Nëna të reja me fëmijë të mitur, të moshuar të braktisur nga të afërmit dhe shoqëria apo burra të ndëshkuar nga fati i keq janë të pastrehët “e padukshëm” të Tiranës, të cilët falë temperaturave nën zero siguruan për pak ditë ushqim dhe fjetje në ambiente të ngrohta.
Për herë të parë në Shqipërinë e tranzicionit, pushteti vendor në bashkëpunim me forcat e policisë ndërmorën një aksion për strehimin e përkohshëm të njerëzve që flenë në qiell të hapur, në kushtet e temperaturave nën zero dhe dimrit të pazakontë.
Në Tiranë, rreth 140 të pastrehë u sistemuan në katër qendra sociale, ku në kujdesin e Bashkisë së Tiranës u ofrohen ushqim dhe fjetje, deri në ndryshimin e motit dhe ngritjen e temperaturave.
Në qendrën “Shtëpia e Përbashkët” në Laprakë, një grua e re-nënë e dy fëmijëve dhe në pritje të një të treti i tha BIRN se përfundoi në rrugë pasi nuk kishte mundësi të paguante qeranë.
“Kam fjetur shpesh jashtë, në shtëpi të rrënuara, së bashku me djemtë e mi të vegjël. Dje më nxorrën nga shtëpia ku banova për disa muaj, sepse nuk paguaja dot qeranë. Nuk kam njeri të më ndihmojë,” i tha ajo BIRN.
Nëna e re i frikësohet fatit të fëmijëve të saj, ndërkohë që e di se pas përmirësimit të motit do të përfundojë sërish në mes të katër rrugëve.
“Sot jam këtu, por nesër do të më duhet të dal sërish në rrugë. Është një jetë shumë e padrejtë,” shton gruaja e pastrehë.
Ndryshe nga ajo, një tjetër zonjë e thyer në moshë ka vite që ngryset e gdhihet në qiell të hapur, në një nga rrugët kryesore të Tiranës. Nënë e nëntë fëmijëve, ajo është gjithashtu e braktisur prej të gjithëve dhe ndan me të pastrehët e tjerë shqetësimin për të ardhmen.
“Ka shumë vite që fle jashtë, diku pranë Parlamentit. Kam 9 fëmijë, por të gjithë më kanë braktisur. Jam e verbër dhe rroj me lëmoshë. Këtu jam mirë, ngrohtë. Po, nëse nuk bën gjë njeri për ne, në rrugë do të vdes,” thotë ajo me trishtim.
Në udhëkryq për të ardhmen e vet dhe të vajzës së saj është një tjetër grua e strehuar në qendrën “Shtëpia e Përbashkët”, e cila ka përfunduar gjithashtu në rrugë nga pamundësia për të paguar qeranë. Ajo merr një pension të vogël nga shteti, por paratë nuk mjaftojnë as për t’u ushqyer dhe as për të siguruar një strehë mbi kokë.
“Më nxorrën jashtë së bashku me vajzën dhe me gjithë plaçkat tona. Isha mirë aty. Kisha zjarr, ushqime,” thotë ajo. “
“Me të dalë në rrugë shkova në polici dhe ata më sollën këtu, por më pas nuk di ku të shkoj. Nuk kam më lekë,” thotë ajo.
Një zotëri invalid në këtë qendër ka një tjetër dramë… vetminë, braktisjen dhe sëmundjen që rëndohet me kalimin e viteve.
“Nuk kam njeri. Vetëm një vajzë invalide të shkallës së dytë të cilën ka vite që nuk e kam parë. Jam pa shtëpi dhe kërkoj vetëm të më pranojnë në një azil në Tiranë. Ka vite që kam fjetur nëper hyrje pallatesh. Nuk mundem më,” thotë ai.
Ndonëse kanë histori të ndryshme, të pastrehët e Tiranës ndajnë të njëjtin ankth për fatin e tyre pas përmirësimit të motit. Ndihma e këtyre ditëve ka qenë vendimtare për jetët e tyre, megjithatë pikëpyetje ngrihen se çdo të ndodhë më pas me ta?
Në Shqipëri, kjo kategori njerëzish që ka humbur shtëpitë apo mbështetjen e të afërmve është injoruar në vazhdimësi nga autoritetet shtetërore. Ende sot nuk ka një shifër të qartë se sa njerëz janë të pastrehë apo jetojnë në rrugë.
Pak kohë më parë, Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me PNUD bënë publik synimin për krijimin e regjistrit të parë të të pastrehëve në Shqipëri përmes identifikimit të tyre në 61 njësi vendore-regjistër i cili nuk është ende gati.
ma.me