Laert Vasilin e përzgjedhin shpesh për role politike. Petku i deputetit këtij aktori i rri mirë, por shumë pyetën nëse ai do të dëshironte ta kthente politikën në angazhimin primar kur e panë t’ju flasë të rinjve të LRI në Tiranë. Por takimi i tij me politikën ka qenë qëkur ai jetonte dhe punonte në Greqi pranë SYRIZA.
“Në zgjedhjet e 2014 mu bë një ftesë që të ndihmoja për të ndihmuar të ndërgjegjësoja atë pjesë që kishte marrë nënshtetësinë greke, dhe të shkonte të votonte. Në të njëjtën mënyre nga LSI, që është një forcë ë majtë. Ishte një homologe në ideale me Syriza. Mu bë ftesa dhe ju përgjigja pozitivisht”, u shpreh Laert Vasili.
Sidomos në regjitë e veta në Athinë ai ishte i angazhuar në çështjet e emigracionit. Të njëjtën arsye gjen edhe këtu për të thënë fjalën e vet në publik që njerëzit e profesioneve t’i rikthehen Shqipërisë dhe të rinjtë të mos largohen.
“Mendoj që tashmë është koha që ata njerëz të rikthehen siç janë rikthyer dhe të ndërtojnë të ardhmen e familjes së tyre dhe të familjeve të tyre këtu në Shqipëri. Kjo është arsyeja”, tregon Laert Vasili.
I rikthyer pas një karriere 20 vjeçare jashtë Shqipërisë ai kujton pjesë nga funksionimi i një vendi të Bashkimit Evropian. Atëherë ishte shumë i ri dhe prandaj fokusi i tij fillon nga të rinjtë.
“Për të qenë i integruar dhe pjesë e një qytetërimi evropian duhet filluar puna shumë herët dhe shumë herët mund ta fillosh tek brezi i ri, thotë regjisori dhe aktori Laert Vasili.
Si aktor dhe regjisor ai ka primar skenën e teatrit, por duket se jo shumë ndryshon ai nga politika, sepse njëlloj si kjo e fundit ai përdoret për të komunikuar.
“Teatri lindi sepse disa individë kishin nevojë t’i përcillnin shoqërisë disa mesazhe të caktuara. Kjo ndodh edhe me lëvizjet politike të caktuara”, shton Laert Vasili. /TCH/ma.me