Nga Spartak Ngjela
Qeveria gjermane dhe Bashkimi Europian kanë lënë në gjendje të ngrirë disa miliardë Euro, gati për t’u investuar në Shqipëri, menjëherë pas vetingut dhe fillimit të Reformës në Drejtësi.
I.
Për këtë është vënë në dijeni drejtpërsëdrejti kryeministri aktual shqiptar.
Kurse në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Sali Berisha ka ngritur Çadrën e tij kundër vetingut.
Por ka edhe diçka: vetingun dhe Reformën në Drejtësi e drejton politika aktuale amerikane, dhe me këtë Reformë penalizohen shumë individë të korruptuar të elitës politike shqiptare. Por, a mund ta frenojnë këta individë vetingun dhe Reformën kundër interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në radhë të parë, dhe të Amerikës dhe Bashkimit Europian, gjithashtu?
E kanë krejt të pamundur. Do ta votojnë të gjithë të prekurit: edhe ata që janë në Çadër; edhe ata që janë jashtë Çadrës. Politika është forcë. Dhe, sidomos, politika amerikane…
II.
Çadra Berisha ka hyrë që tani në historinë komike të Shqipërisë.
Por mos harroni: komedia dhe tragjedia janë shpesh e njëjta gjë, por, tagjedinë, ndërsa disa e vuajnë, disa të tjerë qeshin me të. Të gjithë neve që po e presim Reformën në Drejtësi si shpëtimin tonë, sigurisht që na takon të qeshim me të.
Po, ku qëndron tragjedia e Çadrës?
Traqedia e Çadrës qëndron te fakti se tek ajo i ka varur shpresat i gjithë korrupsioni shqiptar që është në elitën politike dhe gjyqësore të këtij vendi. Kurse komedia qëndron te fakti se, gjyqtarët dhe shumë të tjerë, mendojnë se Çadra do t’i shpëtojë nga vetingu, në një kohë kur Saliu po iu kërkon amerikanëve, tash pese muaj rresht, garanci për vete dhe për familjen që ky me taborin e tij, të shkojë e të votëjë në Parlament. Komedi e pastër.
Dhe, a e dini pse? Sepse amerikanët i kanë thënë Saliut: “të japim vetëm garanci nëpërmjet ligjit”.
III.
Prisni kot o të mjerë! Korrupsioni shqiptar tani është një çështje amerikane e ndërkombëtarizuar, dhe një intetes parësor i të gjithë popullit shqiptar. E pra, vërtet mendojnë keta të korruptuar se mund të kenë forcë për të ndaluar të gjithë aleancën e Perëndimit me shqiptarët për zhvillimin europiano-perëndimor të Shqipërisë?
Vànitas – kotësi – do t’iu kishte thënë Ciceroni latinisht… domethënë e kanë krejt të kotë luftën kundër zhvillimit të Shqipërisë, në funksion të mbrojtjes që kërkojnë t’i bejnë gjësë së vjedhur prej tyre, dhe ndeshkimit penal që është pasoja e saj.
Që të gjithë, e një nga një, do të hyjnë brenda afatit në Parlament për të votuar vetingun.