Të paktën nëntë persona kanë qenë pjesë e grupit kriminal që, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, vinte gjoba ndaj tregtarëve në Shkodër, raporton “Panorama”, e cila shkruan se ata u përgjuan intensivisht dhe filmuan deri sa u arrit te provat.
Lajmi është pohuar nga burime të Prokurorisë, që kanë thënë se nëntë personat e arrestuar deri tani, kanë qenë të organizuar në kryerjen e kërcënimeve e presioneve ndaj tregtarëve dhe përvetësimin e përmuajshëm të shumave monetare prej tyre.
Ditën e djeshme janë vënë në pranga edhe dy të arrestuarit e fundit, shtetasit Ibrahim Lici dhe 16-vjeçari me inicialet H.L.
Të shtunën, gjatë aksionit të forcave RENEA në Shkodër, ishin vendosur në pranga shtetasit Muhamet Lici, Abedin Bajraktari, Denis Skutina, 17-vjeçari me iniciale G.S., Besmir Domnori, Gëzim Vajushi dhe Fatmir Dibra.
Prokuroria ka bërë me dije dje se nga hetimi ka rezultuar që shtetasit e mësipërm janë banorë të qytetit të Shkodrës dhe të njohur midis tyre. Sipas grupit të hetimit, këta shtetas qëndrojnë me njëritjetrin një pjesë të madhe të kohës dhe komunikonin në mënyrë të vazhdueshme me telefon.
GJOBAT NDAJ TREGTARËVE
Burime të Prokurorisë kanë thënë se nëntë personat e arrestuar në formën e një grupi të organizuar kriminal nëpërmjet dhunës psikologjike dhe kanosjes për ushtrimin e dhunës fizike kanë detyruar tregtarët e zonës së quajtur “Rruga e Gjerë” e Kirasit dhe Tregu i Zdrales Shkodër që të paguajnë shuma monetare çdo muaj.
“Këto veprime i kryenin ose nëpërmjet komunikimeve telefonike me tregtarët, ose nëpërmjet takimeve. Pasi i kanë shtrënguar që të paguajnë, ata mbledhin në ditët e fundit të çdo muaji shuma nga 1000 deri 3000 lekë të rinj”, ka bërë me dije Prokuroria.
Sipas hetimeve, dyshohet se në krye të këtij grupi të strukturuar kriminal, në rolin e organizatorëve qëndrojnë shtetasit Muhamet Lici dhe Abedin Bajraktari, i thirrur dhe “Bukel”./a.m.