). Ndërsa në Europë, myslimanët nuk janë francezë, britanikë, gjermanë, etj. Ata janë tunizianë, pakistanezë, turq, etj. Më tej, këtu te ne, tradita e bashkëjetesës, por edhe regjimi komunist, sidomos regjimi komunist, bënë të mundur një përzierje të fortë fetare të popullsisë, nëpërmjet martesave e nëpërmjet jetës së detyrueshme kolektive; në ndryshim nga multikulturalizmi (në këtë rast: multifetarizmi) i vendeve të Europës perëndimore, tek ne është krijuar një melting pot fatlum. Në fund, myslimanë e të krishterë në Shqipëri kanë edhe një histori të përbashkët, pavarësisht ndarjes mes vedi që krijoi konvertimi në fenë islame.
Kjo ndarje, edhe pse nuk prodhoi konflikte, mbeti ndarje, megjithatë. E prandaj, është e kotë të kërkosh të mira te islamizimi i një pjese të madhe të popullsisë, siç bëjnë disa, kur thonë se islamizimi i shpëtoi shqiptarët, dhe me këtë duan të thonë se, po të mos ishim islamizuar, do na kishin çbërë e thëthitur fqinjët. Në fakt, ne nuk kemi si ta dimë se ç’do ishim, dhe a do ishim, nëse nuk do ishim islamizuar (pushtimi osman i gjeti shqiptarët, në ndryshim nga fqinjët grekë, serbë e bullgarë, pa një traditë shtetërore e pa një unifikim fetar), por dimë me siguri që islamizimi krijoi një ndarje në botën shqiptare. Që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Nuk është ndarje si në Europë, por është një ndarje. Dhe për këtë ndarje, do të ishte absurde të bëheshin me faj ata që nuk u konvertuan, të krishterët; apo edhe Skënderbeu që na paska vrarë myslimanë shqiptarë. Nuk ka bythë të rrijë që të akuzohet Skënderbeu i shekullit XV duke shtënë në punë ndjeshmëri e kritere të shekullit XXI, e të arrihet në përfundimin se ai ka vrarë vëllezërit e vet shqiptarë. Nuk ka pikën e kuptimit që t’u jepen munxët atyre që kanë mbrojtur shtëpinë e vet, sojin e vet, gjakun e vet, fenë e vet, dhe të trajtohen si viktima të pafajshme renegatët, për gjykimin e të cilëve kriteret e ndjeshmëritë janë të pandryshueshme në kohë. Qysh kur kjo botë u bë botë, renegati është përbuzur dhe luftuar. Deri edhe me teprí. Për ta nuk ka patur as mirëkuptim, as shpëtim. E pasi kanë ikur nga kjo botë, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë. Ndoshta mund të jetë e qortueshme, apo e pakuptueshme kjo mungesë empatie për renegatët, kjo mungesë dëshire për t’u pranuar atyre edhe ndonjë alibí, por ja që kështu është. Soji i njeriut nuk di të bëjë ndryshe. Të gjitha t’i fal, por jo tradhëtinë. E këtë e dinë më mirë se të gjithë vetë myslimanët, për të cilët renegati është gjëja më e pështirë që mund të ekzistojë. Në Kuran për renegatin, dmth për atë që lë fenë islame, flitet më keq se sa për qafirin, ndërsa sipas Haditheve renegatët duhet të vriten; madje, edhe Muhameti vetë ka vrarë njerëz vetëm e vetëm se kanë lënë besimin mysliman (shih Bukhari-n 9.83.37).
Janë të shumtë ata që janë marrë me dukurinë e konvertimit në fenë islame. Dhe e kanë shpjeguar atë. Por të gjithë kanë qenë shumë skrupulozë dhe të ndrojtur kur ka ardhur puna për ta kualifikuar këtë dukuri, për t’i vënë një emër. Askujt nuk ia ka nxënë goja të thotë, nëse e ka menduar, që konvertimi ynë në fenë islame ka qenë një proçkë e madhe. Ka qenë proçka më e madhe në histori që kanë bërë shqiptarët. Dhe kuptohet, këtë nuk e them në kuptimin që shqiptarët myslimanë lanë “fenë e drejtë e të mirë” e përqafuan “fenë e gabuar”. Jo, ky është një diskutim që ua lë të tjerëve për ta bërë. As po e them i ndikuar nga paragjykimi historik i renegatëve si faqenxirë, apo nga ndarja mes vedi që ky konvertim na ka lënë peshqesh. Konvertimi në fenë islame ishte një ngjarje inçizive në një plan tjetër, veçantërisht. Ai akt kolektiv na ndërroi udhën e fatin në histori, na ndryshoi njëherë e mirë, na shkuli me shpirt, mendje, mendësi, doke, zakone prej botës ku banonim e banojmë, e na zhvendosi dhjetra qindra kilometra më tutje, na bëri pjesë të një qytetërimi tjetër, të ndryshëm, i cili është parë prore si një nemesis i qytetërimit tjetër, të cilit ne i përkasim gjeografikisht, në një farë mase edhe historikisht. Dhe e keqja në këtë mes nuk është tek natyra krahasimisht më vicioze e qytetërimit islamik (“Në ndryshim nga në Europë, ku pushimi është një ndërprerje e punës, në Stamboll puna është një ndërprerje e pushimit”, ia bënte Edmondo de Amicis në fund të shekullit XX në tentativën për të nxjerrë në pah përgjumjen e javashllëkun e botës turke, që ai e pëlqente, megjithatë), aq sa është tek fakti që ne tanimë i përkasim të dy qytetërimeve, atij islamik e atij perëndimor, të parit by choice, e të dytit by default. Është e mundimshme e gjitha kjo. Por ne jemi mësuar, tanimë. Dhe ia kemi dalë të mbetemi më këmbë.
