Kriza mes Holandës dhe Turqisë ka marrë përmasa të tjera, duke u thelluar akoma më tepër.
E lënë për orë të tëra larg konsullatës turke në Roterdam, ministrja për familjen dhe politikat sociale është shpallur e padëshiruar dhe është shoqëruar për në kufi, për të kaluar më pas në Gjermani.
Fatma Betyl Sajan Kaja ka reaguar përmes Tëitter-it, duke treguar se po dërgohej drejt Gjermanisë.“E dënoj këtë në emër të bashkëqytetarëve të mi,” shkroi ajo.
Sipas së përditshme turke Sabah, ajo është shoqëruar me eskortë policie, ndërsa disa prej truprojave të saj janë ndaluar nga policia holandeze.
Vetëm pak orë pasi ministrit të Jashtëm turk nuk iu lejua të fluturonte drejt Holandës, ministrja në fjalë arriti në Roterdam në rrugë tokësore, ku u bllokua nga forcat policore holandeze. Ardhur në këtë vend për veprimtaritë në kuadër të fushatës për referendumin në Turqi, ajo nuk u lejua as t’i afrohej tokës turke të konsullatës.
Në Roterdam, Stamboll e Ankara pati protesta të mëdha në orët mes së shtunës dhe së dielës.
Pasi deklaroi se kontaktet diplomatike nuk dhanë rezultat dhe se ministrja u nxor jashtë Holandës, kryeministri turk u bëri thirrje për qetësi qytetarëve të vendit të tij dhe premtoi kundërpërgjigje ndaj asaj çfarë ka ndodhur.
Ambasadori holandez në Ankara, i gjendur jashtë Turqisë, u lajmërua të mos kthehej për një kohë në punën e tij.
Incidentet janë rezultat i qëndrimit për të mos i lejuar shtetarët turq të organizojnë tubime me komunitetin turk për referendumin mbi ndryshimet kushtetuese, përgatiti Express. (b.an)