Temë bisedimi kanë qenë deklarata e Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit të jashtëm Ditmir Bushati.
Nga MPJ e Maqedonisë konsiderojnë se Shqipëria është duke u përzier në punët e brendshme të Maqedonisë dhe sipas tyre këto janë veprime të cilat cenojnë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve duke nxitur kështu edhe retorikë ekstremiste.
“Deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Ministrit për Punë të Jashtme në lidhje me binacionalitetin dhe rregullimet kushtetuese është përzierje e drejtpërdrejtë në punët ë brendshme të Maqedonisë. Etiketimi i maqedonasve si “sllavomaqedonas” është etiketim nënçmues dhe diskriminues – thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
I kontaktuar nga mediat maqedonase, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka nën arsyetimin se gjendet në takim nuk pranoi të shpjegoj se çfarë është biseduar në takimin. Nga ana tjetër, nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë shprehen shkurt se mbeten në qëndrimet e ministrit Bushati dhe Kryeministrit Edi Rama.
“Pozicioni i Shqipërisë në këtë çështje është i qartë. Nuk kemi asgjë as për të shtuar. Shqipëria do të qëndroj në pozicionin e saj Kushtetues! – deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati ditë më parë në një intervistë për rrjetin Euroactiv u shpreh kategorik se Shqipëria nuk synon të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se Tirana nuk ka përgatitur asnjë platformë politike e cila do të koordinonte veprimet e partive politike shqiptare në Maqedoni.
Bushati mes tjerash potencoi se Shqipëria është vendi i vetëm i cili Maqedonisë nuk i ka kontestuar identitetin dhe integritetin territorial.
Tirana zyrtare dhe udhëheqësit e qeverisë shqiptare së fundi kanë qenë cak i akuzave dhe sulmeve verbale.
Pas shpalosjes së deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, nga VMRO-DPMNE, Presidenti Gjorge Ivanov dhe protestuesit e Iniciativës për Maqedoni të përbashkët, Shqipëria u akuzua për imponim të platformave politike dhe përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë.
Kjo madje mbetet edhe njëra prej arsyeve pse shumica e re parlamentare nuk po arrin te merr mandatin nga Presidenti Ivanov. Alsat Maqedoni.