Në komunikimin e tij të javës në rrjetin social, Kryeministri Edi Rama ka folur për ekonominë e vendit, duke thënë se pavarësisht se për vitin që lamë pas rritja ekonomike ka shënuar (sipas FMN) 3.4%, kësaj here zhvillimi do të jetë dyfish më i lartë falë programit të qeverisë për të injektuar 1 miliardë dollarë në ekonomi, në vitin 2017. Rama ka shtuar gjithashtu se nuk parashikohet asnjë rritje taksash për shqiptarët, duke theksuar se me programin kombëtar 1 miliardë dollarë për rindërtim, vende të reja pune do të hapen si dhe do të përmirësohen dukshëm 3 sektorë të rëndësishëm, siç janë infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia.
Pavarësisht tensioneve të këtyre dy ditëve dhe “avullit të nxehtë” që ka nxjerrë LSI kundër ministrisë së brendshme, policisë së shtetit dhe kryebashkiakut të Durrësit, Rama ka preferuar që të mos prekë apo komentojë, direkt apo indirekt për këtë çështje.
Por nga ana tjetër, ai është shprehur i bindur se qeveria që ai drejton do të ecë përpara në fitoren e qershorit dhe e sigurt gjithashtu se qytetarët do të votojnë alternativën e duhur.
Programi kombëtar 1 miliard dollarë për rindërtim… do të fusim një volum të konsiderueshëm kapitali për të rindërtuar infrastrukturën rrugore, arsimore edhe shëndetësore të vendit. Ky program padyshim do të sjellë një rritje ekonomike gati dyfish të kësaj që kemi. Do të rrisë ndjeshëm punësimin dhe rritja të ndjehet në ekonominë familjare të gjithsecilit.
Mandati i parë qeverisës është vetëm pjesa e parë e një ndeshje shumë të vështirë, të cilën ne do ta fitojmë së bashku.
Mes pjesë së parë dhe të dytës në politikë nuk ka pushim por ka zgjedhje, por për zgjedhjet kemi ende për të folur, sepse cdo ditë, deri në rënien e gongut të fushatës elektorale, për ne është një ditë e gjatë pune për të cuar përpara projektin tonë fitues… të bindur se jemi në drejtimin e duhur dhe se rruga që kemi bërë mjafton për të qenë të sigurt për drejtimin, por jo të kënaqur, përderisa pikëmbërritja ku duam të arrijmë të gjithë së bashku është ende disa vite larg./java/a.k