Nga Alfred Peza
Historia ime e këtyre ditëve, ngjan si dy pika uji, me historinë që më tregoi një miku im piktor. I cili vendosi që një ditë të investojë në biznes. Kur e mëson këtë shoku i tij i ngushtë, një shkodran i vjetër, i thotë: Tani, ki durim se çfarë nuk do të dëgjosh për veten tënde. Sepse në Shqipëri kur e ke bishtin ta heqin, kur nuk e ke, ta venë.
Kështu po ndodh edhe me historinë time dhe gjithë atë çfarë ka ndodhur këto 3-4 ditë në publik dhe media në lidhje me gjoja “skandalin e madh” të pasurisë së familjes sime. Kjo nuk ka qenë një betejë për të vërtetën, sepse po të ishte një betejë për të vërtetën, PD kishte 4 ditë kohë që ta gjente atë, pasi unë bëra një status në Facebook ku deklarova se jam i hapur dhe se dokumentet e mia ndodhen të gjitha në ILDKP. Duke i bërë thirrje që të shkonin dhe t’i bënin publike.
Por, gjatë këtyre katër ditëve asnjë hap nuk u hodh drejt zbardhjes së të vërtetës. Por vetëm foli politika, në një betejë më shumë se politike dhe nuk tha asgjë. Nuk tregoi asnjë letër. Nuk tregoi asnjë dokument. Nuk tregoi asnjë prove. Nuk tregoi asgjë fakt.
Ishte një betejë më shumë se politike, pasi ajo nuk ishte as edhe një betejë morale. Sepse po të ishte një betejë morale, gazetarët, ish-kolegët e mi të paktën në mos shkofshin në ILDKP, apo të më kontaktonit mua, të paktën të shkonin deri tek zyra e pronarit të medias së tyre, e drejtorit të tyre, e financës së tyre, e të pyesnin: Ore ky Alfred Peza kur ka punuar tek Vizion Plus, pse e ka pasur 10 milionë lekë rrogën në muaj? Ky Alfred Peza kur punonte tek Ora News, pse fitonte kaq mijëra e mijëra euro që e di gjithë Shqipëria. Ky Alfred Peza kur punonte te Klan, sa e kishte rrogën? Ky Alfred Peza kur punonte te “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Top Media”, sa i kishte të ardhurat?
Pra, të gjithë mediat nuk e paskan pasur të gjithën këtë, një betejë morale. Po çfarë beteje qenka kjo atëherë? Ju a them unë. Është beteja e ziliqarëve për lekët e mia. Zilia është njerëzore, është një gjë që e kanë shpjeguar apo nuk kanë arritur as ta shpjegojnë dot deri në fund, as shumë filozofë e studiues. Duke qenë njerëzore, edhe unë i mirëkuptoj të gjithë ziliqarët për paratë e mia dhe do të doja t’i justifikoja. Por nuk i justifikoj dot. Por i mirëkuptoj. Ndaj nuk i ngushëlloj dot.
Gazetarët, nëse do të donin dhe kjo do të ishte një betejë për të vërtetën dhe një betejë morale, mund të vinin e të më kontaktonin mua, ish- kolegun e tyre, me të cilin kanë punuar 20 vjet. Askush nuk më ka marrë asnjë herë në telefon nga mediat deri më sot. Askush nuk ka trokitur në derën time, askush nuk e ka marrë bashkëshorten time (edhe ajo ish- gazetare) deri tani në telefon. Askush nuk i ka çuar një mesazh që “duam një prononcim”. “Si është e vërteta sipas jush”? Apo “ana juaj e historisë”. Asnjë. Por unë si një gazetar i vjetër, si ish kolegu juaj, do ju kisha mirëpritur dhe sepse kisha bërë gati edhe dokumentet.
Ja ku janë! Deklarata e pasurisë Alfred Peza – 2013, përpara se të hyja në politikë. Deklarata e pasurisë pas 2013, kur nisur tashmë politikën. Deklarata e pasurisë e 2014, deklarata e pasurisë -2015. Kisha bërë gati për ju edhe deklaratat e pasurisë së bashkëshortes sime Mirela Ndini, ajo miliarderja më e madhe e këtij vendi, ja ku e ka që nga viti 2004, (për pasurinë gjatë 2003). Ja ku janë të gjitha deklaratat e saj të pasurisë, për 13 vjet, 14 vjet me radhë. Sepse ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë në ILDKP.
