Pavarësisht se zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit do të zhvillohen me një “rrjetë ligjore” për të penguar kriminelët të depërtojnë në Kuvend, ligji i dekriminalizimit do të hasë vështirësi të mëdha zbatimi.
Arsyet janë krejtësisht teknike, sepse ligji i verifikimit të integritetit të figurave që janë ushtrojnë funksione publike nuk është harmonizuar me Kodin tonë Zgjedhor duke vendosur përpara një udhëkryqi institucional KQZ-në. Bazuar në këtë kod, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që listat e kandidatëve të të gjitha subjekteve duhet të dorëzohen jo më vonë se data 5 maj 2017, ndërsa zgjedhjet janë caktuar për 18 qershor. Në një përllogaritje të përafërt, nga rreth 65 subjekte zgjedhore që regjistrohen në proces, depozitohen mesatarisht 7 mijë kandidatë. Kjo do të thotë se nga data 5 maj kur do të njihet zyrtarisht me kandidatët e propozuar nga partitë politike, deri ditën e zgjedhjeve, KQZ ka vetëm 45 ditë për të grumbulluar formularët e tyre të deklarimit, për të kontrolluar në mënyrë manuale çfarë ata kanë deklaruar, e po ashtu për të verifikuar nëse ndonjë prej deklarimeve përbën ndalim për tu kandiduar. Po ashtu, nga praktika e deritanishme, për këto 7 000 emra KQZ do të duhet të mbledhë vërtetime gjyqësore nga Drejtoria e Burgjeve dhe të dhëna nga Gjendja Civile. Në raste dyshimesh, nëse ndonjë kandidat do të përfundonte për verifikim në prokurori, procesi do të përfundonte në një kolaps të vërtetë.
Alarmin për vështirësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të verifikuar këtë proces e shprehu pak kohë më parë në një deklaratë publike vetë kreu i institucionit, Denar Biba. “Ne do të ndodhemi përpara një problemi shumë të madh objektiv, kohor për të kaluar në sitë afërsisht 7 mijë kandidatë. Dhe nëse kjo do të ndodhë zor se do të kemi konstituim të parlamentit ne kohe, pasi ne nuk mund të arrijmë të certifikojmë dot 7 mijë të tillë”,-tha Biba. Por cilat janë dy alternativat si mund të shkohet në procesin e verifikimit të kandidaturave. Sipas burimeve brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mundësia e parë, që duket edhe më e vështira për tu arritur, është që të bëhet verifikimi i të gjithë emrave paraprakisht, duke dhënë “dritën jeshile” për kandidatët e pastër. Edhe sikur të investojë të gjithë burimet e saj njerëzore në këtë drejtim, KQZ mund t’ja dalë vetëm të bëjë një verifikim të atyre çfarë kanë deklaruar vetë në formularë kandidatët, por mund të mos ja dalë të verifikojë informacionet me institucionet e tjera të përfshira. Në këtë aspekt, një verifikim i tillë i pjesshëm do të ishte i pa plotë në këtë fazë. Alternativa e dytë është që KQZ të fillojë normalisht procesin e verifikimit dhe ta përfundojë atë pasi të jenë shpallur fituesit. Kjo do ta kufizonte punën në vetëm 140 emrat fitues të listës së kandidatëve për deputetë.
Në këto kushte, KQZ, përpara se të shpallë vlefshmërinë e mandatit të një deputeti, do të duhet të bëjë verifikimin e pastërtisë së tij. Derisa të 140 emrat të verifikohen, KQZ nuk do të konstituojë parlamentin. Edhe në këtë rast, risku i pranishëm është vonesa në konstituimin e parlamentit të ri, deri në verifikimin edhe të kandidatit të fundit. Në rast se ndonjë deputet rezulton se i ka shpëtuar këtij filtri dhe më pas vijnë informacione dhe fakte se preket nga ligji i dekriminalizimit, atëherë ai do të humbasë mandatin sikundërse ndodhi me deputetët Selami dhe Tahiri. Megjithëkëtë, KQZ do të marrë në vijim vendime përkatëse se si do të veprojë në këtë rast. /Shqiptarja.com/a.m.