Sa më sipër nuk i them për një apel rikonvertimi. As më shkon mendja këtu. Jo për gjë, por është edhe e pamundur. Vetëm një leshko mund ta besojë se shqiptarët mund të rikonvertohen, mund t’i rikthehen masivisht fesë së hershme, asaj të parës fare, të profetit Isa. Ky është një muhabet i mbyllur në histori. Shqiptarët janë njëherë e mirë një komb multifetar, me myslimanët violinë e parë. Ditën që, për ndonjë arsye, nuk do të jenë më multifetarë, nuk do të ketë më shqiptarë. Myslimanët kanë shumë në dorë që kjo ditë të mos vijë, nëse duan që kjo ditë të mos vijë.
Një prej gjërave, që ata duhet të bëjnë është që t’i mbahen fort Islamit të traditës sonë, i cili në kohët osmane ka qenë, me ndonjë përjashtim të rrallë, i shtruar, i qetë, paqësor e mirëkuptues me vëllezërit e një gjaku, por të një feje tjetër, e në periudhën e shkurtër pas osmane ka qenë në stilin e Rilindjes sonë kombëtare, dmth i hapur, atdhetar, laik, me sytë nga perëndimi i zhvilluar. “Fanatizma është katili i arsyes, është një armik që njeriut ia shkurton gjykimin e kuptimin”. Kush e ka thënë këtë? Sokrati? Volteri? Jo, e ka thënë një publiçist mysliman shqiptar në faqet e Zanit të Naltë të para Luftës II Botërore. Hafiz Ali Korça e quante Shqipërinë perí, apo mëmëz e dashur që na jep sisë. Është po Hafiz Ali Korça që diku tjetër përshkruan momentin kur në Shqipëri mbërriti princ Wied-i me fjalët “gëzimi i madh që u ndje atë ditë [që erdhi princ Wied-i në Durrës] nuk do harrohet kurrë”, a thua se donte të konkuronte entusiazmin e katolikëve të Hyllit të Dritës mbi këtë ngjarje. Dhe disa prej të vetëve nuk ia falnin as këtë gjë, as bëma të tjera “qafirash” që i kish bërë pak më herët. “Latinxhí”, e quanin me përbuzje ata, për faktin që ai e bashkoi zërin e tij me zërin e atyre që donin gërmat latine për alfabet kombëtar. Shkronjat arabe ia donte xhani ca më shumë, ç’është e vërteta, por ishte instikti patriotik që e bëri “latinxhí”. E nuk ishte vetëm ai që e kishte këtë instikt. “Feja myslimane të shtrëngon më shumë/për atdhen e dashur të derdhsh gjak si lumë”, thuhet diku në një nga numrat e parë të “Zanit të Naltë”. Për hutbenë e parë të mbajtur në gjuhën shqipe, po në këtë revistë, në numrin e parë të saj, thuhet: “…Gjuha amtare me gjithë forcën e saj filloi të përndajë shpresë prej minberit”. Dhe po në këtë hutbe, u tha: “Urdhëri më i parë i kësaj jete është dashurija për Atdheun”.
Në ato mote, dijetarët myslimanë shqiptarë i mësonin besimtarët të kthenin sytë nga perëndimi. Madje imamët, edhe nëpër hutbetë e tyre në ditët e Bajramit, gjenin rastin të flisnin kundër despotizmës, për lirinë e fjalës si për një “nga themelet e njerzis” e për “ndriçim-mendjen” dhe “diturinë e lartë” të perëndimorëve. Deri dhe për Skënderbeun, “vrasësin e myslimanëve”, kanë shkruar autorë myslimanë në Zanin e Naltë: “E festojmë 28 nëntorin, këtë ditë të flamurit, nën të cilin është ngjallur Skënderbeu…; rroftë flamuri kuq zi”.
Ky është Islami i traditës shqiptare, që është përfaqësuar e mbrojtur edhe nga klerikë të ditëve tona. Kam ndjekur këto ditë një video të vitit 1990, në të cilën shfaqet Hafiz Sabri Koçi që, me gjasë, reagon ndaj atyre myslimanëve që e kanë mendjen veç të jenë shumicë e vendit. E thotë: “‘E më kanë pyetur: sa përqind e popullsisë janë myslimanët?’ ‘Ç’të duhet përqindja?’, iu përgjigja. ‘Do hapim luftë ne? Do vrasim njerëz ne? Do pushkatojmë njerëz ne? Do mbysim njerëz ne? Jo, ne jemi për bashkëjetesë paqësore”. (shih http://zaninalte.al/2017/09/h-hafiz-sabri-koci-cte-duhet-perqindja/)