Jua kisha bërë gati e po ju prisja, i kisha në tavolinë. Pse nuk erdhi asnjë gazetar? Pse nuk trokiti asnjë media? Asnjë kolegu im? Asnjë analist nga ata të shquarit që u është ngrënë haku dhe nuk paskan kursyer dot 1 milionë dollar. Unë i ngushëlloj jo vetëm në zilinë e tyre për paratë e mia. Por edhe për një pjesë të veseve të ndonjë ish kolegu. Apo për faktin se ata ashtu e kanë ndërtuar jetën e tyre, ndërsa unë kam vendosur ta ndërtoj kështu.
Do të doja shumë t’ju jepja këto dokumente sot por siç e dini ILDKP ka vendosur të nisë hetimet dhe kur je nën hetim, nuk mund të dorëzosh dot dokumentet publikisht. Por këto dokumente që nuk i mori media, do shkoj t’i dorëzoj në ILDKP.
Nga ana tjetër do të doja t’ju tërhiqja vëmendjen për një gjë fare të thjeshtë. Unë jam një burrë 50 vjeç, kam filluar të punoj që në 1989. Pra kam plot 28 vjet që punoj. Bashkëshortja ime ka përfunduar shkollën në vitin 1994, ka 23 vjet që punon dhe të gjithë sëbashku,të dy sëbashku kemi 51 vjet që punojmë sëbashku. Ju sjell në vëmendje deklaratën e parë të pasurisë së Lulzim Bashës, kur erdhi në KOP dhe hyri në politikë. Ishte 30 vjeç, kishte punuar vetëm 4 vjet dhe a e dini çfarë ka deklaruar ky njeri, ja ku e keni: Lulzim Basha ka deklaruar pasuri mbi 1 milion euro.
Pra, 300 mijë dollarë më shumë sesa unë në vetëm 4 vjet punë. Ndërkohë që ne kemi punuar 10 herë a më shumë se Lulzim Basha dhe jo në punë do si do. Alfred Peza kur ishte në media ishte i adhuruar dhe njerëzit thoshin: Është një nga gazetarët më të mirë, nga më të paguarit, analist kështu, analist ashtu, drejtues kështu I mediave a drejtues ashtu. Por çuditërisht sapo hyra në politikë, krejt papritur unë u bëra delja e zezë, e keqja, e kështu me radhë.
Për të gjithë ata që kanë kuriozitet po ju them pasuria e familjes së Alfred Pezës mbas 2013-s kur Alfred Peza ka hyrë në politikë është shtuar me 0 (zero) lekë. Zero. Përveç të ardhurave që mund të kenë rrjedhur nga interesat bankare përtej të ardhurave nga puna direkte si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, apo bashkëshortja ime si punonjëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dhe çfarë beteje qenka kjo, që s’qenka as betejë morale dhe as betejë për të vërtetën, por qenka më shumë se politike.
Kjo është beteja kundër modelit, është beteja kundër modelit tim në politikë. Unë kam qenë i pari kandidat për deputet i rilindjes, model i ardhur nga shoqëria civile, i ardhur nga media, i ardhur si profesionist, i angazhuar, i ardhur si njeri që ka deklaruar që sekondën e parë pasuritë e tij. Ç’skandal ka zbuluar rrjeti mbi dokumente që unë i kam firmosur vetë? Që i kam dorëzuar vetë për 15 vjet me radhë? Këtë ka filluar tani media ta quaj skandal? Nëse ky qenka skandali, atëherë unë paskam humbur nocionet për gazetarinë dhe nuk e njihkam më gazetarinë.
Por po ju them një gjë tjetër, që modeli im është modeli i atij njeriu që ka punuar 24 orë për 24 orë si një profesionist, çdo ditë të jetës time s’kam bërë asnjë ditë pushim. Të gjithë ata që kanë punuar me mua e dine këtë. Të gjithë njerëzit që më njohin mua e dinë këtë. Të gjithë të afërmit dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi e dine mirë këtë. Nëse unë nuk isha ky model, por do kisha qenë një deputet i ardhur në Parlament, me një të kaluar si trafikant droge, armësh apo prostitutash sot unë nuk do të isha nën hetim nga ILDKP. Pse do pyesni ju?
Është fare e thjeshtë: A keni dëgjuar ju ndonjë deputet të përfolur për trafik droge, prostitutash dhe për çdo gjë tjetër, që të jetë vënë ndonjëherë nën hetim dhe t’i jetë kontrolluar pasuria siç po i kontrollohet sot Alfred Pezës? Jo, dhe as ka për të ndodhur për aq kohë sa nuk ka filluar të zbatohet reforma në drejtësi.
