Qytetari denoncon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një gjyqtare dhe prokuror të Fierit, të cilët sipas tij po mbajnë të bllokuar padrejtësisht dhënien e lejes së legalizimit dhe certifikatës së pronësisë për një objekt, ku ai është pronar me vendim të formës së prerë.
Sipas Arben Myzeqarit, ndonëse këtë pronë e ka fituar në dy shkallë të Gjyqësorit, Prokuroria ka nisur hetimin ndaj zyrtarëve që ia kanë legalizuar atë.
Bashkë me nënën e tij, shtetasen Marinaqi Pelari (Myzeqari), u është drejtuar Krimeve të Rënda duke kërkuar hetimin e kësaj çështjeje. Sipas Myzeqarit, edhe pse ata janë palë e dëmtuar në këtë proces, nuk janë thërritur asnjëherë as nga prokurori që e ka pasur në hetim çështjen dhe as nga gjyqtarja që e ka ende në proces gjyqësor.
Z. Myzeqari, ju keni depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pak ditë më parë. Çfarë objekti ka ky kallëzim dhe ndaj kujt është kryer?
Janë veprimet dhe mosveprimet antikushtetuese dhe antiligjore të gjyqtares Adelina Zarka dhe prokurorit Andi Pogaçe, në procesin gjyqësor ndaj pesë zyrtarëve të ALUIZNI-t Fier. Me këto veprime dhe mosveprime synohet të nxirret i paligjshëm procesi i legalizimit të objektit të nënës sime, Marinaqi Pelari (Myzeqari). Ky objekt, me vendim të Këshillit të Ministrave, datë 17.12.2011, është miratuar për procesin e legalizimit me statusin juridik “tokë shtetërore”. Mbi këtë bazë, më datë 20.05.2011, nga djali tjetër, Artan Pelari, janë paguar në bankë 11.270.000 lekë të rinj për blerjen e tokës shtetërore.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni, bazuar në ligjin 9482, datë 03.06.2006 për legalizimet, është nënshkruar kontrata e kalimit të parcelës ndërtimore prej 460 m², me numër pasurie 6354, në lagjen “11 Janari” të qytetit të Fierit nga ALUIZNI Fier te shtetasja Marinaqi Pelari. Sipas kushteve të kësaj kontrate, ALUIZNI Fier, brenda 30 ditëve sipas ligjit, garantonte dhënien e lejes së legalizimit dhe certifikatës së pronësisë për objektin “Taverna Pelari”, në emër të nënës sime.
E vërteta është se nuk u zbatuan kushtet e kontratës, sepse në datën 06.06.2011, ALUIZNI na fut në proces gjyqësor me shtetasen Sara Resuli, nëpërmjet të cilit synohej vjedhja e një sipërfaqeje prej 2300 m² tokë shtetërore, e ndodhur në lagjen “11 Janari” brenda së cilës ndodhet edhe sipërfaqja e parcelës ndërtimore prej 460 m².
Çfarë ndodhi më pas, si shkoi ecuria e proceseve gjyqësore?
Më datë 30.10.2013, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier vendosi rrëzimin e kërkesë- padisë të shtetasit Etem Resuli, përfaqësuar nga bashkëshortja e tij, Sara Resuli. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në Vlorë, më datë 04.11.2014.
Pse nuk u ekzekutua vendimi i formës së prerë?
Këtu fillon veprimtaria antikushtetuese dhe antiligjore e Prokurorisë së Fierit dhe Gjykatës Fier. Pa dijeninë tonë, sekuestrohet dosja e legalizimit të nënës sime, Marinaqi Pilari, dhe dërgohet për gjykim në procesin penal në ngarkim të pesë punonjësve të ALUIZNI-t Fier.
Ndërkohë që këto procedime penale u përkisnin të pandehurve Tomorr Akushi, ish-drejtor i Hipotekës Fier (sot avokat), Vasilika Hysi, ish-drejtoreshë e AKKP-së Fier, dhe dy ekspertet topografe, Gjyzela Murati dhe Lindita Azizi, tëcilët i kisha kallëzuar unë, për shkak të dhënies së vendimit nr. 979, datë 19.09.2008, ku ata e kishin zhvendosur pronën e mësipërme nga lagjja “1 Maji” në lagjen “11 Janari”.
Pse Prokuroria nisi hetimin ndaj zyrtarëve të ALUIZNI-t?
Për të mbuluar vjedhjen që shtetasit Sara dhe Etem Resuli kanë bërë me pronën shtetërore 2300 m² të ndodhur në lagjen “11 Janari”, Fier. Madje është pretenduar sikur Marinaqi Pelari ka marrë dëmshpërblim për gjoja përmbytje që ishin bërë në vite në qytetin e Fierit.
Ky është mashtrimi i radhës i Prokurorisë Fier, pasi me shkresë nga Bashkia e Fierit, nënvizohet se Marinaqi Pelari nuk ka marrë as nuk ka bërë kërkesë për dëmshpërblim. Ajo çka është më e rëndësishme, ky proces penal i hapur nga Prokuroria, po zhvillohet pa palët e dëmtuara që jemi ne, Pelari.
Gjyqtarja Adelina Zarka, që nga fillimi e deri në fund po zhvillon një proces gjyqë- sor (me kërkesë të Prokurorisë, e cila ka të pandehur 5 zyrtarë të ALUIZNI-t) pa pjesëmarrjen tonë si palë e dëmtuar, duke penguar zbulimin e së vërtetës. Ndërsa prokurori Andi Pogaçe nuk më ka thërritur si palë të dëmtuar gjatë procesit hetimor.
Cili është dëmi pasuror që ju është shkaktuar nga ky proces gjyqësor?
Bllokimi i 11.270.000 lekëve të rinj, të paguara në favor të shtetit që nga data 20.05.2011, të cilat i kemi siguruar me kredi me interes mujor 1.9 për qind, na kanë shkaktuar një borxh prej 15 milionë lekësh të rinj./panorama/a.k