Nga Met Dervishi
Sot, nga bunkeri i tij, të cilin e quan shesh të rinisë dhe të republikës së tij të re, z. Basha, kryetar i Partisë Demokratike, projektin e Vetingut e ka quajtur publikisht komplot ndërkombëtar mafioz, në qendër të të cilit është z. Rama.
Sipas tij, mbështetësit ndërkombëtarë të Vetingut janë paguar me dollarët dhe eurot e kanabisit shqiptar, bankomati i të cilave është kryeministri aktual i Shqipërisë, dhe, në këto kushte, oferta e Partisë Demokratike për qeveri teknike është zemërgjerë: në fakt ajo duhet të kërkonte arrestimin e kryeministrit.
Por, në këtë mes, ajo që nënkupton z. Basha, por që nuk e shpreh për arsye që kuptohen, është dëshira e fshehtë e tij për arrestimin e ndërkombëtarëve dhe të ekspertëve të tyre, bashkëpunëtorë në krim me z. Rama. Dhe, në fakt, po të ishte koherent më republikën e tij të re, ai duhet të kërkonte dhe arrestimin e tyre.
Gjithsesi, sipas z. Basha, ky nuk është vetëm një komplot Vetingu, por dhe një komplot ndërkombëtar ekonomik i thellë, nëpërmjet fondeve publike, si pasojë e të cilit shqiptarëve të këtushëm u vidhen 2.8 miladardë euro, ndryshe, sipas llogarive të tij, si pasojë e orientimit euroatlantik të shqiptarëve të këtushëm, atyre u vidhen një mijë euro për frymë.
Megjithatë z. Basha është në këtë mes një jurist amnistish ( Dhe ai ka parasysh aministimin e tij për grabitjen e Rrugës së Kombit): ai nuk kërkon as arrestimin e z. Rama, as arrestimin e ndërkombëtarëve, po vetëm një qeveri teknike që t’i amnistojë të dy palët, si z. Rama, si ndërkombëtarët që po vjedhin sistematikisht shqiptarët. Dhe, në këtë rast, kuptohet, dhe amnistia për vetveten dhe bashkëpunëtorët e tij të Rrugës së Kombit.
Njëzet vite më parë, tutori i z. Basha, ish president, z. Berisha, në vitin 1997, nëpërmjet Gazidedes, i akuzoi ndërkombëtarët për komplot kundër tij, por në asnjë rast ai nuk kërkoi arrestimin e tyre. Në rastin më të vështirë të tij, ai refuzoi takimin me një zëvëndës sekretar shteti të departamentit Amerikan të Shtetit.
Mirëpo, kësaj radhe, panorama e akuzës së z. Basha është ku e ku më e gjerë: qeveria teknike e tij kësisoj është një amnisti politike që ai po e kërkon me zemërgjerësi jo vetëm për mbështetësit amerikanë të Vetingut, por dhe për mbështetësit europianë të tillë si Filkenshtain e company, si dhe një amnisti e gjerë për të gjithë grabitqarët ekonomikë të Shqipërisë Londineze gjatë këtyre njëzet e pesë viteve të demokracisë.
Fakti që ai po kërkon amnisti për veten nga Vetingu është më se i kuptueshëm, por fakti që ai po kërkon amnisti për ndërkombëtarët që kanë konstruktuar një komplot ekonomik kundër shqiptarëve të këtushëm është problematik.
Qoftë Departamenti Amerikan i Shtetit, qoftë Brukseli i z. Kukan apo z. Filkenshtain duhet të shprehen qartë kësaj radhe, se , publikisht, janë akuzuar si bashkëpunëtorë në një komplot jo vetëm juridik e kushtetues ( Vetingu), por dhe ekonomik për grabitjen e shqiptarëve të këtushëm.
As më shumë, as më pak, bashkë me arrestimin e z. Rama, nga bunkeri i tij, z. Basha, sot ka kërkuar publikisht dhe arrestimin e tyre.
Që shqiptarët në këto vise të Ballkanit Perëndimor kanë orientim euroatlantik , kjo dihet.
Që shqiptarët këtë orientim euroatlantik nuk e kuptojnë si grabitje, dhe kjo dihet.
Por që kemi liderë të një partie anëtare të Partive Popullore Europiane që e konceptojnë marrëdhënien euroatlantike si komplot, kjo nuk dihet dhe është e duhet të jetë problematike si për shqiptarët si për euroatlantikët.
Dhe për këtë duhet të mbajnë qëndrim të qartë të gjithë faktorët që janë vënë në bankën e akuzës nga z. Basha, kryetar i Partisë Demokratike, anëtare e Partive Popullore Europiane.
Po kështu duhet të mbajë qëndrim dhedepartamenti Amerikan i Shtetit, për një parti që i akuzon për grabitjen e fondeve publike në vendin më të varfër të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e tij të sotshëm, z. Basha nuk ka vënë në bankën e të akuzuarit vetëm z. Rama, kryeministrin e Shqipërisë Londineze, po të gjitha ata që i kanë rekomanduar opozitës të kthehet në parlament.
Opsionet që të mbyllim në një dhomë z. Rama, z. Meta, z. Basha, janë përgjigje ezopike që nuk japin asnjë përgjigje.
Euroatlantikët janë akuzuar dhe duhet të japin përgjigje nëse lideri i Partisë Demokratike është euroatlantik.
Pa ekuivoke.
c.a