Pse bëhet e gjithë kjo? Ka një arsye fare të thjeshtë. PD tha se u habit nga pasuria ime. Vërtet besoni ju që ata janë habitur nga paratë e mia? Ata që kanë dhjetëra e qindra, mijëra herë më shumë!? Nuk janë habitur ata. Atyre i ka ndodhur më shumë se kaq. Ata as janë habitur e as janë çuditur. Por ata janë tmerruar. Ata i tmerron liria ime për të deklaruar gjithë pasurinë time në çdo kohë, sepse ata nuk e deklarojnë dot pasurinë e tyre. Sepse ata hynë me pantallona të grisura në politikë dhe sot, pasi u bënë ministra e kryeministra, janë miliarderë dhe nuk e deklarojnë dot pasurinë. Kjo i tmerron ata, liria e Alfred Pezës për të deklaruar pasurinë e tij në çdo kohë. Ja ku është pasuria e Alfred Pezës! 15 vjet e kontrolluar nga ILDKP, 15 vjet me radhë, 15 vjet!
Po pse tani dhe pse unë? Pse ka ndodhur e gjithë kjo fushatë? Ka ndodhur, sepse i keni parë filmat me mafie? Librat me mafie? Që të mbulohet një krim në një anë të qytetit, duhet të bësh zhurmë dhe duhet të bësh një krim më të madh, në anën tjetër të qytetit. Kush është krimi që ka ndodhur nga kjo anë e qytetit, që po bëhet zhurma për krimin e Alfred Pezës nga ana tjetër e qytetit? Ka ndodhur ajo që është skandali më i madh financiar në historinë bankare të këtij vendi. Jo banka ku unë kam një përqindje aksionesh mbi bazën e historisë së parave të mia, por një bankë tjetër e nivelit të dytë, e cila pak ditë para zgjedhjeve të 2009, ka dhënë brenda ditës 7 milionë euro cash.
Nuk ka ligj në botë, nuk ka zyrë të pastrimit të parave në botë, nuk ka zyrë që kontrollon bankat në botë, që të arrijë dhe që të japë menjëherë kesh në dorë, 7 milionë euro, brenda një dite. A e dini ju pse po hetohet dhe nuk vjen sot në Shqipëri Rezart Taçi? Për të njëjtin krim, se ka nxjerrë Brenda ditës 5 milionë euro cash (paratë e tij) nga banka dhe ndodhet në arrati. Ndërsa shoku i ngushtë i Shkëlzen Sali Berishës mori 7 milionë euro kesh në dorë brenda ditës nga një bankë e nivelit të dytë, kundër çdo lloj praktike dhe ligji, dhe atë nuk e gjen gjë. Pse, rastësi thoni ju është që në vitin që ka deklaruar Shkëlzeni në 2010, (për pasurinë e 2009), 300 mijë euro shtim pasurie, ka ndodhur edhe ky skandal i madh? Ky skandal i madh është shumë herë më i madh se skandali “Arsidi”. A e dini ju që ka ndodhur një skandal fiks si ky në fillim të viteve ’90, me 1.6 milionë dollar, për të cilin u arrestuan guvernatorë banke, zv. Guvernatori dhe gjysma e qeverisë?
Kjo është arsyeja pse PD sulmon Alfred Pezën, sepse do që të fshehë krimet e djalit të Sali Berishës dhe grabitjet që ai i ka bërë pasurisë së shqiptarëve. Kurse mua sot, pas gjithë kësaj fushate të pështirë, me thënë të drejtën më vjen keq për një gjë; kisha mundësi të kurseja më shumë se 1.1 miliardë dhe nuk e kam bërë. Për këtë më vret ndërgjegjja. Por a e keni parë deklaratën e pasurisë së Shkëlzen Berishës. Ku thotë se punoj këtu, punoj këtu, e atje. Hej, ky djali i Sali Berishës edhe punoka. Ndërsa unë kujtoja se ai ishte guida e një blogereje për ta çuar atë në Meksikë, Dubai e në të gjitha plazhet e tjera të botës. Më falni se u zgjata. Por i rashë pak gjatë sot, se nuk kisha kohë që të flisja shkurt.
Faleminderit!
* Deklarata e bërë për gazetarët, përpara fillimit të sesionit të ri Parlamentar.