Këshilli i Ministrave ka miratuar mënyrën e re të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes.
Ky vendim vjen pas atij të Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi si të papajtueshëm me Kushtetutën vendosjen e pagave të referencës për 23 profesione të lira, që praktikisht sillte rritjen e detyrimeve që duhet të paguanin këta persona. Ndërkaq, sipas Aktit Normativ, që mban datën 25 janar 2017, “kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar do të llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave”. Kjo do të thotë se tashmë të vetëpunësuar në profesione si: avokat, farmacist, noter, arkitekt, inxhinier, përkthyes etj. do të paguajnë sigurime mbi pagën minimale, që aktualisht është 22 mijë lekë. Ndërkohë që, në rast se dëshirojnë të vetë sigurohen me një pagë më të lartë, atëherë janë të lirë të zgjedhin brenda kufirit të pagës maksimale, që aktualisht është 97.030 lekë. Sa i takon kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor, është përcaktuar se ato do të paguhen si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale në shkallë vendi, pra mbi 44.000 lekë.
PUNONJËSI I PAPAGUAR I FAMILJES
Ndërkaq, Akti Normativ përcakton dhe mënyrën sesi do të derdhen kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësin e papaguar të familjes. Sipas tij, sigurimet shoqërore do të llogariten mbi pagën minimale në shkallë vendi, pra mbi pagën 22.000 lekë. Ndërkohë që, kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për këtë persona do të paguhen me të njëjtën skemë, sikurse të vetëpunësuarit, pra si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale në shkallë vendi. Sipas Aktit Normativ, “kur veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit fillon, ndërpritet, përfundon apo kalon në regjistrin pasiv gjatë një muaji, llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore bëhet në bazë të pagës për ditët e punuara për muajin.
DEKLARIMI
Sipas Aktit Normativ të vetëpunësuarit kanë detyrimin të bëjnë regjistrimin e të punësuarve, pranë organeve tatimore, ku ndër të tjera do të deklarojnë dhe pagën mbi të cilën do të derdhin kontributet. “Personat juridikë ose fizikë, brenda dy ditëve pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, deklarojnë në organin tatimor listën e të punësuarve, pagën përkatëse, përfshirë për personin fizik edhe punonjësit e papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht”,-thuhet ndër të tjera në vendim. Ndërkohë që, për personat fizikë të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, ky deklarim në organin tatimor bëhet të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës. Pavarësisht kësaj, llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore”. Paralelisht “Gazeta Shqiptare” publikon sot dhe listën me 23 profesionet, që u klasifikuan si të lira nga vendimi i mëparshëm i qeverisë, të cilët i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. /GSH/a.m.