Nga Ilir Yzeiri
Në shkrimin e mëparshëm pata nënvizuar se kriza politike që po kalon Shqipëria është një krizë që më së shumti shfaqet e luhet në ligjërimin politik, në kuptimin që realiteti që vizaton PD-ja përmes folësve të saj në teatrin tragjikomik të çadrës, është një fiksion i shkruar fillmisht nga mjeshtri i dramave psikomitike, Sali Berisha, i cili, i vuri vetes qëllim që tekstin e dramës së tij ta niste që ditën e parë kur mori fjalën në Kuvend pas humbjes spektakolare në vitin 2013.
Për katër vjet rresht ai e recitoi çdo të enjte këtë monolog të ndezur me ngjyrat e hiperbolave, magjisë, halucinacioneve dhe i bindi shumicën e ndjekësve të vet se Edi Rama është monstra më e përbindshme që shqiptarët kishin parë ndonjëherë, është Katallani me një sy që e mbolli gjithë Shqipërinë me drogë, është ai që ka një divizion me kriminleë dhe shkon shtëpi më shtëpi e i frikëson demokratët ose i ble me nga një thes me drogë. Duke e përsëritur edhe vetë këtë rrëfenjë dhe i ardhur nga shkolla komuniste e ligjërimit totalitar, Berisha ndërtoi një rrëfim me elemente mitologjike në themel të të cilit nuk ishin ngjarjet reale që ndodhnin në vend, por projektimet psikike të Berishës për ta paraqitur Ramën si monstrën dhe përbindëshin e Ballkanit. Rrëfime të tilla të ndezura, zakonisht janë reflekse të deformimeve psikike që vijnë për shkak të zemërmit dhe urrejtjes.
Zemërimi, inati, urrejtja lëndimi në sedër, përplasja përdhe, heqja nga pushteti, për një ish-komunist të konvertuar në pasanik dhe të molepsur me vjedhjen e pasurisë publike, është një tragjedi, për një shqiptar jo normal është e papranueshme dhe për Berishën e pafalshme. Kjo narrativë me elemente mitologjike e të mbinatyrshme mbuloi në fakt edhe gjithë dobësitë e dukshme të qeverisjes Rama. Duke e projektuar Ramën me nota mitologjike e me hiperbola të rrëfimit folklorik primitiv, Berisha arriti të mbledhe rreth dramës së vet dhe gjithë ata opinionstë që për një arye të dukshme ose jo, e urrejnë Ramën. Sot, këtë tekst të Berishës, për fat të keq, e recitojnë edhe disa opinionistë normalë. Mllefi dhe urrejtja për Edi Ramën është bërë tashmë një problem psikologjik dhe po të vësh re, shumica e këtyre që mbajnë ndezur ligjërimin e dramës së shkruar nga Berisha janë të lodhur gati të dërrmuar psikologjikisht sepse monstra që ata kanë paraqitur në psikodramën e tyre është përsëri aty dhe nuk i bën asnjë përshtypje.
Mirëpo, kjo psikodramë po shfaqet edhe për një publik tjetër, për të huajt që kanë 27 vjet që na asistojnë, na ndihmojnë dhe na orientojnë për rrugën që duhet të ndjekim për të arritur në familjen e tyre. Psikodrama e Berishës që vizaton realitetin mitologjik që zhvillohet në zonat e errëta të urrejtjes e fyerjes së Berishës, i ka shpallur me kohë edhe këta të huaj, ambasadorë e përfaqësues të Këshillit të Europës, SHBA-së, e BE-së, si aleatë me mostrën e me Katallanin që ka nxirë Shqipërinë.
Bukuria e gjithë kësaj narrative është habia e madhe që me siguri provojnë këta të huaj. Ata, ashtu si në rastin e Enver Hoxhës, nuk arrijnë dot të kuptojnë asgjë. Enver Hoxha kishte paranojën se përveç nesh, gjithë të tjerët jashtë nesh ishin monstra, armiq, kapitalistë të egër që donin të na shfarosnin dhe nisi në fund aventurën e bunkerëve. Këtë psikodramë të tij nuk ka asnjë tekst teorik që mund ta shpjegojë. Edhe Berisha ka nisur të shkruajë një psikodramë të llahtarshme me përbindësha e monstra që të huajt normalë nuk arrijnë t’i shohin. Në përvojën e tyre, shteti është një organizim me institucione dhe nëse vendi është mbytyr nga droga, nga krimi, nga një kryeministër monstër, atëhere populli duhet ta ndërrojë këtë qeveri me votë ose prokuroria duhet të shprehet dhe ta arrestojë këtë kryeministër monstër.
Të huajt e kanë të vështirë të kuptojnë ose të deshifrojnë dramën psikomitologjike të Berishës. Mirëpo ajo që i mahnit ata dhe i bën të vënë duart në kokë është modeli i ri, i paparë që ne u tregojmë atyre, që është shkatërrimi i sistemit. Ashtu si në rastin e bunkerëve të Enver Hoxhës edhe këtë radhë, të huajt dhe Perëndimi po na tregojnë me gisht si komb që pjellim politikanë monstra, të cilët e mendojnë politikën jo si një sistem të detyrueshëm e formal rregullash e isntitucionesh, por si një përplasje emocionesh dhe pasionesh të errëta të banditëve me kollare që historikisht në jetën e këtij vendi kanë menduar se aty ku ulem unë dhe aty ku ndodhem unë është edhe forca edhe fuqia edhe shteti.
c.a