Zgjedhja e Presidentit të ri ka krijuar jo pak debate, jo vetëm mes forcave politike në vend, por edhe më gjerë.
Dy raundet e para për këtë proces janë djegur, për faktin se ende nuk ka një emër. Pas dy seancave që kanë zgjatur nga pak minuta, njëra e zhvilluar pasdites e së mërkurës, edhe një të enjten, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që raundi i tretë të zhvillohet të enjten e ardhshme. Por sipas disa zërave, këto raunde po digjen qëllimisht nga mazhoranca, e cila deklaron se i ka votat e nevojshme, por nga ana tjetër nuk sjell kandidatura për këtë post. Në emisionin “Të paekspozuarit” në “News24”, zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se mazhoranca i ka kushtet për ta zgjedhur presidentin në komoditet, nisur edhe nga numri i votave që ka, por ai shtoi se përfshirja e opozitës në këtë proces është e rëndësishme.
“Nuk më duket se problemi më i madh i Shqipërisë sot është qëndrimi i partive politike për të bërë kërkesa për veprime sa i lejon ligji. Sa i takon zgjedhjes së presidentit, dua të them se nuk është ndonjë mëkat se u dogjën dy raunde, ndërkohë që opozita nuk është në Kuvend. Ne nuk do të donim që të bënim zgjedhjen e presidentit në komoditet, thjesht duke e votuar se numrat i kemi. Po kështu nuk duam që të hyjmë në zgjedhje pa opozitën”, tha Peleshi.
Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili theksoi se afati 7 ditë për t’i dhënë mundësinë opozitës t’i bashkohet këtij procesi, është një akt përgjegjshmërie.
“Fakti që ne duam edhe opozitë të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, është një akt përgjegjshmërie”, tha Luan Rama.
c.a