Bashkia e Tiranës ka hapur qendrën e re të shërbimeve për Ujësjellës-Kanalizime, sipas modelit one-stop-shop, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj klientit. Për t’i dhënë fund burokracive dhe vonesave, UKT do të ofrojë për të gjithë qytetarët e Tiranës një qasje të re ndaj cilësisë së shërbimit, jo vetëm sa i përket furnizimit me ujë, por edhe lehtësimit të procedurave. Në përurimin e qendrës së parë të shërbimit one-stop-shop të UKT në njësinë Nr. 2, ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Redi Molla.
“Falë këtij shërbimi, sot kemi 26 mijë kontrata më shumë me Ujësjellësin, jo se këta janë njerëz të rinj, këto kontrata këtu kanë qenë, por uji ose vidhej ose në mënyrë informale merrej nga rrjeti. Pra, për sa kohë që njerëzit na janë përgjigjur dhe po formalizohen, është më se e drejtë që edhe ne të përgjigjemi dhe të çojmë në një nivel shumë më profesional shërbimin që ofrojmë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se qytetarëve të Tiranës sot u ofrohet një shërbim më i lartë me një çmim më të ulët. Ai garantoi për rritjen e mëtejshme të investimeve dhe përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm. “Ky ka qenë një vit fantastik për UKT, kemi hapur 105 kantiere pune. Sot jo vetëm kemi shtuar shërbimin e furnizimit me ujë në disa pjesë të Tiranës, por për 80 mijë banorë ky shërbim është 24 orë, kurse për rreth 880 mijë të tjerë ky shërbim është dyfishuar nga mesatarja 7 orë në ditë në 14 orë në ditë. E gjithë kjo ofrohet me çmimin më të ulët të ujit”, tha Veliaj, duke nënvizuar se Bashkia e Tiranës do të avancojë me shkëputjen përfundimtare të Ujësjellësit të Vorës dhe të Kamzës. /b.d